Dy dekada zhvatje miliardëshe mbi kurrizin e kosovarëve të varfër

  • 21 September 2018 - 07:52
Dy dekada zhvatje miliardëshe mbi kurrizin e kosovarëve të varfër
Të gjitha qeveritë dhe partitë e rrënuan shpresën për shtet normal 

"Partitë kanë përfituar nga tenderët publikë, kanë kontroll mbi të gjitha dikasteret profitabile, duke punësuar vetëm familjarët. Qytetari i ka përcjellë të gjitha këto dukuri poshtëruse si gënjehet, blihet e mbahet elektorati për 19 vjet rresht vetëm për të mbijetuar në politikë dhe ta forcojë pushtetin, për të administruar si të duan për zhvatje dhe plaçkitje në kurriz të shoqërisë", u shpreh Ali Hertica për gazetën "Kosova Sot"

Ndërrimi i shumë qeverive që nga paslufta e deri më sot që ka ndodhur në Kosovë ka dëshmuar se kjo klasë politike në Kosovë dinë vetëm si të zhvatet buxheti, si mbështeten bastionet, si punësohen militantët e familjarët, si tregtohet me ndërmarrjet publike e me ato private, si të pushtohen institucionet e drejtësisë e të arsimit, si të përfitojnë nga tenderët publikë, si ta kanë nën kontroll farmacitë dhe tregtinë me karburante, si të japin e mbajnë monopole kriminale, e shumëçka tjetër. Prandaj analistët vlerësojnë se kjo klasë politike e inkriminuar di se si të gënjehet e mashtrohet, të blihet e mbahet elektorati për 20 vjet rresht dhe më kryesorja si ruhet e forcohet pushteti kriminal. Ndaj sipas analistëve vlerësohet se kjo klasë politike aktuale modelin e abuzimit e ka ngritur në nivel të "kataklizmit" kriminal - institucional. Analisti politik, Ibrahim Kelmendi, për gazetën"Kosova Sot" thotë se nuk është mjeshtri e madhe të bëhesh mashtrues dhe kriminel. "Kusht parësor është të jesh i pakarakter, ta zëmë si Hashim Thaçi, që brenda dite rren shumë herë, pa u skuqur që ia del të kapë poste më të larta shtetërore përmes mashtrimeve e komploteve. Nuk është mjeshtri të sundosh duke mashtruar se ke fituar zgjedhjet dhe prandaj ke të drejtë legale për të qeverisur. Mjafton fillimisht të zhgënjesh

Tenderomania e madhe
Ndërsa eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ali Hertica, për gazetën "Kosova Sot", thotë se kastat politike dinë vetëm të zhvatin buxhetin dhe jo të shtyjnë proceset përpara."Tani në politikën kosovare partitë e mëdha kanë përfituar nga tenderët publikë, kanë kontroll mbi të gjitha dikasteret profitabile, duke punësuar vetëm familjarët. Qytetari i ka përcjellë të gjitha këto dukuri poshtëruese si gënjehet, blihet e mbahet elektorati për 19 vjet rresht vetëm për të mbijetuar në politikë dhe ta forcojë pushtetin, për të administruar si të duan për zhvatje dhe plaçkitje në kurriz të shoqërisë", u shpreh ai."Në rastin e parë, politika shtrembërohet dhe ngrihet në kataklizëm kriminal ekonomik të një politike degraduese të mafisë oligarkike duke punësuar në të gjitha institucionet njerëzit e tyre besnikë për të administruar transformimin e universitetit nga qendra mësimi në qendra përfituese dhe të bixhozit që promovohet si një veprimtari familjare", vijoi më tej Hertica

Nepotizëm dhe klientelizëm
Ndërsa analisti politik, Arsim Haziri, për gazetën"Kosova Sot" thotë se pikërisht pushteti përcillet edhe me punësime e klientelizëm total. "Të gjitha qeverisjet, më konkretisht ato të nivelit qendror gjithnjë kanë aplikuar nepotizmin dhe klientelizmin dhe duke e përditësuar këtë fenomen negativ kanë bërë që të sigurojnë mbështetje të pavullnetshme qytetare. Udhëheqësit e lartë institucional për të qenë të paprekshëm politikisht dhe të paarritshëm institucionalisht këtë metodologji negative e kanë vazhduar gjithnjë e më tej, kjo qasje ka bërë që sot ata të mos pësojnë regres politik në dimensionin nacional", u shpreh ai."Në kushte normale, ku dominimi dhe ndikimi politik nëse s'do të ishte i pranishëm me përgjegjësi të plotë e them se mbështetja e tyre në opinion do të shënonte ulje drastike. Pushteti tek ne, duke e pasur pushtetin, ka arritur për të shmangur mendimin dhe gjykimin e lirë në relacion me figuracionin politik, kjo anomali ose metodë fitimprurëse për politikën ka bërë që sot vendi ynë të mos merr disiplinim masovik", shpjegoi më tej Haziri. Sipas tij, nga kjo qasje sot qytetarët edhe po e kuptojnë neglizhencën e plotë institucionale edhe thuajse s'po mund të ndëshkojnë artikuluesit e saj, pra niveli social gjendet pothuajse në një pamundësi progresive.

