Dialogu, si demarkacioni, kauza e re që na çon në zgjedhje

  • 21 September 2018 - 07:46
Dialogu, si demarkacioni, kauza e re që na çon në zgjedhje
Zeqa: Me një klasë politike të përçarë, Hashim Thaçi më lehtë do t'ia mundësojë Serbisë që të sigurojë anëtarësimin në BE më 2025, me çka Kosova do t`ia falë gati 1/3 e territorit të vet, bashkë me 'Trepçën' e Ujmanin, në këmbim për 3-4 katunde në Luginën e Preshevës

"Sipas të gjitha gjasave, edhe dialogu aktual me Serbinë, njëjtë sikurse demarkacioni i para pak më shumë se një viti me Malin e Zi, pritet të shndërrohet në kauzën opozitare për ta çuar vendin në zgjedhje, vetëm e vetëm që të vijë opozita në pushtet. Ky rrotacion planifikohet, sidomos pas tensionimit të pritshëm të situatës përmes protestave nga VV-ja dhe vazhdimit të bojkotit të Kuvendit nga LDK-ja, përderisa PSD-ja e Shpend Ahmetit, si patericë e dëshmuar e Devollëve dhe pushtetit qendror, e joshur rrejshëm edhe nga Kadri Veseli, se mund të bëhen pjesë e pushtetit aktual, vazhdon të mashtrojë se gjoja është opozitë, por realisht është bërë partneri më i besueshëm i partive në koalicion qeveritar", thotë analisti Gani Qarri për "Kosova Sot

" Duke analizuar dhe duke vëzhguar ecurinë e zhvillimeve të fundit politike në vend, të cilat janë pasojë e bisedimeve ThaçiVuçiq me idenë e shkëmbimit të territoreve, kundër së cilave pozita dhe opozita nuk po mund të bashkohen për të gjetur një gjuhë të përbashkët të ndërtimit të platformës së bisedimeve dhe për të ndaluar presidentin së bashku me ekipin e tij që të futet në marrëveshje të dëmshme për vendin, analistët dhe qytetarët e shohin rrezikun e mundësisë së mashtrimit të radhës nga politika dhe që kjo temë, pra dialogu, të shndërrohet ashtu sikur edhe demarkacioni, në kauzën opozitare për ta çuar vendin në zgjedhje vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet. Opozita, pikë e pesë Edhe analisti tjetër politik, Reshat Badallaj, thotë se eskalimi i krizës dhe imponimi i zgjedhjeve të reja do të jetë i pashmangshëm nëse Hashim Thaçi nuk tërhiqet në momentin e duhur nga agjenda antishtetërore, dhe nëse subjektet politike, pozitë dhe opozitë, nuk ndërtojnë platformë, e cila e ndalon atë të bëjë pazare me Vuçiqin. "Në qoftë se vazhdon kjo retorikë boshe e matrapazit të Brojës dhe bandave politike, që i çojnë selam njëritjetrit, nuk ka zgjidhje tjetër, pos shkuarjes në zgjedhje për ta kapur shtetin. Mirëpo, duhet ditur këta matrapazë se sa i kushtojnë buxhetit të shtetit. Për këto banda dhe matrapazë me rëndësi ka që të plaçkitin buxhetin e shtetit,si thonë asaj fjalës:'Ujku do mjegull'. Personalisht mendoj se pranvera do të ishte rasti më i mirë për ta rrëzuar përtokë këtë bandë që po e qeveris vendin, se për momenti nuk është populli i përgatitur, sepse domosdoshmërish kjo bandë udhëheqëse hajdute e klaneve të mafio-oligarkëve duhet të shkojë në theqafje pa më të voglin dyshim dhe rrugë tjetër nuk ka", theksoi Badallaj. Mirëpo, sipas tij, aktualisht opozita nuk është si duhet e organizuar, sado që me numrat në letër është madje me vota shqiptare më e madhe se koalicioni qeverisës, dhe kjo është një fatkeqësi për fatin e vendit. "Tani për tani opozitën e shoh të vdekur, ta zëmë PSD-ja e Shpend Jahtit do të bëjë vetëm sherr dhe hile, dhe a e dini se këtë grupacion matrapazësh, banda serbiane DEVOLLI e ngre për veshi dhe e afron te klani mafioz 'PRONTO'. Pra, ky grupacion do të fusë sherr dhe hile për të çuar ujë në mullirin e bandave qeveritare që janë tani në pushtet, sepse, edhe pse këta nuk kanë tani takat dhe do humbin, mjafton të fusin përçarje, sepse këtë e ka dëshmuar Shpend Jahti përmes bandës serbiane DEVOLLI dhe klanit famëzi 'Pronto'", tha Badallaj për "Kosova Sot".

