Basha i reagon Ramës: Kryehajduti kërkon skutave për shkresa të pavlera

  • 20 September 2018 - 14:25
Basha i reagon Ramës: Kryehajduti kërkon skutave për shkresa të pavlera

Pas akuzave të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Kuvend, se Lulzim Basha kishte privatizuar teatrin “Metropol”, ka reaguar kreu demokrat.

“Kryehajduti kërkon skutave për shkresa të pavlera. Teatri i Metropolit është aty! Kinema 17 Nëntorin, Kinema Republikën, kinema Partizanin, kinema Ali Demin, i ka shkatërruar Rama dhe ka ndërtuar pallate”, shkroi Basha në “Twitter”.

Kryeministri Rama, në fjalën e tij sot në Kuvend tha se opozita po bën një përpjekje hipokrite për të mbrojtur teatrin.

“Këtu më nxori një shkresë e Florion Mimës që ia dërgon Lulzim Bashës kur ishte kryetar i Bashkisë, kërkoi privatizimin e teatrit Metropol, në llogari të deputetit Astrit Veliaj. Kërkuan privatizimin për të ndërtuar pallat me dyqane dhe me dhoma gjumi. Estrada është domen ekskluzive e PD dhe e drejta legjitime e Bashës, e Mimës, që për estradën të kenë fjalën e fundit, por në rastin konkret jemi përpara një shembulli që ballafaqojnë fytyrën e tyre të vërtetë. Ajo godinë nuk mund të quhet teatër dhe as monument kulture. Ne do ta kthejmë në një teatër më të bukur dhe më modern të rajonit”, tha Rama.

(Kosova Sot)