Qarri: Thaçi me klikën e tij po ia mundësojnë me çdo kusht serbisë që të sigurojë edhe anëtaresimin ne BE në vitin 2025

  • 21 September 2018 - 12:14
Qarri: Thaçi me klikën e tij po ia mundësojnë me çdo kusht serbisë që të sigurojë edhe anëtaresimin ne BE në vitin 2025
Sipas analistit politik Gani Qarri, në mungesë të liderëve të njëmendtë vendorë dhe elitave të sinqerta politike, në Kosovë ka disa vjet që vetëm kauzat e rrejshme janë bërë model dhe metodë e përshtatshme për ndërrimin e pushteteve. Një skenar i tillë, sipas Qarrit, ka rrezik të ndodhë edhe tani me temën e bisedimeve. "Kështu që, sipas të gjitha gjasave, edhe dialogu aktual me Serbinë, njëjtë sikurse demarkacioni i para pak më shumë se një viti me Malin e Zi, pritet të shndërrohet në kauzën opozitare për ta çuar vendin në zgjedhje, vetëm e vetëm që të vijë opozita në pushtet. Ky rrotacion planifikohet sidomos pas tensionimit të pritshëm të situatës përmes protestave nga VV-ja dhe vazhdimit të bojkotit të Kuvendit nga LDK-ja, përderisa PSD-ja e Shpend Ahmetit si patericë e dëshmuar e Devollëve dhe pushtetit qendror, e joshur rrejshëm edhe nga Kadri Veseli, se mund të bëhen pjesë e pushtetit aktual, vazhdon të mashtrojë se gjoja është opozitë, por realisht është bërë partneri më i besueshëm i partive në koalicion qeveritar", theksoi ai për "Kosova Sot" Sipas Qarrit, edhe nëse situata imponon shpërbërjen e Kuvendit, dhe shkuarjen në zgjedhje të reja, kjo shpërbërje nuk do të duhej bërë pa një vendim të fuqishëm të legjislaturës së tanishme që ndalon presidentin për të vazhduar bisedimet dhe arritjen e marrëveshjeve në dëm të Kosovës. "Përndryshe në gjendjen e krijuar, kur edhe Kuvendi është vënë në pozitë 'PAT'-i, dhe nuk do të ketë mundësi ta kalojë asnjë ligj, apo marrë as edhe një vendim, që në këto çaste do të ishte kyç për t'ia ndalë hovin Thaçit, i cili me paratë kosovare është duke paguar kompani lobimi për ta shtyrë idenë e tij të këmbimit e korrigjimit të dëmshëm territorial të Kosovës, deri në fund, për zgjidhjen e ngërçit të krijuar politik, do të ishte më mirë që të shkohet sa më parë në zgjedhje të reja dhe të prishet tërësisht ky konstelacion asnjërës politik, ku lista serbe mbetet faktori vendimtar, për çdo votim parlamentar në Kuvendin e Kosovës", ka shpjeguar Qarri. "Në mënyrë që të mos i hapet rruga kuislingut Hashim Thaçi, që me Kuvendin e shpërndarë, e pa vija të kuqe,ai edhe më shumë dhe pa asnjë kontroll, t'i 'grahë' ashtu siç ia merr mendja atij, për të çuar përpara idetë e Vuçiqit për ndarjen e Kosovës dhe përveç ndarjes së Kosovës,Thaçi me klikën e tij t'ia mundësojë me çdo kusht Serbisë që ajo të sigurojë edhe anëtarësimin në BE më 2025, duke futur Kosovën edhe nën detyrime ndërkombëtare, që të merrte mbi vete obligimin për faljen e gati 1/3-s, së territorit të vet ,bashkë me 'Trepçën' e Ujmanin, në këmbim të tri-katër katundeve të Preshevës, partitë politike paraprakisht duhet të marrin një vendim, që ia ndalon Thaçit dhe klikës së tij bisedimet me Serbinë, përderisa të mos përfundojnë zgjedhjet e reja dhe të krijohet Kuvendi i ri i Kosovës, i cili do të vendoste për personat dhe grupin që do të përfaqësonte Kosovën si dhe mënyrën e zhvillimit, por vetëm me një projekt-plan paraprak, të bisedimeve të mëtejme me Serbinë", ka thënë analisti politik Gani Qarri për "Kosova Sot".