Beqiri: LDK'ja do t’i votojë projektligjet për transformimin e FSK'së

  • 20 September 2018 - 19:37
Beqiri: LDK'ja do t’i votojë projektligjet për transformimin e FSK'së

Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, tha para gazetarëve se partia të cilës ai i takon do ta japë votën pro, kur projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të miratuara në Qeveri, të vijnë në seancë të Kuvendit.

“Deri më tani ka qenë që duhet të ketë ndryshime kushtetuese, shpresojmë që kjo do të ndryshojë, e nëse vijnë ligjet në Kuvend, LDK-ja e ka qëndrimin e qartë që do t’i votojë, do t’i përkrahë këto ligje”, tha në mes të tjerash Ismet Beqiri.

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës i miratoi tri projektligje për FSK-në, Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, pProjektligjin për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i ka ftuar në takim kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë për të diskutuar për çështjet e fundit politike.

 

(Kosova Sot)