Guraziu: Thaçi po mundohet t'i hapë rrugë projektit për ndarjen e Kosovës vetëm për t'i shpëtuar gjykatës speciale

  • 22 September 2018 - 14:19
Guraziu: Thaçi po mundohet t'i hapë rrugë projektit për ndarjen e Kosovës vetëm për t'i shpëtuar gjykatës speciale
Edhe analisti Ragip Guraziu thotë se këtë projekt famëkeq për ndarjen e Kosovës Hashim Thaçi po e bën me vetëdije të plotë vetëm për një arsye - frikën nga Gjykata Speciale, të cilës nuk do t'i shpëtojë, por në këtë kauzë do të humbë ai vetë dhe nuk do t'ia dalë kurrë. "Ai, Hashim Thaçi, gjithnjë po insiston pa u ndal në qëndrimin e tij pa zgjedhur mjete dhe metoda veprimi kundërkushtetuese, dhe kjo po shihet edhe këto ditë se si ka filluar të kërcënojë dhe provokojë Gjykatën Kushtetuese dhe rendin kushtetues të vendit, vetëm e vetëm që gjithçka të jetë në favorin e idesë dhe projektit të tij të bashkëkoordinuar me homologun serb Vuçiq. Është tepër e turpshme se si Hashim Thaçi po mundohet t'i hapë në këtë mënyrë rrugë projektit të tij famëkeq për ndarjen e Kosovës, vetëm për t'i shpëtuar përfundimisht Gjykatës Speciale", vlerësoi ai."Unë mendoj se me këtë akt të fundit duhet të jetë mbushur kupa dhe nuk do të duhej ta bënin më gjumin e qetë asnjë nga subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend, as pozita dhe as opozita, por duhet të merren të gjitha masat për ta ruajtur sistemin demokratik të Republikës Parlamentare nga çdo formë e autoritarizmit e despotizmit të individit të papërgjegjshëm. Aq më tepër kur në këtë lojë po shihet ashiqare që është i përfshirë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e pranoi publikisht që ka punuar fshehtë me Vuçiqin për ndryshim kufijsh", tha Guraziu për "Kosova Sot".