QARRI: THAÇI ME KLIKËN E TIJ PO IA MUNDËSOJNË ME ÇDO KUSHT SERBISË QË TË SIGUROJË EDHE ANËTARËSIMIN NË BE NË VITIN 2025
Sipas analistit politik Gani Qarri, në mungesë të liderëve të njëmendtë vendorë dhe elitave të sinqerta politike, në Kosovë ka disa vjet që vetëm kauzat e rrejshme janë bërë model dhe metodë e përshtatshme për ndërrimin e pushteteve. Një skenar i tillë, sipas Qarrit, ka rrezik të ndodhë edhe tani me temën e bisedimeve. "Kështu që, sipas të gjitha gjasave, edhe dialogu aktual me Serbinë, njëjtë sikurse demarkacioni i para pak më shumë se një viti me Malin e Zi, pritet të shndërrohet në kauzën opozitare për ta çuar vendin në zgjedhje, vetëm e vetëm që të vijë opozita në pushtet. Ky rrotacion planifikohet sidomos pas tensionimit të pritshëm të situatës përmes protestave nga VV-ja dhe vazhdimit të bojkotit të Kuvendit nga LDK-ja, përderisa PSD-ja e Shpend Ahmetit si patericë e dëshmuar e Devollëve dhe pushtetit qendror, e joshur rrejshëm edhe nga Kadri Veseli, se mund të bëhen pjesë e pushtetit aktual, vazhdon të mashtrojë se gjoja është opozitë, por realisht është bërë partneri më i besueshëm i partive në koalicion qeveritar", theksoi ai për "Kosova Sot" Sipas Qarrit, edhe nëse situata imponon shpërbërjen e Kuvendit, dhe shkuarjen në zgjedhje të reja, kjo shpërbërje nuk do të duhej bërë pa një vendim të fuqishëm të legjislaturës së tanishme që ndalon presidentin për të vazhduar bisedimet dhe arritjen e marrëveshjeve në dëm të Kosovës. "Përndryshe në gjendjen e krijuar, kur edhe Kuvendi është vënë në pozitë 'PAT'-i, dhe nuk do të ketë mundësi ta kalojë asnjë ligj, apo marrë as edhe një vendim, që në këto çaste do të ishte kyç për t'ia ndalë hovin Thaçit, i cili me paratë kosovare është duke paguar kompani lobimi për ta shtyrë idenë e tij të këmbimit e korrigjimit të dëmshëm territorial të Kosovës, deri në fund, për zgjidhjen e ngërçit të krijuar politik, do të ishte më mirë që të shkohet sa më parë në zgjedhje të reja dhe të prishet tërësisht ky konstelacion asnjërës politik, ku lista serbe mbetet faktori vendimtar, për çdo votim parlamentar në Kuvendin e Kosovës", ka shpjeguar Qarri. "Në mënyrë që të mos i hapet rruga kuislingut Hashim Thaçi, që me Kuvendin e shpërndarë, e pa vija të kuqe,ai edhe më shumë dhe pa asnjë kontroll, t'i 'grahë' ashtu siç ia merr mendja atij, për të çuar përpara idetë e Vuçiqit për ndarjen e Kosovës dhe përveç ndarjes së Kosovës,Thaçi me klikën e tij t'ia mundësojë me çdo kusht Serbisë që ajo të sigurojë edhe anëtarësimin në BE më 2025, duke futur Kosovën edhe nën detyrime ndërkombëtare, që të merrte mbi vete obligimin për faljen e gati 1/3-s, së territorit të vet ,bashkë me 'Trepçën' e Ujmanin, në këmbim të tri-katër katundeve të Preshevës, partitë politike paraprakisht duhet të marrin një vendim, që ia ndalon Thaçit dhe klikës së tij bisedimet me Serbinë, përderisa të mos përfundojnë zgjedhjet e reja dhe të krijohet Kuvendi i ri i Kosovës, i cili do të vendoste për personat dhe grupin që do të përfaqësonte Kosovën si dhe mënyrën e zhvillimit, por vetëm me një projekt-plan paraprak, të bisedimeve të mëtejme me Serbinë", ka thënë analisti politik Gani Qarri për "Kosova Sot".

