Zeqa: PSD-ja ËSHTË FILIAL I VËLLEZËRVE DEVOLLI DHE PATERICË E PUSHTETIT QENDROR

  • 21 September 2018 - 19:15
Zeqa: PSD-ja  ËSHTË FILIAL I VËLLEZËRVE DEVOLLI DHE PATERICË E PUSHTETIT QENDROR
Analisti politik, Florim Zeqa, konsideron se tashmë veç kanë filluar të vërehen shenjat e para të kauzës opozitare për ta çuar vendin në zgjedhje, duke e përdorur dialogun si pretekst për tensionimin e situatës."Ndarja e opozitës në dysh lidhur me strategjinë e veprimeve, përkatësisht pozicionimi i VV-së për mbajtjen e protestave dhe 'bojkoti' i Kuvendit nga ana e LDK-së e dëshmon akoma më shumë atë që ceka më sipër, se partitë opozitare më shumë janë të interesuara për marrjen e pushtetit sesa për mbrojtjen e shtetit. Për PSD-në e Shpend Ahmetit as që ia vlen për të diskutuar, si filial e vëllezërve Devolli dhe patericë e pushtetit qendror, vetëm deklarohet si opozitë, ndërsa në fakt është partneri më i besueshëm i partive në koalicion qeveritar. Sikur opozita të ishte e bashkuar, partnerët e koalicionit qeverisës me vetëm 52 deputetë do të silleshin me më përgjegjësi ndaj Kuvendit dhe zhvillimeve politike në përgjithësi", u shpreh ai. "Kthimi i përkohshëm i opozitës në Kuvend kinse për votimin e dy marrëveshjeve të rëndësishme për vendin, më tepër ka të bëjë me nënshkrimin në prapavijë të një ligji që ua garanton deputetëve të Kuvendit rritjen e pagave prej 500 eurove në muaj. Për fat të keq, ky është ideali dhe patriotizmi i deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Republikën e Kosovës", vlerësoi Zeqa për "Kosova Sot". "Me një opozitë të tillë, që i hyn në grusht Thaçit, Veselit dhe Haradinajt për interesa personale, jo vetëm që nuk do të ndalet dialogu me Serbinë, por vendi ynë rrezikon të ndahet në shumë 'banovina'! Me ose pa shpërndarjen e Kuvendit, me një opozitë të përçarë, Hashim Thaçit i hapet rruga pa vija të kuqe, që edhe më shumë t'i 'grahë' ashtu siç ia merr mendja atij e Vuçiqit, pa asnjë kontroll nga askush, për të çuar përpara idetë e Vuçiqit për ndarjen e Kosovës. Me një klasë politike të përçarë, Hashim Thaçi më lehtë do t'ia mundësojë Serbisë që të sigurojë anëtarësimin në BE më 2025, me çka Kosova do ta merrte mbi vete obligimin që ta falë gati 1/3 e territorit të vet, bashkë me 'Trepçën' e Ujmanin, në këmbim për trikatër katunde apo lagje në Luginën e Preshevës", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot".