Thaçi: Kam bindjen që do ta jetësojmë bashkimin e Kosovës

  • 20 September 2018 - 21:39
Thaçi: Kam bindjen që do ta jetësojmë bashkimin e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur bindjen dhe besimin e tij se do të jetësohet kërkesa e liderëve të Luginës së Preshevës, që t’i bashkohen Kosovës.

Ai në një intervistë për “Vizion Plus”, ka thënë se do të gjejnë një mundësi, do të gjejnë një zgjidhje, që do të jetë e akceptueshme edhe në Beograd, që qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, t’i bashkëngjiten Kosovës, duke u shprehur “Kam bindjen që do ta jetësojmë”.

Thaçi ka thënë se tëre procesi është duke u udhëhequr nga Bashkimi Evropian, dhe i mbështetur shumë fuqishëm nga SHBA-të, ndërsa pohoi se çdo ditë është duke iu drejtuar qytetarëve të Kosovës dhe se është shumë transparent.

“Objektiva ime është bashkëngjitja e kësaj pjese me Kosovën. Presidenti Thaçi është kundër ndarjes së Kosovës. Unë nuk do të lejoj. Jam kundër një Asociacioni me kompetenca ekskluzive, por edhe kundër ndarjes së territorit”, tha ai dhe shtoi se ky qëndrim është shumë mirë i analizuar, i studiuar dhe është qëndrim i Presidentit të Republikës së Kosovës.

Ai tha se dialogun e mbështesin SHBA-të, BE-ja, po ashtu edhe shtete e rajonit, si Mali i Zi dhe Maqedonia, të cilën përkrahje e ka marrë gjatë vizitës së fundit në këto dy vende.

 

(Kosova Sot)