Veterani i luftës së Kosovës kthehet në Amerikë 8 vjet pas deportimit në Meksikë

  • 20 September 2018 - 16:02
Veterani i luftës së Kosovës kthehet në Amerikë 8 vjet pas deportimit në Meksikë

Fabian Robelledo një emigrant meksikan që kishte shërbyer për forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë luftës së fundit në Kosovë, pas tetë vitesh përpjekje e lutjesh është rikthyer në SHBA dhe është bashkuar me familjen e tij, transmeton Gazeta Express.

Ai ishte deportuar nga Amerika në vitin 2010 për në Meksikë pas disa problemeve që kishte pasur me ligjin.

Meksikani gjatë ushtrimit të detyrës së tij në Kosovë kishte pasur punën më të vështirë. Ai ishte caktuar për të grumbulluar kufomat e njerëzve të cilët ishin masakruar nga regjimi gjenocidal i Sllobodan Millosheviqit.

E pas kthimit nga shërbimi ushtarak në Kosovë, Robelledo ishte përballuar me çrregullime të stresit-post traumatik nga ajo se çfarë kishte parë gjatë luftës në Kosovë.

Robelledo duke grumbulluar kufomat e njerëzve të masakruar në Kosovë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit

Ndërkohë ishte bërë i varur edhe nga alkooli. Kjo bëri që ai të kryente disa vepra të ndryshme kundërligjorë, duke shtyrë shtetin amerikan që ta dëbonte.

Robelledo siç shkruan agjencia e lajmeve EFE kishte qenë një prej ushtarëve më të shquar gjatë kohës që kishte shërbyer në Kosovë.

E pas fitimit të kësaj beteje për t’u rikthyer në SHBA, Robelledo thotë se përpjekja e tij ishte një luftë shumë e madhe.

“Kjo ka qenë një luftë e madhe, ishte e vështirë për të pritur dhe për ta fituar betejën sepse unë kam një djalë dhe një familje e cila ka nevojë për mua”, ka thënë 42 vjeçari nga qyteti meksikan i Guerrerors për EFE.

Në Meksikë ai rrëfen se për gjashtë vite rresht kishte bërë një jetë të vështirë, duke jetuar në një strehimore me kushte jashtëzakonisht të këqija.

Fabian Robelledo pask kthimit në shtëpi, kishte veshur përsëri uniformën e ushtarit dhe shihej shumë i lumtur me familjarët e tij.


(Kosova Sot)