Statistika shqetësuese: Për dy vjet, mbi 100 persona të zhdukur

  • 21 September 2018 - 16:22
Statistika shqetësuese: Për dy vjet, mbi 100 persona të zhdukur

Përveç vrasjeve të shumta, aksidenteve në trafik dhe lëndimeve në punë që po ndodhin në vend, shqetësues është edhe numri i rasteve të personave të zhdukur. Vetëm në javën e tretë të shtatorit në vend janë zhdukur katër persona, për fatin e të cilëve ende nuk dihet asgjë. Sipas statistikave të Policisë në dy vitet e fundit janë raportuar si të zhdukur më shumë se 100 persona. Prizreni, Istogu e Mitrovica janë qytetet në të cilat ndodhin më së shpeshti raste të tilla.

Avdyl Kçiku nga Ferizaj, kishte vite që punonte e jetonte në Zvicër bashkë me familjen e tij. Por, viteve të fundit i kishte shpeshtuar vizitat për në Kosovë.

Përveç që vinte në vendlindje për pushime, ai shfrytëzonte vizitën edhe për punë biznesi. 

Deri në mbrëmjen e 31 gushtit, biznesi i kishte shkuar shumë mirë. Po, atë natë Avdyli kishte dalë për t’u takuar me disa persona që t’ua shiste një veturë. 

Mirëpo, duket se biznesi nuk i shkoi mirë. Që nga ajo ditë ai për familjen nuk u bë më i gjallë, të cilët edhe e raportuan në polici si të zhdukur. 

Ata nuk morën asnjë informacion rreth djalit të tyre, deri ditën kur morën lajmin e hidhur për vdekjen e tij. Ai u gjet i vdekur në veturën e tij nga një bashkëfshatar. E ndonëse kanë kaluar më shumë se një muaj prej këtij ndodhie, policia ende nuk ka mundur që ta zbardhë këtë rast misterioz.

Por, ky nuk është i vetmi person i zhdukur gjatë këtij muaji. Pothuajse çdo ditë në raportin 24 orësh të policisë raportohet për persona të zhdukur. 

Vetëm gjatë kësaj jave, në vend kanë ndodhur katër raste të tilla, numër ky që për tërë shtatorin arrin në 10 raste të tilla. Në shumicën e këtyre rasteve, personat e zhdukur kanë qenë të gjinisë femërore. 

Deri më tani, një prej këtyre personave është gjetur, derisa për fatin e personave të tjerë ende nuk dihet asgjë. Familjet e tyre vazhdojnë të jetojnë me ankth, e nuk kanë as edhe një informacion nëse familjarët e tyre po frymojnë. 

Edhe gjatë vitit të kaluar, numri i këtyre rasteve ka qenë shumë i lartë.

Në Policinë e Kosovës  kanë thënë se vetëm për periudhën janar-prill të këtij viti, janë raportuar 56 persona të zhdukur. 

Për secilin muaj gjatë kësaj periudhe nga familjarët janë raportuar 15 të zhdukur. 

Numër të lartë të personave të zhdukur po del të ketë pasur edhe në periudhën e njëjtë gjatë vitit të kaluar. Madje, krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit numri i rasteve të zhdukjeve është ulur për rreth 20 raste.

Sipas statistikave nga Policia e Kosovës, gjatë vitit 2017, në vend janë raportuar 76 persona të zhdukur, disa prej të cilëve pas disa ditësh janë gjetur të vdekur. 

E në polici thonë se në shumicën e rasteve personat që raportohet si të zhdukur janë të moshave të reja, ndërsa për nga gjinia e të zhdukurve thonë se dominojnë vajzat. 

Madje, deklarojnë se në shumë prej rasteve vajzat ikin për të shkuar tek të dashurit e tyre, e për ditë me radhë nuk u lajmërohen familjeve dhe për këtë arsye raportohen si të zhdukura. 

Derisa thonë se pas disa ditësh vetë familjarët raportojnë në polici se të njëjtat janë gjetur. 

Ndërkohë, qytetet në të cilat ndodhin më së shumti raste, sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, mbeten Prizreni, Istogu, Mitrovica, Peja dhe Shtimja.

 

(Kosova Sot)