Franca e pengon liberalizimin e vizave për Kosovën?

  • 21 September 2018 - 10:52
Franca e pengon liberalizimin e vizave për Kosovën?

“Drita e kuqe” e Parisit për Kosovën do të ishte “në linjë” të politikës së kryetarit Makron për “integrim më të thellë të BE-së” para zgjerimit të ri, i kanë thënë burime diplomatike gazetës beogradase “Danas”
Nuk është e sigurt nëse Franca do të japë dritë të gjelbër për heqjen e vizave për Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Evropës, përkundër rekomandimeve për “shengenin e bardhë”, të cilin e kanë miratuar Komisioni Evropian dhe Parlamenti i Evropës, i kanë thënë gazetës beogradase “Danas” disa nga përfaqësuesit e qarqeve diplomatike nga Perëndimi, transmeton Gazetametro.net.

Sipas bashkëbiseduesve të kësaj gazete, “drita e kuqe” e Parisit për Kosovën do të ishte “në linjë” të politikës së kryetarit të Francës Emanuel Makron, i cili angazhohet për “integrim më të thellë të BE-së” para zgjerimit të ri të Unionit, dhe në harmoni me faktin se Franca tash me vite ka probleme për shkak të emigrantëve ilegalë, për çka edhe e ka ashpërsuar ligjin për migracion.

Nga ana tjetër, ka edhe të tillë që thonë se disa anëtare të BE-së “do t’ia dalin ta thyejnë rezistencën e Francës, sepse Kosova tashmë tepër gjatë pret për liberalizimin, ndërsa shengeni i bardhë do të ishte inkurajim për Prishtinën në vazhdimin e bisedimeve me Beogradin mbi zgjidhjen e çështjes së Kosovës”. Në këtë kontekst, ata përkujtojnë se Komisioni Evropian gjatë verës ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur dy kushtet e mbetura për liberalizimin e vizave, kështu që Parlamenti Evropian pastaj muajin e kaluar ka mbështetur propozimin që grupi punues të hapë negociatat për bisedime me vendet anëtare të BE-së rreth kësaj çështjeje.

(Kosova Sot)