PRETENI: NË KOSOVË KEMI MË SË SHUMTI PROBLEME ME KRIMIN E ORGANIZUAR

  • 22 September 2018 - 13:23
PRETENI: NË KOSOVË KEMI MË SË SHUMTI PROBLEME ME KRIMIN E ORGANIZUAR
 Sipas ekspertit tjetër të kësaj fushe, Hasan Preteni, është fakt i pamohueshëm që askush nuk po mundet nga jashtë t'i kryejë detyrat e institucioneve vendore, sepse ato janë thellë të kapura."Titullarët e institucioneve janë zotuar se do të punojnë në interesin e vendit, se do të shpenzojnë buxhetin ligjërisht dhe drejt, se prioritet do të kenë interesin publik e jo atë privat, se do të punësojnë së paku një anëtar të një familje nga të gjithë, se do t'i rrisin vendet e punës dhe shumë premtime tjera, duke siguruar se në fund edhe Gjyqësori do të jetë i pavarur, që të veprojë në të gjitha rastet kur nuk do të respektohet ligji. E gjitha në praktikë është ndryshe për 180 shkallë. Po punësohen militantët, klientela dhe familjarët. Vende të reja pune nuk ka, shpenzimet jashtë buxhetit s'ka kush që i ndalon, Gjyqësori po e kalon kohën duke i llogaritur të hyrat qw po i pranon joligjërisht dhe pa asnjë punë konkrete", theksoi ai."Nuk më kujtohet rasti i fundit kur policia arreston ndonjë zyrtar për keqpërdorim detyre, nuk më kujtohet prononcimi i fundit i zëdhënësit të policisë për ndonjë aktivitet të Drejtorisë për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Para disa muajsh ishin aktivë te fajdexhinjtë, por tani kinse po i burgosin ata që merren me prostitucion. Nuk duhet të lejohet asnjë krim, por dihet se në Kosovë kemi më së shumti probleme me krimin e organizuar. Asnjë aktakuzë në bazë të të gjeturave të zyrës së Auditorit, asnjë aktakuzë në ndonjë rast të hetuar sipas detyrës zyrtare, asnjë veprim nga asnjë nga kallëzimet që i bëjnë mekanizmat e tjerë. Hetuesia në gjumë të thellë, Gjyqtarët nuk di se çka punojnë, por që prokuroria është duke i kursyer në mënyrë të pa justifikueshme, kjo nuk do koment", tha Preteni për "Kosova Sot". Sipas tij, shpresa ngelet vetëm nëse do imponohet formula e VETTING-ut sikurse në Shqipëri.

(Kosova Sot)