Kurti: Kemi mbështetjen e bashkatdhetarëve, do të vijnë në protestë kundër Thaçit

  • 21 September 2018 - 12:19
Kurti: Kemi mbështetjen e bashkatdhetarëve, do të vijnë në protestë kundër Thaçit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një videoje ka thënë se ka marrë mbështetjen e bashkatdhetarëve për protestën e tyre.
Sipas tij, dhjetëra qytetarë tashmë kanë blerë biletat e tyre për të ardhur në Kosovë për t’iu bashkuar protestës së tyre kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Protestë kjo që do të mbahet me datën 29 shtator në orën 14:00 në Prishtinë, ku LVV ka paralajmëruar se do të ketë protestë paqësore.

“Porsa e shpallëm thirrjen për protestën që do të mbahet në Prishtinë në datën 29 shtator, filluan të vijnë lajme shpresëdhënëse nga mërgata. Dhjetëra qytetarë që e duan Kosovën, atdheun e tyre, tashmë kanë blerë biletat e tyre për të ardhur në protestë”, ka thënë Kurti përmes videos në Facebook.

“Ne i dimë vështirësitë e juaja të dashur bashkatdhetarë ju keni nevojë për shkolla shqipe, Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë e të bëjnë më tepër, duhet t’i përzgjedhin arsimtarët më të mirë që i kemi të gjuhës shqipe dhe t’i dërgojnë në Gjermani, Zvicër, në Skandinavi, në Britani e në Amerikë, e kjo nuk do të ndodhë me këtë qeverisje”, shtoi ai.

(Kosova Sot)