VETTING-u heq mjegullën e korrupsionit politik

  • 21 September 2018 - 09:29
VETTING-u heq mjegullën e korrupsionit politik

Drejtësia,por edhe politika të përballen me spastrimin 

“ Vetting-u është shpresë dhe mundësi, por dyshoj se kjo strukturë politike mund ta shtyjë këtë proces përpara, pasi aq shumë është e kriminalizuar, saqë do të përdorë çdo mekanizëm  për ta stagnuar procesin e Vetting-ut. Mjegulla e krijuar për shumë vjet është terren i përshtatshëm për politikanët e kriminalizuar e të korruptuar, dhe largimi i kësaj mjegulle do të nxjerrë në shesh të palarat e politikanëve mbas luftës, të cilat janë bërë në kurriz të qytetarëve”, thotë analisti Hidajet Ahmeti për “Kosova Sot”

Përderisa në Shqipëri, pas VETTING-ut që dha rezultate në drejtësi, po kërkohet tash një proces i ngjashëm edhe në politikë, ndërkohë që në Kosovë, pozitë e opozitë, e kanë mbyllur gojën rreth kësaj teme të ndaluar po nga ata. Tanimë për këtë temë nuk kanë disponim të flasin as individualisht deputetët e përfaqësuar në Kuvend, nga shumica e partive politike, derisa  kur është çështja te përfitimet edhe kriminale, të gjithë rivalët politikë janë unikë, për t’i mbrojtur paligjshmëritë e panumërta që i bëjnë sa janë në institucione, qoftë të nivelit qendror apo edhe atij lokal. Analistët e kësaj fushe theksojnë se  deshi apo jo politika, është i domosdoshëm pastrimi i shtetit nga të korruptuarit dhe zhvatësit, nëse duam të shpresojmë se ky vend do të bëhet i jetueshëm dhe normal për të gjithë qytetaret pa dallim, dhe ky cak mund të arrihet  vetëm përmes një VETTING-u që do ishte  zgjidhja e duhur jo vetëm në drejtësi, por edhe në politikë e në të gjitha institucionet e shtetit. Një fakt të tillë e pohon dhe konsideron tepër të domosdoshëm eksperti Blerim Burjani. “VETTING-u mbetet e vetmja rrugë për ta pastruar gjyqësinë dhe prokurorinë, por edhe njerëzit që merren me politikë. Të gjithë  ata  duhet të jenë pjesë e llupës ku do të verifikohet gjithçka, ndonëse gjasat janë shumë të vogla të ndodhë kjo në Kosovë me këtë klase politike tek e cila  nuk ka as një milimetër vullnet për këtë temë serioze”, theksoi Burjani për “Kosova Sot”.

KAPITI: VETTING-U I SISTEMIT TË DREJTËSISË SË PARI DO TA CLIRONTE POLITIK NGA KAPJA QË I KA.BËRË POLITIKËS KJO LITA E SOTME POLITIKE
Sipas njohësit tjetër të kësaj fushe Skënder Kapiti, i gjithë sistemi juridik, pra drejtësia, por  edhe ai politik, Parlamenti, qeverisja qendrore dhe ajo lokale, pluralizmi politik, pra të gjithë "elitarët" e politikës dhe të partive politike janë të korruptuar dhe të kriminalizuar dhe ata do të duhet të pastroheshin përmes një procesi VETTING. Në këtë proces do të duhej futur, sipas tij, dhe shoqërinë civile ,OJQ-të, por edhe shumë  nga  mediet, të cilat janë bërë shërbëtore dhe satelite  e mercenare të politikës, të pushtetit e të parasë. “Pra, kur themi VETTING, që do të thotë hetim e spastrim,  këtu nuk bëhet fjalë vetëm për sistemin e drejtësisë, i cili duhet të jetë i pari që t'i nënshtrohet VETTTING-ut. Kjo, sepse është drejtësia politike e korruptuar dhe e kriminalizuar, ajo e cila ka prishur shtetin, shoqërinë, ligjin, drejtësinë, demokracinë dhe intelektualizmin në Shqipëri dhe në Kosovë. Drejtësia, ndërtimi i shtetit ligjor dhe funksionimi i tij janë themeli i lirisë, i demokracisë  dhe i efikasitetit të luftës kundër krimit e korrupsionit të politikes dhe të kujtdo qoftë tjetër”, u shpreh ai. “VETTING-u i sistemit të drejtësisë, pra vënia në funksion të ligjit dhe të drejtësisë në shtetin demokratik së pari do ta çlironte edhe sistemin politik nga kapja që i kanë bërë politikës kjo elita e sotme politike kudo partiake prej elementëve injorantë, të paaftë ,të papërgjegjshëm, harbutë, të korruptuar dhe me rekorde kriminale, pasi një drejtësi reale nuk bën diferencimin dhe as dallimin para ligjit të askujt, dhe pra as të atyre të cilët i mbron si deri më tani politika e pushteti, ku politika e pushteti i ka pajisur të korruptuarit, hajdutet dhe të kriminalizuarit e politikës me statusin e pandëshkueshmërisë për poshtërsitë, krimin, papërgjegjshmërinë dhe për hajdutërinë e tyre”, vlerësoi më tej Kapiti për “Kosova Sot”.
 

