“Do të vras, të kam thënë se do ta ha zemrën”. Si e vrau babai të dashurin e vajzës!

  • 21 September 2018 - 16:29
“Do të vras, të kam thënë se do ta ha zemrën”. Si e vrau babai të dashurin e vajzës!

I riu që u masakrua me kaçavidë në kokë dy ditë më parë në një lokal në “Unazën e Re” në Tiranë, ka ndërruar jetë paraditen e djeshme në Spitalin e Traumës.

Viktima Olsi Lelo kishte dy plagë të rënda në kokë, që i kishin dëmtuar trurin dhe një tjetër në qafë. Mjekët thonë se që në momentin kur ka mbërritur në spital është mbajtur në jetë me aparatura, ndërsa dje ka ndërruar jetë.

Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje të rëndë është Razmi Çaushaj, 51 vjeç, nga Fieri, babai i së dashurës së viktimës. Ai është arrestuar menjëherë pas ngjarjes nga shërbimet e Komisariatit Nr.6, duke thënë se nuk donte ta vriste.

Por ato që kanë deklaruar dhjetëra dëshmitarë që kanë parë ngjarjen, tregojnë të kundërtën. Madje, nga debati që kanë pasur në rrugë e deri te lokali ku ndodhi ngjarja, kuptohej se autori e kishte kërcënuar edhe më parë me jetë viktimën. Ndërsa gjatë ndjekjes, rreth 100 metra nga vendi i takimit deri në lokal, herë pas here i thoshte se do ta vriste.

Më pas, në ambientet e brendshme të lokalit e ka goditur tri herë me kaçavidë, në kokë e në qafë, duke e plagosur rëndë. Për shkak të plagëve të rënda, 38-vjeçari ka ndërruar jetë disa orë pas ngjarjes. Motivi i kësaj ngjarjeje, sipas të gjitha dëshmive, ishte lidhja e viktimës me vajzën 23-vjeçare të autorit, që ky i fundit nuk e kishte pranuar asnjëherë.

NGJARJA

Policia e Tiranës njoftoi të mërkurën se rreth orës 10:15, në zonën e “Unazës së Re”, kishte arrestuar shtetasin Razmi Çaushaj, pasi kishte plagosur rëndë me thikë 38- vjeçarin Olsi Lelo. Ndërsa sqaroi se i plagosuri ishte transportuar në spital dhe ndodhej nën kujdesin e mjekëve.

Ndërsa dje rreth orës 14:20, Policia tha se i plagosuri kishte ndërruar jetë në spital. Burimet sqaruan dje se ngjarja kishte nisur në rrugë e më pas ishte mbyllur në ambientet e brendshme të një lokali, ku autori qëlloi tri herë me kaçavidë 38-vjeçarin që dje ndërroi jetë. Nga deklarimet që u janë marrë dhjetëra dëshmitarëve, në rrugë dhe në lokal, janë sqaruar edhe rrethanat e ngjarjes.

Mësohet se autori Razmi Çaushaj kishte udhëtuar nga Fieri, ku jeton me familjen, drejt Tiranës për të parë se çfarë bënte vajza e tij, nëse takohej apo jo me të dashurin që ai ia kishte “ndaluar”. Vajza 23-vjeçare e viktimës jeton pranë zonës ku ndodhi ngjarja, në një apartament me qira, pasi njëkohësisht ndjek studimet, por edhe punon në një klinikë mjekësore, pranë së cilës janë takuar të mërkurën autori me viktimën.

Pikërisht në atë vend, Çaushaj është takuar me Lelon, të cilin e ka sulmuar menjëherë dhe ka nisur ta kërcënojë. “Do të vras. Të kam thënë që do ta ha zemrën”, mësohet t’i ketë thënë autori të dashurit të vajzës, i cili ka vrapuar të largohet në momentin që 51- vjeçari ka nxjerrë nga xhepi kaçavidën. Dëshmitarët thonë se ai e ka ndjekur për rreth 100 metra deri tek lokali ku më pas ndodhi ngjarja. Viktima është futur me nxitim në lokal dhe ka mbyllur derën duke dashur të mbrohej. Por autori e ka hapur derën me forcë dhe pasi është futur brenda, e ka goditur.

MOTIVI

Viktima, Olsi Lelo, 38 vjeç, prej afro një viti ishte i lidhur me vajzën 23-vjeçare të autorit. Ai kishte qenë i martuar më parë dhe kishte edhe një fëmijë, por prej kohësh ishte divorcuar. Kjo dyshohet se ka qenë edhe arsyeja që Razmi Çaushaj nuk e pranonte lidhjen e së bijës me viktimën. Lelo ishte njohur me 23-vjeçaren nga Fieri në klinikën mjekësore pranë “Unazës së Re”, ku ajo punonte.

Vetë ai jetonte në zonën e “Ali Demit”, por duke qenë se kishte një punë që e lidhte me klinikat mjekësore, pasi transportonte medikamente farmaceutike, kishte njohur 23-vjeçaren, me të cilën ishte lidhur. Familja e vajzës ishte në dijeni të lidhjes, por e refuzonin, kryesisht i ati, i cili ishte shprehur kategorikisht kundër. Madje edhe e kishte kërcënuar viktimën se do ta vriste në rast se nuk ndahej nga vajza e tij.

 

(Kosova Sot)