QARRI:THAÇI ËSHTË BËRË SHUMË BAJAT I KANË MBARUAR TË GJITHA "ARGUMENTET" E RREJSHME E MASHTRUESE

  • 20 September 2018 - 15:04
QARRI:THAÇI ËSHTË BËRË SHUMË BAJAT I KANË MBARUAR TË GJITHA
 Analisti politik Gani Qarri thotë se për vetë faktin se Kosova përkundër Serbisë si shtet presidencial kjo është Republikë parlamentare, Hashim Thaçi qoftë edhe vetëm me përfshirjen e tij në bisedimet me presidentin e Serbisë, pa autorizimin e Kuvendit, ka bërë shkelje kushtetuese, ngase ai nuk ka mandat për një veprim të tillë. "Megjithatë, sikur mos të mjaftonte kjo, presidenti aktual i shantazhuar i shtetit, kuislingu Hashim Thaçi, javët e fundit ka filluar të flasë hapur dhe as që po e fsheh më faktin, si deri më tani, në dhjetëra takime me mikun e tij, Vuçiq, e ka shoshitur gjerë e gjatë, pikërisht idenë e shkëmbimit të territoreve, edhe pse kjo është e ndaluar me Kushtetutën e Republikës se Kosovës dhe betimin presidencial. Madje Kosova as nuk ka nevojë për ngut që të bëjë një marrëveshje të shpejtë e të dëmshme me Serbinë, ndërsa kjo e fundit është e detyruar ta arrijë një marrëveshje obligative me vendin tonë dhe ta njohë Kosovën shtet të pavarur e sovran, nëse dëshiron të ecë përpara drejt BE-së", u shpreh ai."Ndaj është koha e fundit që t'i këputen "drutë" shkurt, abrogohen të gjitha kompetencat ligjore e kushtetuese dhe të mos merret më seriozisht as dëgjohen më tej "pallavrat" banale të kuislingut Thaçi, i cili vërtet është bërë shumë bajat dhe i kanë mbaruar të gjitha "argumentet" e rrejshme e mashtruese. Për aq më tepër, duhet të reagojë edhe vetë Gjykata Kushtetuese dhe të dalë me komunikatë publike, se a është shkelje e Kushtetutës, marrëzia që e bën për çdo ditë presidenti aktual", vlerësoi Qarri. "Për çudi, është bërë e pakuptueshme se si edhe opozita po heziton të marrë çfarëdo veprimi konkret në drejtim të Gjykatës Kushtetuese, për ta ndaluar misionin armiqësor të Vuçiqit në shkatërrimin e shtetit të Kosovës, në të cilin mision ai po ndihmohet e mbështetet nga vetë kreu i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe agjentet e tij të UDB-së, si miq të pandarë të Vuçiqit dhe Thaçit, përderisa Vuçiqi vetë viziton shtete të mëdha, ku po merr garanci miliardësh për investime në Serbi", tha Gani Qarri për "Kosova Sot"