Thaçi e nderon Ahmet Krasniqin me medalje presidenciale, Qazim Jakupin e shpall hero

  • 21 September 2018 - 14:32
Thaçi e nderon Ahmet Krasniqin me medalje presidenciale, Qazim Jakupin e shpall hero

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nderuar kolonel Ahmet Krasniqin me Medalje Presidenciale ndërkaq Qazim Jakupi me urdhër të presidentit është shpallur Hero i Kombit.

Thaçi në Akademinë Përkujtimore për 20-vjetorin e rënies së dëshmorit të Kombit, kolonel Ahmet Krasniqi dhe Qazim Jakupit, tha se lufta e UÇK-së bëri që gjithë të bashkohen pa dallime politike.

Ai ka garantuar se Kosova do t’i nderojë gjithmonë heronjtë dhe dëshmorët e saj.

“Kolonel Ahmet Krasniqi bëri mobilizimin e të gjithëve për luftën që solli lirinë e Kosovës. Duke u bazuar në mandatin tim, ndaj medaljen presidenciale për familjen Krasniqi”.

“Me urdhrin ‘Hero i Kosovës”, sot e dekoroj dëshmorin Qazim Jakupi. Familja Jakupi ka dhënë kontribut të madh për lirinë dhe pavarësinë”, ka thënë Thaçi.

Kosova, sipas tij, do t’i nderojë gjithmonë heronjtë dhe dëshmorët e saj, të cilët dhanë edhe jetën e tyre që ne të jetojmë në Kosovën e lirë dhe të pavarur.

(Kosova Sot)