Deri në vitin 2028, interneti do të ndahet në dysh

  • 22 September 2018 - 18:36
Deri në vitin 2028, interneti do të ndahet në dysh

Ish-shefi ekzekutiv i kompanisë "Google", Eric Schmidt, thotë se, deri në vitin 2028, interneti do të ndahet në dysh, ku njërën pjesë do ta udhëheqë Kina. Multimiliarderi 63- vjeçar thotë se censura dhe kontrolli që Kina ushtron mbi qytetarët e vet, në lidhje me qasjen online, bëjnë që këto veprime të mos jenë kompatibile me internetin demokratik në perëndim. Kjo dmth se do të ekzistojnë dy versione të ndryshme të "world wide web", ku opsioni tjetër do të udhëhiqet nga SHBA-ja., transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kina i ka variantet e veta të këtyre ueb sajteve

Ky proces tanimë është duke ndodhur me të ashtuquajturin "Great Firewall" (Muri i madh) të Kinës që pengon qytetarët kinezë nga qasja në disa ueb sajte të popullarizuara të internetit, duke përfshirë edhe ato si "Facebook" dhe "YouTube". Kina i ka variantet e veta të këtyre ueb sajteve, sikur që është motori i kërkimeve "Baidu".

 

E ardhmja e teknologjisë

Schmidt, i cili ka një pasuri prej rreth 14 miliardë dollarësh, i bëri këto komente derisa fliste në një konferencë private të teknologjisë në San Francisko, të kryesuar nga "Village Global VC". Ai tha se ky skenar, i ndarjes së internetit në dysh, duket më i mundshëm sesa ndarja e internetit në degë të shumta. Ish-shefi ekzekutiv i kompanisë "Google", i cili ka punuar aty për 17 vjet, bën komente të rregullta rreth të së ardhmes së teknologjisë dhe ndikimit të saj në botë. Ai tërheqë vërejtjen rreth udhëheqjes së Kinës dhe aspiratave të saj tregtare dhe ushtarake, me të cilat mund ta pushtojë botën.  

 

(Kosova Sot)