Spanja tashmë po përgatit njohjen diplomatike të Kosovës

  • 20 September 2018 - 16:54
Spanja tashmë po përgatit njohjen diplomatike të Kosovës

Sipas një webfaqe spanjolle, në zyrën e ministrit të Jashtëm, Josep Borrell, kanë arritur tashmë disa raporte për procesin e bisedimeve në nivelin më të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas të cilave këto bisedime do të përfundojnë me një marrëveshje historike brenda katër deri në gjashtë muaj.

Dhe siç shkruan moncloa, nëse ka “tym të bardhë” në Ballkan, Spanja do të kryejë njohjen diplomatike të Kosovës.

“Burime diplomatike të mediumit theksojnë se një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do t’i japë fund argumentit se shkëputja e këtij territori në shkurt të vitit 2008 nuk ishte e mbuluar nga e drejta ndërkombëtare. Nëse po, Spanja shpejt do ta njohë Kosovën”, shkruan moncloa.com.

Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian – së bashku me Rumaninë, Sllovakinë, Greqinë dhe Qipron – që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, që ndodhi një dekadë më parë. Kosovën nuk e ka njohur as Bosnja fqinje, e cila ende nuk është pjesë e BE-së.

 

(Kosova Sot)