POLITIKA E MATERIALIZMIT
"Vendi për të pasur një peizazh funksional politik dhe një garniturë të qëndrueshme profesionale e morale, si pikënisje bazike ta vendosë gjykimin real në funksion, këtu në mënyrë emergjente ta shmangë materializmin si parim", theksoi Arsim Haziri për Kosova Sot

MARIONETAT E BEOGRADIT
"Beogradi përcaktohet për ata që nuk kanë karakter, që i ka të kapur, si marioneta, prandaj ata i katapulton në pushtet, deri edhe në kryeministri dhe në Presidencë. Vetëm po të analizojmë si na është imponuar harambashi Ramush Haradinaj për kryeministër, duke mos pasur as 4 për qind të votave të 1.8 milion qytetarëve me të drejtë vote. Simulimi i arrestimit në Francë, ku duhet të jetë shkuar për t'u dresuar nga DGSE-ja serbofile, urdhri i Beogradit, 5 minuta para 12-shit, të formohet koalicion zgjedhor (Ramushi ishte në Shqipëri dhe e ka befasuar lajmi, 5 para 12, se Kadri Veseli me staf të tij po regjistrohet në Komision zgjedhor si koalicion i 11 partive, ishin mënyrat e komplotimeve, për të kapur pushtetin. Nga këto marioneta e kuislingë, me edukatë familjare të familjeve mjerane, prandaj edhe pa karakter e fisnikëri, pa edukatë cilësore arsimore, pa përvojë pune e menaxhimi, nuk kemi pse të presim qeverisje të mirë, cilësore, me përkushtim, por vetë krime që i përmendem në fillim", u shpreh Ibrahim Kelmendi për "Kosova Sot".

Qytetarët kërkojnë drejtësi
Shumica e qytetarëve janë të zhgënjyer me spektrin politik kosovar të pasluftës. Ismet Saraqi, nga Prishtina, për gazetën "Kosova Sot" tha se të gjitha garniturat qeverisëse të pasluftës kanë dëshmuar se ata asnjëherë nuk kanë menduar që të ulen e të bisedojnë për të ardhmen e vendit, por kanë menduar vetëm për veten e tyre, duke fituar poenë dhe duke menduar se si të zgjidhen e rizgjidhen në poste e pozita prej deputeti apo të funksionari, prej nga mund të pasurohen. "Ata asnjëherë nuk janë kujdesur për shtetin dhe familjen, por për interesat e tyre personale dhe të militantëve partiakë dhe për ata shteti është i fundit. Prandaj, Kosova ka nevojë për një klasë të re politike që është e shkolluar në Perëndim dhe është e pakorruptuar. Por të them të drejtën sot në Kosovë është shumë e vështirë që të gjesh pushtetarë të tillë të dinjitetshëm e atdhetarë. Ngase deri më tash që ishin në pozita shtetërore për mua të gjithë kanë qenë të dështuar, sepse askush nuk ka menduar për shtetin dhe për qytetarin, por vetëm për veten e tyre", u shpreh ai. "Populli është lodhur dhe kështu më nuk shkon, sepse populli nga varfëria është mbështetur për muri, nga skamja që e ka kapluar, andaj po ikin të gjithë jashtë Kosovës dhe kjo është krejt normale. Unë po nisem nga vetja ime sepse i kam 5 fëmijë dhe vetëm dy prej tyre, të mëdhenjtë, janë punësuar para lufte dhe punojnë në arsim. Kurse tre të tjerët, që janë me fakultet, po bredhin rrugëve se nuk ka vende pune", potencoi Saraqi. Kurse qytetari tjetër nga Prishtina, Bekim Gjelaj, për gazetën "Kosova Sot" thotë se ikja nga Kosova nuk është zgjidhje, por në Kosovë pushteti duhet që të krijojë vende të reja pune, në mënyrë që të punësohet të rinjtë tanë e mos të ikin jashtë Kosovës."Ngase Kosova ka nevojë për rend ligjor e një shtet të fortë, ku ligji do të jetë i barabartë për të gjithë e jo që pushtetarët të jenë mbi ligjin dhe mos të japin llogari për të këqijat që po ia sjellin vendit. E them lirshëm se sa paratë kanë hyrë në Kosovë si ndihma shteti ynë, Kosova, ka mundur që të jetë shumë më mirë ekonomikisht, ngase bëhet fjalë për miliardat me ndihma donacione dhe grante që e ndihmuan Perëndimi Kosovën. Një pikë e zymtë e këtyre pushteteve që nga paslufta e deri më sot janë edhe zhvatja e milionave nëpër tenderët publikë që gjatë një viti në Kosovë janë mesatarisht nga 700 milionë euro - 800 milionë euro", theksoi ai. Sipas tij, kjo situatë është e papranueshme dhe një realitet i hidhur, por që tani nuk mund të bëjmë asgjë, andaj e tërë kjo situatë e brishtë në sistemin e drejtësisë dhe në ekonominë e shkatërruar vendore po i detyron të rinjtë tanë që të ikin nga Kosova. 

(Kosova Sot)