KEDS: Blloku B1 vazhdon të mbetet jashtë funksionit

  • 31 August 2015 - 18:58
KEDS: Blloku B1 vazhdon të mbetet jashtë funksionit

KEDS ka njoftuar se njësia e prodhimit të energjisë elektrike, B1, vazhdon të mbetet jashtë funksionit të paktën deri në mesnatën ose deri në mëngjesin e nesërm

Edhe pse ishte paralajmëruar rikthimi i kësaj njësie në funksion dy ditë më herët, kjo nuk ka ndodhur, edhe pse KEK-u po bën të pamundurën për të rikthyer në funksion bllokun B1.

“Nga KEK jemi informuar që janë duke bërë të pamundurën që të kthejnë njësinë B1 në prodhim sot në mesnatë, edhe pse ishte e planifikuar që kjo njësi të kthehej fillimisht të shtunën në mbrëmje dhe më pastaj edhe dje në mbrëmje” thuhet në komunikatën e dërguar nga KEDS.

Për furnizim normal me energji elektrike,thonë se po bëjnë përpjekje për importim.

“Edhe njëherë, edhe pse ligjërisht nuk është përgjegjësi e operatorit të furnizimit (KESCO) të mbulojë mungesën e paplanifikuar të energjisë elektrike gjatë ditës , ne jemi duke bërë të pamundurën të sigurojmë energji të mjaftueshme për furnizim”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Sipas KEDS, Kosova gjatë këtyre ditëve po përballet me mungesë të madhe të energjisë elektrike, duke shtuar se kjo paraqet problem edhe për anëtarësimin e kësaj kompanie me të drejta të plota në organizatën ENTSO, pasi sipas tyre këto probleme madhore ndikojnë jashtëzakonisht negativisht në performancën e kompanisë.

KEDS njofton se po behën të gjitha përpjekjet për kthimin e këtij blloku në punë dhe për të filluar normalizimin e furnizimit me energji në të gjithë vendin.