GURAZIU: VUÇIQ IA KA TURBULLUAR MENDJEN THAÇIT DHE SË BASHKU PO VIZATOJNË PLANE PËR NDARJEN E KOSOVËS Veprim të koordinuar parandalues kundër pazareve të Thaçit me Vuçiqin, para se të shpërbëhet eventualisht Kuvendi, kërkon edhe analisti Ragip Guraziu."Të gjithë e kemi të njohur që Hashim Thaçi po paguan edhe kompani për lobim me paratë e taksapagueseve, për ngritjen e imazhit të tij të rrejshëm personal, derisa homologu i tij, Vuçiq, po lobon për ndarjen e Kosovës. Ky është rrezik serioz, i cili i kanoset shtetit nga sjelljet e papërgjegjshme të klasës në pushtet. Po aq e papërgjegjshme në këtë situatë po sillet dhe dëshmohet edhe opozita, e cila po shihet se nuk do të ketë atë fuqinë e duhur që të STOPOJË Thaçin njëherë e përgjithmonë nga ortaku, bashkëpunëtori i tij, Vuçiq, që ia ka turbulluar mendjen Thaçit dhe së bashku të dy këta me ndihmën e bashkëpunëtorëve t'i quajë ashtu laikë shqiptarë, ndër ta edhe kryeministri Edi Rama, të cilit po ia ka ëndja t'i futë duart në këtë lëmsh dhe që të gjithë së bashku po vizatojnë plane për ndarjen e Kosovë", vlerësoi ai. Sipas tij, ekziston rreziku serioz që edhe dialogu me Serbinë, ashtu sikur edhe demarkacioni me Malin e Zi në të kaluarën, të shndërrohet në kauzën opozitare për ta çuar vendin në zgjedhje vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet.