Nevojiten reforma rrënjësore
Sipas njohësit të kësaj fushe Hidajet Ahmetit, të mendosh dështimin e sistemit të drejtësisë jashtë mungesës së vullnetit politik është hipokrizi, pasi, sipas tij, sistemi i drejtësisë është i kapur thellë nga politika dhe parapolitika, prandaj ata që e kanë dështuar edhe nuk do të angazhohen asnjëherë për të mëkëmbur,  për të rindërtuar.  “Në sistemin e drejtësisë duhet të ndodhin reforma substanciale, e jo vetëm reforma formale për të ndërtuar percepcion  publik pozitiv, por impakti i këtyre reformave substanciale të jetë i prekshëm në jetën praktike të përditshme. Me këto ndryshime formale, ndoshta edhe mund të mashtrohen institucionet e BE-së, duke menduar se Kosova është në rrugë të drejtë për vënien në binarë të shtetit të së drejtës, por praktikisht Kosova do të thellohet akoma më shumë në krim dhe korrupsion. Gjykoj se sistemit të drejtësisë i duhet një dorë e hekurt e politikës, e cila, përveç reformës substanciale në plotësim-ndryshim ligjesh, por edhe inicim, hartim e miratim ligjesh të domosdoshme, duhet edhe vullnet politik për jetësimin e kësaj reforme të domosdoshme e të shumëpritur”, theksoi ai për “Kosova Sot”. Ahmeti konsideron se në këtë gjendje të rëndë të institucioneve dhe gjithë hallkës zinxhirore të Republikës së Kosovës nuk mund të çlirohet lehtë sistemi  me shkapjen e sistemi të drejtësisë, e cila është kapur nga pushtetet e mbas luftës dhe strukturat politike dhe parapolitike të nëntokës kriminale. “Çlirimi i sistemit të drejtësisë nuk mund të bëhet nga ata që e kanë kapur në kontinuitet, pasi në logjikën e thjeshtë  konsiderohet si kontradiktë logjike duke dalë kundër vetes. Problemi është më i thellë sesa shihet në shikim të parë, pasi nuk mund të kemi një vullnet politik për t’i çuar përpara proceset konsoliduese dhe shtetndërtuese të Republikës”, ka potencuar ai.  Sipas tij, presioni dhe shantazhi ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve është  “strategji” politike. “Përmes kësaj metode amorale e të pasinqertë njollosin personalitete politike të pastra moralisht, por njëkohësisht i fusin në një lojë iluzore edhe opinionin publik duke  ia shpërlarë trurin”, ka thënë Ahmeti.
 

Të inkriminuarit të largohen
Sipas analistit Bislim Aliu, Kosova duhet që sa më shpejt të shkëputët nga sistemi i kalbur dhe i korruptuar i drejtësisë, të hartojë Ligjin Vetting, ose ta marrë të gatshëm nga ndërkombëtarët sikur që u imponua në Shqipëri dhe të fillohet pastrimi nga e para edhe  në politikë, edhe në drejtësi. “Është një situatë emergjente që duhet të ndodhë kjo reformë substanciale edhe te ne. Përderisa në Shqipëri pas VETTING-ut që dha rezultate në drejtësi, po kërkohet tash edhe një proces i ngjashëm edhe në politikë, në Kosovë politika po hesht, pozitë e opozitë e kanë mbyllur gojën rreth kësaj teme, sikurse nuk janë të interesuar për të”, u shpreh ai. “Unë mendoj që tani është shumë i domosdoshëm pastrimi i shtetit, nga zhvatësit dhe të korruptuarit, nëse me të vërtetë duam dhe shpresojmë se ky vend do të bëhet i jetueshëm dhe shtet normal për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim, dhe ky rend e rregull mund të vendoset vetëm përmes një  VETTING-u gjithëpërfshirës, në politikë dhe drejtësi, në të gjitha institucionet dhe të gjitha nivelet”, tha Bislim Aliu për “Kosova Sot”. Sipas tij, duhet larguar nga detyra e pozitat e tyre të gjithë të inkriminuarit dhe të ballafaqohen  me ligjin, prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët nuk e justifikojnë dot pasurinë e tyre.

Duhet vendosur ligji
“Kuvendi duhet të nxjerrë Ligjin për VETING sa më parë, për të hapur e rrugën në vendosjen e rendit dhe ligjit në vend, përndryshe derisa nuk e bën këtë gjendja vazhdon të jetë kështu si është. Dihet mirëfilli që politika dhe drejtësia janë dy fusha të dallueshme plotësisht, por që të dyja duhet të pastrohen, sepse nëse nuk ka rend dhe ligj, nuk ka politikë të shëndoshë, nëse nuk ka politikë të shëndoshë nuk ka rend dhe ligj funksional, sepse ndikohet nga politika”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot”.
 

Hajdutë profesionistë
“Të gjithë gjyqtarët e prokurorët e Kosovës duhet t'i nënshtrohen VETTING-ut,jo vetëm në kontrollin e pasurive të cilat ata edhe mund t'i kenë fshehur shumë mirë, sepse këta hajdutë janë edhe profesionistë në fshehjen e pasurive, por i duhet bërë edhe hetimi i vendimmarrjeve të tyre, pasi janë veprimet e vendimmarrjet e tyre ato që tregojnë edhe qëllimet si korrupsionin dhe pasurimin e tyre duke matrapazuar e duke spekuluar me ligjin”, tha  Skënder Kapiti për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)