Jakup Krasniqi i sugjeron Ramush Haradinajt të japë dorëheqje

  • 20 September 2018 - 23:44
Jakup Krasniqi i sugjeron Ramush Haradinajt të japë dorëheqje

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se po të ishte në vend të kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, do të ofronte dorëheqje.

“Prej fillimit kam thënë që nuk jam i gatshëm me këtë formë qeverisje. Jo veç pse është Ramushi po edhe vetë të isha në këtë pozicion do ta thosha të njëjtën gjë. Absolutisht, po. Nuk qeveriset nëse problemet shtohen çdo dite dhe vendimet nuk janë kurrkund. Qeveria është me zgjedh probleme”, ka thënë ai.

Krasniqi, tash kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, ka thënë po ashtu se opozita nuk është serioze në kërkesën për zgjedhje.

Sipas tij, ata kanë më shumë probleme brenda vetes se sa karshi pushtetit.

Ai përmendi mandatin e kaluar duke thënë se ndonëse me numër të kufizuar, opozita ishte më e bashkuar.

“Opozita s’është e bashkuar. Është fat i keq por një opozitë të bashkuar e kemi pasë vetëm në mandatin e kaluar edhe ka pasë numra të kufizuar. Opozita sot ka më shumë probleme mes vete se sa me pozitën. Opozita duhet ta ketë të qartë dhe duhet të bëj një komunikim edhe me këta që janë në qeveri sepse edhe këta të këtij vendi janë. Mendoj që nuk janë serioz dhe nuk janë të gatshëm të shkojnë në zgjedhje për shkak të kalkulimeve që i bëjnë, edhe pse numerikisht është më e madhe nuk është e bashkuar dhe nuk është gatshme të shkoj në zgjedhje”, ka thënë ai.

 

(Kosova Sot)