Ish-rektori i UP'së, Hasani, padit rektorin Dema për tri vepra penale

  • 20 September 2018 - 20:47
Ish-rektori i UP'së, Hasani, padit rektorin Dema për tri vepra penale

Ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, ka ngritur kallëzim penal ndaj rektorit aktual, Marjan Dema, për tri vepra penale.

Sipas Hasanit, Dema kishte dhënë dëshmi të rrejshme në gjykatë se gjoja Hasani e kishte ditur se është ndryshuar kontrata për “Përkthim të librave nga gjuha angleze në gjuhën Shqipe, për nevoja të UP-së.

Në kallëzim penal, Hasani akuzon shefin e prokurimit, Hakif Veliu, se me insistimin e drejtorit të Institutit kishte bërë ndryshime në nenin 17 të kontratës, duke ndryshuar mënyrën e pagesës në vend të çmimit 12.65 euro për 1000 fjalë, në 12.65 euro për 1000 karaktere.

Për këtë ndryshim Hasani thotë se Dema, i cili në atë kohë ishte prorektor për financa, kishte qenë në dijeni, por nuk kishte raportuar.

Ndërsa, në procesin gjyqësor kundër Enver Hasanit, Dema kishte shkuar vullnetarisht për dëshmuar se gjoja Hasani kishte njohuri për këtë ndryshim të nenit, duke deklaruar kundër tij.

Hasani dyshon se vullnetarizmi i Demës për të deklaruar në gjykatë, vjen pasi Demës një javë më parë ia kishin mbyllur rastin e Granitit, ku flitej për qindra-mijëra euro dallavere.

Ndërsa, rektori Dema qëndron pas deklaratës që ka dhënë në gjykatë. Dema thotë se këto akuza po bëhen vetëm për t’ia prishur imazhin atij dhe universitetit, por do të qëndrojë i fortë vetëm që t’i shërbejë UP-së ashtu siç thotë se e meriton.

 

(Kosova Sot)