Prokurorët "kryqëzojnë" Arta Markun, e padisin për "Shullazin"

  • 21 September 2018 - 10:58
Prokurorët

Vijon rebelimi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Kreu i Drejtorisë së Inspektimit në Prokurori, Sokol Stojani, ka dhënë dorëheqjen nga detyrë, duke mos pranuar të hetojë 10 kolegët e tij, pas urdhërit të Arta Markut.

Një ditë më parë, kryeprokurorja Arta Marku vendosi hetimin disiplinor për 10 prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë dhe transferimin e tre të tjerëve në rrethe pasi refuzuan të merrnin në dorëzim hetimin e çështjes ndaj Emiljano Shullazit.

10 prokurorët “rebelë” kanë vendosur të kallëzojnë penalish Arta Markun për shpërdorim detyre. Ndër të tjera ata kanë ngritur edhe padi civile ndaj për shfuqëzimin e urdhërit të Markut.

Një ditë më parë Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku urdhëroi hetimin disiplonor për prokurorët Olsian Çela, Sonila Muhametaj, Besim Hajdarmataj, Përparim Kullurin, Behar Dibrën, Arenc Çelën, Edvin Kondilin, Pranvera Pustinën, Eugen Beçin dhe Blerim Tominajn.

Po ashtu Marku vendosi transferimin e përkohshme në rrethe të prokurorëve të cilët refuzuan hedhjen e shortit për dosjen e Shullazit. Bëhet fjalë për prokurorët: Olsian Çela, i cili do të transferohet në Prokurorinë e Beratit, Sonila Muhametaj, e cila do të transferohet në Prokurorinë e Pukës dhe Besim Hajdarmatajn, i cili do të transferohet në Prokurorinë e Pogradecit.

Pardje prokurorët e Krimeve të Rënda janë 'rebeluar' dhe kanë braktisur mbledhjen e thirrur nga drejtuesja e tyre, Donika Prela.  Tema e mbledhjes ishte zëvendësimi i prokurorit Eneid Nakuçi në dosjen “Shullazi”. Por ky zëvëndësim nuk është pritur mirë nga prokurorët  të cilët u shprehën se e zëvendësimi i Nakuçit me një prej tyre me short është i paligjshëm.

Prej 3 javësh pretenca është bllokuar pasi Nakuçi ka ikur jashtë shtetit me pretendimin se është sëmurë, ndërsa Elisabeta Imeraj është bërë drejtuese tek Tirana.

Seanca e radhës për dosjen ‘Shullazi’ është parashikuar për datë 25 shtator. Aty do te mesohen edhe emrat e rinj te grupit te prokurorëve që do të përfaqësojnë në gjykim çështjen në ngarkim të të pandehurve Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi.

Banda e Shullazit akuzohet për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, kanosje për shkak të detyrës ndaj Mynyr Konit e Dhori Kules dhe shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie kundër Ylvi Beqjes për ish-hotel "Vollgën" në Durrës. Shullazi rrezikon deri në 15 vite burg për akuzat, po ashtu edhe anëtarët e tjere te bandës

(Kosova Sot)