Aliu: Duhet larguar nga detyra e pozitat e tyre të gjithë të inkriminuarit dhe të ballafaqohen me ligjin

  • 21 September 2018 - 15:53
Aliu: Duhet larguar nga detyra e pozitat e tyre të gjithë të inkriminuarit dhe të ballafaqohen me ligjin

Sipas analistit Bislim Aliu, Kosova duhet që sa më shpejt të shkëputët nga sistemi i kalbur dhe i korruptuar i drejtësisë, të hartojë Ligjin Vetting, ose ta marrë të gatshëm nga ndërkombëtarët sikur që u imponua në Shqipëri dhe të fillohet pastrimi nga e para edhe  në politikë, edhe në drejtësi. “Është një situatë emergjente që duhet të ndodhë kjo reformë substanciale edhe te ne. Përderisa në Shqipëri pas VETTING-ut që dha rezultate në drejtësi, po kërkohet tash edhe një proces i ngjashëm edhe në politikë, në Kosovë politika po hesht, pozitë e opozitë e kanë mbyllur gojën rreth kësaj teme, sikurse nuk janë të interesuar për të”, u shpreh ai. “Unë mendoj që tani është shumë i domosdoshëm pastrimi i shtetit, nga zhvatësit dhe të korruptuarit, nëse me të vërtetë duam dhe shpresojmë se ky vend do të bëhet i jetueshëm dhe shtet normal për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim, dhe ky rend e rregull mund të vendoset vetëm përmes një  VETTING-u gjithëpërfshirës, në politikë dhe drejtësi, në të gjitha institucionet dhe të gjitha nivelet”, tha Bislim Aliu për “Kosova Sot”. Sipas tij, duhet larguar nga detyra e pozitat e tyre të gjithë të inkriminuarit dhe të ballafaqohen  me ligjin, prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët nuk e justifikojnë dot pasurinë e tyre.

(Kosova Sot)