Deri kur do të vazhdojnë ndërhyrjet e pushtetit në drejtësi?!

  • 22 September 2018 - 08:04
Deri kur do të vazhdojnë ndërhyrjet e pushtetit në drejtësi?!
Kapiti: Shtetin, drejtësinë, ligjin dhe ekonominë e kanë kapur politika dhe pushteti i mafio-oligarkisë!

"Situata në gjyqësorin kosovar është katastrofale, saqë asnjëherë nuk mund të shpresosh se do të ketë verdikt të drejtë, nëse ballafaqohesh me ligjin dhe e drejta është në anën tënde! Ndaj, po montohen proceset gjyqësore, duke u shantazhuar e kërcënuar palët, ndërsa vulën drejtësisë ia japin mafiooligarkët! Ambasadori i ri amerikan duhet të jetë dukshëm më kritik, duke mos i kursyer aspak politikanët tanë, të cilët hapur janë mbi ligjin, duke iu dhënë porosi të qartë për ndërhyrjet politike në drejtësi", thotë analisti Bislim Aliu për "Kosova Sot"

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit vlerësojnë se janë të kota thirrjet e organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare, për mosndërhyrje të politikës në drejtësi, derisa ta kemi në qeverisje në politikë kaq të inkriminuar dhe të papastruar nga strukturat e oligarkisë kriminale. Derisa të kemi një politikë të tillë të zhytur në krim e korrupsion, që do të udhëheqë shtetin, do të kemi edhe ndërhyrje, kontroll dhe shantazh të sistemit të drejtësisë nga politikanët e inkriminuar, qofshin ata nga zyra e presidentit, Qeveria, Kuvendi, partitë, kryetarët e komunave apo nga mafiooligarkët dhe nëntoka kriminale, prandaj me këtë politikë situata në gjyqësorin kosovar vazhdon të jetë katastrofë, saqë asnjëherë nuk mund të shpresosh se do të ketë verdikt të drejtë, nëse ballafaqohesh me ligjin dhe e drejta është në anën tënde. Nga një sistem i tillë i kapur nuk është befasi se si po montohen proceset gjyqësore, palët po shantazhohen, kërcënohen, ndërsa vulën drejtësisë ia japin mafio-oligarkët. Shpresa e vetme,sipas analistëve, tani mbetet që pas reagimeve të fundit të ambasadorit amerikan, Delawie, ambasadori i ri amerikan të jetë dukshëm më kritik, duke mos kursyer aspak politikanët që janë hapur mbi ligjin dhe të ketë porosi të qartë për ndërhyrjet politike në drejtësi, sepse janë pikërisht SHBA-të që japin edhe shumë fonde për avancimin e drejtësisë, prandaj kanë arsye që të kërkojnë llogari se ku po përfundojnë këto fonde, kur qytetarët vuajnë nga një sistem i keq gjyqësor. E zgjidhja duhet të bëhet me një VETTING të mirëfilltë, sepse ndryshe në Kosovë do të vazhdojmë të kemi gjyqtarë e prokurorë skandalozë, të cilët do të vazhdojnë ta minojnë sundimin e ligjit.

PRETENI: NË KOSOVË KEMI MË SË SHUMTI PROBLEME ME KRIMIN E ORGANIZUAR
Sipas ekspertit tjetër të kësaj fushe, Hasan Preteni, është fakt i pamohueshëm që askush nuk po mundet nga jashtë t'i kryejë detyrat e institucioneve vendore, sepse ato janë thellë të kapura."Titullarët e institucioneve janë zotuar se do të punojnë në interesin e vendit, se do të shpenzojnë buxhetin ligjërisht dhe drejt, se prioritet do të kenë interesin publik e jo atë privat, se do të punësojnë së paku një anëtar të një familje nga të gjithë, se do t'i rrisin vendet e punës dhe shumë premtime tjera, duke siguruar se në fund edhe Gjyqësori do të jetë i pavarur, që të veprojë në të gjitha rastet kur nuk do të respektohet ligji. E gjitha në praktikë është ndryshe për 180 shkallë. Po punësohen militantët, klientela dhe familjarët. Vende të reja pune nuk ka, shpenzimet jashtë buxhetit s'ka kush që i ndalon, Gjyqësori po e kalon kohën duke i llogaritur të hyrat qw po i pranon joligjërisht dhe pa asnjë punë konkrete", theksoi ai."Nuk më kujtohet rasti i fundit kur policia arreston ndonjë zyrtar për keqpërdorim detyre, nuk më kujtohet prononcimi i fundit i zëdhënësit të policisë për ndonjë aktivitet të Drejtorisë për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Para disa muajsh ishin aktivë te fajdexhinjtë, por tani kinse po i burgosin ata që merren me prostitucion. Nuk duhet të lejohet asnjë krim, por dihet se në Kosovë kemi më së shumti probleme me krimin e organizuar. Asnjë aktakuzë në bazë të të gjeturave të zyrës së Auditorit, asnjë aktakuzë në ndonjë rast të hetuar sipas detyrës zyrtare, asnjë veprim nga asnjë nga kallëzimet që i bëjnë mekanizmat e tjerë. Hetuesia në gjumë të thellë, Gjyqtarët nuk di se çka punojnë, por që prokuroria është duke i kursyer në mënyrë të pa justifikueshme, kjo nuk do koment", tha Preteni për "Kosova Sot". Sipas tij, shpresa ngelet vetëm nëse do imponohet formula e VETTING-ut sikurse në Shqipëri.

