Kriza me migrantë: Zeman përmend Kosovën

  • 31 August 2015 - 19:04
Kriza me migrantë: Zeman përmend Kosovën

Presidenti i Çekisë, Millosh Zeman, ka folur për pikëpamjet e tij ndaj migrimit të dhjetëra-mijëra njerzëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika në vendet e Bashkimit Evropian.

Në një intervistë për radion çeke, Frekvence 1, Zeman ka thënë:

“Besoj se shumica e migrantëve janë migrantë ekonomikë. Këtë bindje e bazoj në faktin se migrantët që kanë ardhur në vendin tonë, kanë ardhur nga vende ku nuk ka luftëra, si Eritrea, Senegali, Kosova, Pakistani e kështu me radhë. Andaj, dyshoj shumë se këta njerëz, siç e kam thënë tashmë, janë të gatshëm të punojnë në vendin tonë”, ka thënë Zeman.

“Mendoj se zgjidhja më e mirë do të ishte që Bashkimi Evropian të mbronte kufijtë e tij. Por, për fat të keq, Frontex (agjencia kufitare e BE-së) që supozohet se duhet të mbrojë kufijtë, është krejtësisht e pafuqishme”, ka shtuar Zeman.

Mijëra migrantë që ikin nga vatrat e luftës dhe varfëria, arrijnë në ishujt grekë, kalojnë kufirin me Maqedoninë, për të arritur në Serbi dhe nga aty në Hungari dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian, transmeton Rel.