ZEQA: PËR PSD-NË E SHPEND AHMETIT AS QË IA VLEN PËR TË DISKUTUAR, ËSHTË FILIAL I VËLLEZËRVE DEVOLLI DHE PATERICË E PUSHTETIT QENDROR
Analisti politik, Florim Zeqa, konsideron se tashmë veç kanë filluar të vërehen shenjat e para të kauzës opozitare për ta çuar vendin në zgjedhje, duke e përdorur dialogun si pretekst për tensionimin e situatës."Ndarja e opozitës në dysh lidhur me strategjinë e veprimeve, përkatësisht pozicionimi i VV-së për mbajtjen e protestave dhe 'bojkoti' i Kuvendit nga ana e LDK-së e dëshmon akoma më shumë atë që ceka më sipër, se partitë opozitare më shumë janë të interesuara për marrjen e pushtetit sesa për mbrojtjen e shtetit. Për PSD-në e Shpend Ahmetit as që ia vlen për të diskutuar, si filial e vëllezërve Devolli dhe patericë e pushtetit qendror, vetëm deklarohet si opozitë, ndërsa në fakt është partneri më i besueshëm i partive në koalicion qeveritar. Sikur opozita të ishte e bashkuar, partnerët e koalicionit qeverisës me vetëm 52 deputetë do të silleshin me më përgjegjësi ndaj Kuvendit dhe zhvillimeve politike në përgjithësi", u shpreh ai. "Kthimi i përkohshëm i opozitës në Kuvend kinse për votimin e dy marrëveshjeve të rëndësishme për vendin, më tepër ka të bëjë me nënshkrimin në prapavijë të një ligji që ua garanton deputetëve të Kuvendit rritjen e pagave prej 500 eurove në muaj. Për fat të keq, ky është ideali dhe patriotizmi i deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Republikën e Kosovës", vlerësoi Zeqa për "Kosova Sot". "Me një opozitë të tillë, që i hyn në grusht Thaçit, Veselit dhe Haradinajt për interesa personale, jo vetëm që nuk do të ndalet dialogu me Serbinë, por vendi ynë rrezikon të ndahet në shumë 'banovina'! Me ose pa shpërndarjen e Kuvendit, me një opozitë të përçarë, Hashim Thaçit i hapet rruga pa vija të kuqe, që edhe më shumë t'i 'grahë' ashtu siç ia merr mendja atij e Vuçiqit, pa asnjë kontroll nga askush, për të çuar përpara idetë e Vuçiqit për ndarjen e Kosovës. Me një klasë politike të përçarë, Hashim Thaçi më lehtë do t'ia mundësojë Serbisë që të sigurojë anëtarësimin në BE më 2025, me çka Kosova do ta merrte mbi vete obligimin që ta falë gati 1/3 e territorit të vet, bashkë me 'Trepçën' e Ujmanin, në këmbim për trikatër katunde apo lagje në Luginën e Preshevës", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot".

KELMENDI: HASHIM THAÇI PO PAGUAN EDHE KOMPANI LOBIMI ME PARATË E TAKSAPAGUESEVE, PËR NGRITJEN E IMAZHIT TË TIJ TË RREJSHËM PERSONAL, DERISA HOMOLOGU I TIJ, VUÇIQ, PO LOBON PËR NDARJEN E KOSOVËS
Prof. Muhamet Kelmendi i ka thënë gazetës se gjithçka që diskutohet për Kosovën dhe në raport me shtetin e Serbisë duhet të jetë mirë e koordinuar dhe e harmonizuar me shtetin më të fuqishëm në botë, SHBA-në, që janë edhe sponsorizuesi kryesor i shtetit të Kosovës në luftë dhe në paqe. Ai shton se kriza në Kuvend mund ta çojë vendin në zgjedhje dhe veç krizës në Kuvend edhe protestat si mjet demokratik mund të përdoren për ta rritur presionin ndaj institucioneve të kapura dhe joserioze. Sidoqoftë, interesi nacional duhet të jetë mbi të gjitha sipas Kelmendit. "Kuvendi i Kosovës ka kohë që është jofunksional. Kjo për faktin se pozita nuk e ka shumicën parlamentare, sikurse edhe opozita që nuk ka po ashtu shumicën për të mundur për të shkuar në zgjedhje të reja. Pozita me gjendjen që e ka mund të qeverisë, por pa shumicë nuk mundë të ushtrojë kompetencat e veta në fushën legjislative dhe gjyqësore, sepse nuk është organi ligjvënës funksional, përkatësisht Kuvendi për të vendosur. Me këtë krijohet edhe një gjendje ku organet