Ndërhyrjet flagrante
Njohësi i kësaj fushe, Blerim Burjani, thotë se deri tash nuk ka qenë shumë kërkues faktori ndërkombëtar. Mbase këtë do ta bëjë më mirë tani ambasadori i ri që vjen nga SHBA-të. "Deri më tash nuk ka pasur seriozitet as nga faktori ndërkombëtar që t'u bëhet presion politikës dhe njerëzve të tillë, që thonë se po merren me politikë, që të u tërhiqet vërejtja dhe të mos ndërhyjnë në gjyqësor, asnjë njeri që e quan veten politikan nuk e thotë se ka ndërhyrje në gjyqësi, përveç partive opozitare, kur nuk janë në pushtet. Gjyqësori mbetet i patrajtuar dhe nuk ndalen ndërhyrjet, dyshimet për ndërhyrje janë se deri më tash nuk ka aktgjykime të shumta që do të dëshmonin se ka ndërprerje të ndërhyrjes në sistem, prokurorët nuk e ndien veten mirë kur atyre u bie të bëjnë ndjekje ndaj njerëzve që thonë se merren me politikë", u shpreh ai."Deri më tash BE-ja dhe SHBA-ja nuk kanë një listë të njerëzve që janë mbi rendin dhe ligjin, ku atyre do t'u pamundësohet shkuarja në këto shtete për shkak të nxitjes së korrupsionit, pasurimit pa bazë, kontrollit mbi ndërmarrjet publike, nepotizmi e tjera", tha Burjani për "Kosova Sot".

KAPITI: DUHET KËRKUAR PREJ SHBA-SË QË TË VEPROJNË ASHTU SIKURSE VEPRUAN NË SHQIPËRI
Sipas analistit tjetër të kësaj fushe, Skënder Kapiti, gjendja më e rëndë në një shtet vjen dhe vendoset atëherë kur shtetin, drejtësinë, ligjin dhe ekonominë e kapin politika dhe pushteti i mafio-oligarkisë, fenomen që është i pranishëm dhe tepër i madh edhe në Kosovë."Kjo gjendje anarkizmi politik është pasojë e cila vjen kur klasa politike, elita politike e partive politike, sistemi i drejtësisë, elita e OJQ-ve dhe mercenarizmi mediatik kooperojnë dhe vendosin marrëdhënie simbiotike interesash personale mbi dhe në dëm të interesit publik dhe atij kombëtar. Shqiptarët në Kosovë duhet të reagojnë dhe të protestojnë kundër kësaj elite politike. Shoqëria civile duhet të dalë nga letargjia dhe apatia ku e mbajnë drejtuesit e saj dhe duhet t'u drejtohet për ndihmë demokratike e ligjore SHBA-së që të ndërhyjnë dhe t'i bëjnë presion politikës kosovare për miratimin e një Ligji VETTING-u në Kosovë", u shpreh Kapiti për "Kosova Sot". Sipas tij, duhet kërkuar prej SHBA-së që ato të veprojnë ashtu sikurse vepruan në Shqipëri për ta detyruar politikën dhe për ta vënë nën presion determinant atë për reformimin e drejtësisë. "Reformimi i drejtësisë, monitorimi dhe drejtimi i funksionimit të drejtësisë nga SHBA-ja do t'i hapte rrugën edhe pastrimit të politikës, do t'i hapte rrugën dekriminalizimit të saj dhe fillimit të funksionimit të shtetit ligjor dhe demokratik në Kosovë. Kjo sepse askush më nuk u beson kësaj klase politike, këtij sistemi gjyqësor dhe kësaj paralize të shoqërisë civile se prej tyre mund të vij ndryshimi dhe përmirësimi i këtij realiteti të zymtë kriminalo-politik dhe korruptivo-juridik që e kanë kapur shtetin dhe shoqërinë kosovare", tha Skënder Kapiti për "Kosova Sot".

KU PËRFUNDOJNË MILIONAT?
"Meqë SHBA-të japin shumë fonde për avancimin e drejtësisë, ata kanë arsye të plotë, që të kërkojnë llogari se ku po përfundojnë këto mjete fonde, kur qytetarët vuajnë vazhdimisht nga një sistem i keq gjyqësor. Dhe, sigurisht pa një VETTING të mirëfilltë në Kosovë do të vazhdojmë të kemi gjithnjë gjyqtarë e prokurorë skandalozë, të cilët hapur do të vazhdojnë ta minojnë vazhdimisht sundimin e ligjit dhe të drejtësisë", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot".

Ambasadori i ri të mos e kursejë askënd
Analisti politik, Bislim Aliu, thotë se derisa ta kemi këtë kastë politike në pushtet, qoftë pozitën e tanishme apo opozitën, si parti politike të padekriminalizuara dhe të pareformuara nuk do të kemi as sundim të mirëfilltë të ligjit."Me këta pushtetarë, gjithmonë, ama gjithmonë, do të kemi ndërhyrje, kontroll dhe shantazh në sistemin e drejtësisë, nga politikanët e inkriminuar, qofshin ata nga zyra e presidentit, Qeverisë, Kuvendit, partitë, kryetarët e komunave, mafio-oligarkët dhe nëntoka kriminale. Dhe, për këtë, situata në gjyqësorin kosovar është katastrofale, saqë asnjëherë nuk mund të shpresosh se do të ketë verdikt të drejtë, nëse ballafaqohesh me ligjin dhe e drejta është në anën tënde! Ndaj, po montohen proceset gjyqësore, duke u shantazhuar e kërcënuar palët, ndërsa vulën drejtësisë ia japin mafio-oligarkët!", u shpreh ai. "Dhe, pas largimit të fundit të ambasadorit amerikan Delavie, ambasadori i ri amerikan duhet të jetë dukshëm më kritik, duke mos i kursyer aspak politikanët tanë, të cilët hapur janë mbi ligjin, duke iu dhënë porosi të qartë për ndërhyrjet politike në drejtësi", ka potencuar ai.

(Kosova Sot)