Policia franceze, konfiskon 20 tonë “Kulla Eiffel”

  • 20 September 2018 - 23:13
Policia franceze, konfiskon 20 tonë “Kulla Eiffel”

Policia franceze ka konfiskuar 20 tonë kulla Eiffel në miniaturë në një operacion kundër tregtisë së paligjshme të suvenirëve në Paris.

Nëntë persona, mes të cilëve shitës dhe ndërmjetës, janë marrë në pyetje dhe mund të përballen me procese gjyqësore pas një hetimi mbi tregun e zi në kryeqytetin francez.

Nën kullën Eiffel apo në parqet afër muzeve si Luvri, dhjetëra persona rregullisht u shesin kulla Eiffel në miniaturë turistëve. Suveniret, nga varëse çelësash e deri tek dekorime të ndryshme, mund të shiten nga 1 deri në pesë apo 10 euro për modelet më të mëdha. 

Por, ata që shesin kullat Eiffel në miniaturë, janë shpesh emigrantë që përpiqen ti shpëtojnë kontrolleve të policisë.

Imazhet e njerëzve të tmerruar që me shpejtësi mbledhin gjithçka kanë dhe largohen duke i bërë turistët të habiten, janë të zakonshme përreth atraksioneve më të mëdha të Parisit.
Këtë javë, një hetim në të cilin përfshiheshin edhe autoritetet franceze të emigracionit, çoi në kontrolle në disa magazina që importonin kullat Eiffel dhe furnizonin një rrjet shitësish në Paris. Më shumë se 1 mijë kuti, me mbi 20 tonë kulla në miniaturë janë konfiskuar dhe malli kap vlerën e 800 mijë eurove.

 

(Kosova Sot)