e pushtetit, si Presidenti, Qeveria e Kosovës dhe organet e tjera, iu mundësohet një jetë e pakontrolluar dhe tejet e pavarur. Kështu, z.Thaçi, si President, mund të veprojë sipas dëshirës. Ka mundësi të zhvillojë diskutime dhe të përfaqësojë vendin apo të lidhë edhe marrëveshje tipikisht joligjore. Këtë e ka nga Kushtetuta. Ndërsa, organi për të kontrolluar atë, si Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese, nuk funksionojnë për të mundur që ta ndalojnë z.Thaçi nga rruga e rrezikshme dhe tepër antishtetërore", tha Kelmendi për "Kosova Sot". Muhamet Kelmendi thotë se të gjitha subjektet politike duhet t'i bëjnë presion më të madh Hashim Thaçit dhe ai ta thotë të vërtetën se ku qëndron SHBA-ja në idenë e tij për shkëmbim territoresh. "Z.Thaçi duhet t'i tregojë Kuvendit dhe popullit se ku qëndron SHBA-ja! A është SHBA-ja për korrigjim të kufijve dhe çka mendon miku ynë strategjik të korrigjohet! Këto janë çështje shumë të ndjeshme dhe si të tilla pa SHBAnë kurrë Kosova nuk do të dalë fituese. Pra, nëse SHBA-ja nuk është me Kosovën dhe me korrigjim të kufijve, por kjo është iniciativë e z.Thaçi,jam tërësisht kundër.Këtu asgjë e mirë nuk bëhet nëse nuk është me mbështetjen e SHBA-së.Tamam ndahet dhe shkatërrohet Republika e Kosovës",tha prof.Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

Qytetarët në alarm
Qytetarët e anketuar nga gazeta nuk dëshirojnë që të përsëritet edhe këtë herë skenari i kundërshtimit të demarkacionit me Malin e Zi, temë kjo që u bë vetëm kauzë e rrejshme politike për pushtet. "Për mua rruga më e mirë është që subjektet tona politike të ulen në një vend dhe ta bëjnë një platformë të përbashkët nga e cila nuk duhet dhe nuk do të lejohet të lëvizë askush, që askush të mos ketë kompetencë për ta tejkaluar atë. Pra, duhet të hartohet shumë mirë një kornizë për bisedime, se çka duhet të kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare në raport me Serbinë, çfarë obligimesh duhet të marrë Serbia, paralelisht sikur që po i kërkon të drejtat për pakicën e vet etnike këtu në Kosovë, që ia kemi siguruar të gjitha të drejtat, në të njëjtën mënyrë reciproke duhet të kërkojmë që edhe Serbia t'u japë të drejtat shqiptarëve në Preshevë në Medvegjë e në Bujanoc, dhe kjo vlen për çdo shtet demokratik në Evropë dhe jo vetëm për Serbinë, prandaj duhet të përjashtohet nga bisedimet çdo tentativë dhe ide për ndryshim dhe shkëmbim të territoreve. Kushdo që ikën nga ky parim i përgjithshëm i të drejtës ndërkombëtare, atëherë atë nuk mund ta quajmë shtet demokratik, por shtet diktatorial", tha Vesel Veseli për "Kosova Sot". Edhe qytetari Zijadin Havolli tha për "Kosova Sot" se tanimë Kosovën e sheh në një gjendje jo të mirë me këtë klasë politike joserioze që po udhëheq me shtetin, sidomos me hapjen e temës së bisedimeve dhe idenë e ndryshimit të kufijve me Serbinë në dëm të Kosovës. "Ky është një rrezik i madh që na bënë të jemi të shqetësuar se si do të vijë fundi. Nëse jemi unikë çdo gjë mund të zgjidhet, por nëse mbetemi të shpartalluar në këtë mënyrë do ta pësojmë keq si shtet dhe si qytetarë, do ta pësojë Kosova, duke lënë një imazh të keq edhe ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë në Evropë dhe në SHBA. Unë jam njeri që fillimisht e respektoj vijën institucionale si mjet të zgjidhjes së të gjitha problemeve, por nëse keqësohet situata dhe nuk funksionon kjo zgjidhje, atëherë edhe rruga duhet të përdoret si mjet i fundit i zgjidhjes, sepse më nuk na mbetet se çka të presim", theksoi Havolli për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)