Qarri: Edi Rama dhe Hashim Thaçi shihet hapur se përfaqësojnë interesat ruso-serbe në tokat tona

  • 22 September 2018 - 15:18
Qarri: Edi Rama dhe Hashim Thaçi shihet hapur se përfaqësojnë interesat ruso-serbe në tokat tona
Sipas analistit Gani Qarri, Hashim Thaçi po i bën përpjekjet e fundit të pareshtura dhe çdo gjë të mundshme për ta anashkaluar edhe Kushtetutën e vendit si dhe Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që fazën finale të dialogut me Serbinë ta përmbyllë ashtu siç do ai dhe vetëm me nënshkrimin e tij personal. "I përballur me kritika të shumta e të gjithanshme dhe mungesën e mbështetjes së partive politike për çuarjen përpara të çmendurive të tij aventureske në fazën finale të dialogut me Serbinë, kuislingu Hashim Thaçi po insiston me këmbëngulje për mbajtjen gjallë të qëndrimit të tij anti-Kosovë, pa zgjedhur mjete dhe metoda veprimi deri te ato kundërkushtetuese. Madje Hashim Thaçi ka shkuar aq larg, duke provokuar jo vetëm Gjykatën Kushtetuese, por kërcënuar edhe rendin kushtetues të vendit me një pyetje djallëzore, me anë të së cilës i ka kërkuar këtij institucioni që t`ia heqë qafe Kuvendin për marrëveshjet që ai dëshiron t'i bëjë sipas dëshirës së tij, me Brukselin dhe Serbinë", u shpreh ai. "Hashim Thaçi po keqpërdor hapur dhe brutalisht dispozitën njëherësh të marrëveshjes Kosovë-BE, lidhur me vazhdimin e mandatit të EULEX-it, vazhdimi i të cilit është bërë vetëm me dërgimin e anasjelltë të shkresave ndërmjet presidentit të vendit dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, duke insistuar në mënyrën më brutale që këtë marrëveshje të përkohshme mbi mandatin e EULEX-it ta shndërrojë me forcë në vendim të përhershëm presidencial, për shitjen e territoreve të Kosovës. Kështu që pas mbylljes së të gjitha dyerve për avancimin e çmendurive të tij aventureske ai së fundmi i ka rënë në qafë edhe vetë Gjykatës Kushtetuese, të cilën përmes ndikimeve të veta po përpiqet ta detyrojë që ajo tani t'i hapë rrugë projektit të tij famëkeq për ndarjen e Kosovës, vetëm e vetëm për t'i shpëtuar ai vetë Gjykatës Speciale, me të cilën qeveria serbe shihet se do t'i rrijë mbi kokë, deri në realizimin e qëllimeve të saj, për shkëputjen e veriut të vendit tonë me vendimin dhe nënshkrimin personal të Hashim Thaçit. Se Hashim Thaçi nuk është i vetëm në aventurat pro-serbe për ndarjen e Kosovës e vërtetoi së fundmi edhe kryeministri Edi Rama, i cili pranoi publikisht që ka punuar fshehtë me Vuçiqin për ndryshim kufijsh në dëm të Kosovës dhe trojeve shqiptare", tha analisti Gani Qarri. Sipas tij, tandemi Edi Rama dhe Hashim Thaçi shihet hapur se jo vetëm që janë shndërruar në argatët më besnikë të Aleksandër Vuçiqit dhe dorë të zgjatur të Serbisë, por realisht ata po dëshmojnë vetë se përfaqësojnë interesat ruso-serbe në tokat tona."Madje Hashim Thaçi e ka marrë aq me zell punën e ndryshimit të kufijve, duke rrezikuar edhe shfuqizimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të vitit 2010, mbi ligjësinë e pavarësisë së Kosovës dhe po i ngutet aq shumë për realizimin e këtij plani shkatërrues për vendin, saqë pas kundërshtimeve të gjithanshme të projekteve të tij ogurzeza për shuarjen e shtetit tonë të brishtë, duke llogaritur në ndikimet që ai ka mbi gjykatat dhe gjyqtarët kudo në Kosovë, në fillim të këtij muaji, ka vendosur ta sfidojë edhe vetë Gjykatën Kushtetuese të vendit, duke i kërkuar asaj që ta interpretojë një dispozitë të vetme, apo vetëm pjesën e nenit 18 të Kushtetutës së Kosovës, i cili ka të bëjë me një ratifikim të njëhershëm, të marrëveshjes ndërkombëtare, siç është vazhdimi i mandatit të EULEX-it, e që thjesht është marrëveshje njëherësh, ndaj është bërë vetëm përmes letërkëmbimit të presidentit të vendit dhe përfaqësues së lartë të Bashkimit Evropian", shpjegoi më tutje ai. "Pasi që si tërësi neni 18 i Kushtetutës së Kosovës nuk ka të bëjë vetëm me dispozitën mbi mandatin e EULEX-it, por edhe me çështjen e territorit, çështjet politike dhe ushtarake të vendit, lidhjen e paqes dhe aleancave me vendet e tjera, si dhe anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare etj., kuislingu Hashim Thaçi, me shpresën se përveç të drejtës për vazhdimin e mandatit të EULEX-it, nga Gjykata Kushtetuese, do ta marrë dritën e gjelbër edhe për shitjen e territoreve të vendit, kërkon nga Gjykata që dispozitën njëherësh kushtetuese të letërkëmbimit të vitit 2018 në mes të presidentit dhe Përfaqësues së lartë të Bashkimit Evropian mbi vazhdimin e mandatit të EULEX-it, përmes vetë Gjykatës Kushtetuese, ta shndërrojë në vendim për këmbimin e territoreve me Serbinë dhe atë vetëm me nënshkrimin e presidentit pa ratifikim nga Kuvendi i Republikës së Kosovës", tha analisti Gani Qarri për "Kosova Sot".