Aliu: Ambasadori i ri të mos e kursejë askënd

  • 22 September 2018 - 12:22
Aliu: Ambasadori i ri të mos e kursejë askënd
Analisti politik, Bislim Aliu, thotë se derisa ta kemi këtë kastë politike në pushtet, qoftë pozitën e tanishme apo opozitën, si parti politike të padekriminalizuara dhe të pareformuara nuk do të kemi as sundim të mirëfilltë të ligjit."Me këta pushtetarë, gjithmonë, ama gjithmonë, do të kemi ndërhyrje, kontroll dhe shantazh në sistemin e drejtësisë, nga politikanët e inkriminuar, qofshin ata nga zyra e presidentit, Qeverisë, Kuvendit, partitë, kryetarët e komunave, mafio-oligarkët dhe nëntoka kriminale. Dhe, për këtë, situata në gjyqësorin kosovar është katastrofale, saqë asnjëherë nuk mund të shpresosh se do të ketë verdikt të drejtë, nëse ballafaqohesh me ligjin dhe e drejta është në anën tënde! Ndaj, po montohen proceset gjyqësore, duke u shantazhuar e kërcënuar palët, ndërsa vulën drejtësisë ia japin mafio-oligarkët!", u shpreh ai. "Dhe, pas largimit të fundit të ambasadorit amerikan Delavie, ambasadori i ri amerikan duhet të jetë dukshëm më kritik, duke mos i kursyer aspak politikanët tanë, të cilët hapur janë mbi ligjin, duke iu dhënë porosi të qartë për ndërhyrjet politike në drejtësi", ka potencuar ai.

KU PËRFUNDOJNË MILIONAT? "Meqë SHBA-të japin shumë fonde për avancimin e drejtësisë, ata kanë arsye të plotë, që të kërkojnë llogari se ku po përfundojnë këto mjete fonde, kur qytetarët vuajnë vazhdimisht nga një sistem i keq gjyqësor. Dhe, sigurisht pa një VETTING të mirëfilltë në Kosovë do të vazhdojmë të kemi gjithnjë gjyqtarë e prokurorë skandalozë, të cilët hapur do të vazhdojnë ta minojnë vazhdimisht sundimin e ligjit dhe të drejtësisë", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot".