Despoti Thaçi synon legalizimin e ndarjes përmes Gjykatës Kushtetuese

  • 22 September 2018 - 07:58
Despoti Thaçi synon legalizimin e ndarjes përmes Gjykatës Kushtetuese
Badallaj: Hashimi, Edvini dhe Baton Haxhiu janë argatë të Serbisë dhe të Moskës, sepse janë bërë edhe tellallë të tyre, duke i mbrojtur interesat e tyre më mirë se Beogradi e Moska

"Pas mbylljes së të gjitha dyerve për avancimin e çmendurive të tij aventureske, Hashim Thaçi, së fundmi, i ka rënë në qafë edhe vetë Gjykatës Kushtetuese, të cilën përmes ndikimeve të veta po përpiqet ta detyrojë që ajo tani t'i hapë rrugë projektit të tij famëkeq për ndarjen e Kosovës, vetëm e vetëm për t'i shpëtuar ai vetë Gjykatës Speciale, me të cilën qeveria serbe shihet se do t'i rrijë mbi kokë, deri në realizimin e qëllimeve të saj, për shkëputjen e veriut të vendit tonë me vendimin dhe nënshkrimin personal të Hashim Thaçit. Se Hashim Thaçi nuk është i vetëm në aventurat pro-serbe për ndarjen e Kosovës e vërtetoi së fundmi edhe kryeministri Edi Rama, i cili pranoi publikisht që ka punuar fshehtë me Vuçiqin për ndryshim kufijsh në dëm të Kosovës dhe trojeve shqiptare", thotë analisti Gani Qarri për "Kosova Sot" 

Deputetët nga radhët e opozitës, analistët politikë dhe qytetarët e kanë vlerësuar si përpjekjen më të madhe e skandaloze të Hashim Thaçit, për ta manipuluar edhe Gjykatën Kushtetuese, për realizimin e planit të tij për marrëveshjen me Serbinë, përmes shkëmbimit të territoreve, pa zgjedhur mjete dhe metoda veprimi kundërkushtetuese. Sikur është raportuar në medie, ai e ka provokuar edhe Gjykatën Kushtetuese dhe rendin kushtetues të vendit me një pyetje djallëzore, me anë të së cilës i ka kërkuar këtij institucioni që t`ia heqë qafe Kuvendin për marrëveshjet që ai do t'i bëjë me Brukselin dhe Serbinë. Me këtë tentativë, analistët vlerësojnë se Hashim Thaçi po e dëshiron me çdo kusht projektin e tij famëkeq për ndarjen e Kosovës, vetëm për t'i shpëtuar përfundimisht Gjykatës Speciale.

Vitet e humbura kot të negociatave shterpe
Sipas analistit Shefik Shkodra, presidenti aktual i vendit, Hashim Thaçi, me këto veprime të tij, po vazhdon të nxisë mosbesim të madh te masa e gjerë. "Kaq kohë ka kaluar prej kur bisedat po vijojnë në Bruksel, asnjëherë nuk ka shkrepur me ndonjë shkëndijë se bisedat do të jenë të favorshme dhe të 'fuqishme' sa të mos kenë mundësi 'skeptikët' ta çelin gojën lidhur me çështjen e 'korrigjimit' të kufijve, 'ndarjen', apo 'ndërrimin' e tokave shqiptare", u shpreh ai. "Prandaj, skepticizmi është i pranishëm pothuajse te çdo i dyti qytetar. E para se punon krye në veti, se dëshiron të luajë me një kamuflazh, duke u paraqitur si diçka i mbinatyrshëm, sikur çdo gjë varet nga ky njeri; e dyta, do që të fshehë nëpërmes këtij 'rreziku' dhe të bëhet zhurmë, vërtet edhe prej atyre që nuk kanë shumë njohuri me një politikë globale dhe me rastin tonë konkret. E treta, nëpërmjet këtyre përzierjeve, sa ndërrime tokash, sa korrigjime kufijsh, opinioni i qytetarëve shpreh dyshimin më të madh ndaj Hashim Thaçit, president, për të cilin flitet edhe për akuzat që mund t'i ketë përpara në çdo hap", theksoi Shkodra për "Kosova Sot". Deputeti Ali Lajçi tha për "Kosova Sot" se është në dijeni edhe lidhur me tentativën e fundit të presidentit Thaçi për ta manipuluar Gjykatën Kushtetuese në favorin e tij, por se ai thotë se kjo gjë nuk e shqetëson aspak pasi që sipas tij pyetja e adresuar nuk mund të jetë fare materie me të cilën duhet të merret Gjykata Kushtetuese, kurse edhe nënshkrimi eventual i ndonjë marrëveshje në dëm të Kosovës gjithsesi do të rrëzohet në Kuvend, pasi që aty kërkohen detyrimisht dy të tretat e votave të deputetëve, që sipas lajmit nuk ka asnjë shans për t'i siguruar kur është në pyetje rrezikimi i shtetit dhe veprimi kundërkushtetues i presidentit."Unë nuk besoj aspak që kjo është një materie me të cilën duhet të merret Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por ai sigurisht që e ka përdorë këtë me qëllime të manipulimit e qëllime të tjera, por ne do të shikojmë edhe më tutje si do të rrjedhë procesi dhe do të jemi gati të parandalojmë çdo përpjekje djallëzore që provon ta bëjë ky. Mbase ky mund të jetë vetëm një lloj manipulimi që do t'i prijë përgatitjes së terrenit për veprimet e tij, por nuk besoj që kjo çështje e cila e ka ngritur ai do t'i kryejë punë në proceset e mëtejshme, përderisa dihet edhe me kushtetutë, që vendimet e Kuvendit janë superiore dhe duhet të merren në këto raste me dy të tretat e votave", theksoi Lajçi për "Kosova Sot".

QARRI: HASHIM THAÇI PO PËRPIQET TA DETYROJË GJYKATËN KUSHTETUESE QË T'I HAPË RRUGË PROJEKTIT TË TIJ FAMËKEQ PËR NDARJEN E KOSOVËS, VETËM E VETËM PËR T'I SHPËTUAR AI VETË GJYKATËS SPECIALE!
Sipas analistit Gani Qarri, Hashim Thaçi po i bën përpjekjet e fundit të pareshtura dhe çdo gjë të mundshme për ta anashkaluar edhe Kushtetutën e vendit si dhe Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që fazën finale të dialogut me Serbinë ta përmbyllë ashtu siç do ai dhe vetëm me nënshkrimin e tij personal. "I përballur me kritika të shumta e të gjithanshme dhe mungesën e mbështetjes së partive politike për çuarjen përpara të çmendurive të tij aventureske në fazën finale të dialogut me Serbinë, kuislingu Hashim Thaçi po insiston me këmbëngulje për mbajtjen gjallë të qëndrimit të tij anti-Kosovë, pa zgjedhur mjete dhe metoda veprimi deri te ato kundërkushtetuese. Madje Hashim Thaçi ka shkuar aq larg, duke provokuar jo vetëm Gjykatën Kushtetuese, por kërcënuar edhe rendin kushtetues të vendit me një pyetje djallëzore, me anë të së cilës i ka kërkuar këtij institucioni që t`ia heqë qafe Kuvendin për marrëveshjet që ai dëshiron t'i bëjë sipas dëshirës së tij, me Brukselin dhe Serbinë", u shpreh ai. "Hashim Thaçi po keqpërdor hapur dhe brutalisht dispozitën njëherësh të marrëveshjes Kosovë-BE, lidhur me vazhdimin e mandatit të EULEX-it, vazhdimi i të cilit është bërë vetëm me dërgimin e anasjelltë të shkresave ndërmjet presidentit të vendit dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, duke insistuar në mënyrën më brutale që këtë marrëveshje të përkohshme mbi mandatin e EULEX-it ta shndërrojë me forcë në vendim të përhershëm presidencial, për shitjen e territoreve të Kosovës. Kështu që pas mbylljes së të gjitha dyerve për avancimin e çmendurive të tij aventureske ai së fundmi i ka rënë në qafë edhe vetë Gjykatës Kushtetuese, të cilën përmes ndikimeve të veta po përpiqet ta detyrojë që ajo tani t'i hapë rrugë projektit të tij famëkeq për ndarjen e Kosovës, vetëm e vetëm për t'i shpëtuar ai vetë Gjykatës Speciale, me të cilën qeveria serbe shihet se do t'i rrijë mbi kokë, deri në realizimin e qëllimeve të saj, për shkëputjen e veriut të vendit tonë me vendimin dhe nënshkrimin personal të Hashim Thaçit. Se Hashim Thaçi nuk është i vetëm në aventurat pro-serbe për ndarjen e Kosovës e vërtetoi së fundmi edhe kryeministri Edi Rama, i cili pranoi publikisht që ka punuar fshehtë me Vuçiqin për ndryshim kufijsh në dëm të Kosovës dhe trojeve shqiptare", tha analisti Gani Qarri. Sipas tij, tandemi Edi Rama dhe Hashim Thaçi shihet hapur se jo vetëm që janë shndërruar në argatët më besnikë të Aleksandër Vuçiqit dhe dorë të zgjatur të Serbisë, por realisht ata po dëshmojnë vetë se përfaqësojnë interesat ruso-serbe në tokat tona."Madje Hashim Thaçi e ka marrë aq me zell punën e ndryshimit të kufijve, duke rrezikuar edhe shfuqizimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të vitit 2010, mbi ligjësinë e pavarësisë së Kosovës dhe po i ngutet aq shumë për realizimin e këtij plani shkatërrues për vendin, saqë pas kundërshtimeve të gjithanshme të projekteve të tij ogurzeza për shuarjen e shtetit tonë të brishtë, duke llogaritur në ndikimet që ai ka mbi gjykatat dhe gjyqtarët kudo në Kosovë, në fillim të këtij muaji, ka vendosur ta sfidojë edhe vetë Gjykatën Kushtetuese të vendit, duke i kërkuar asaj që ta interpretojë një dispozitë të vetme, apo vetëm pjesën e nenit 18 të Kushtetutës së Kosovës, i cili ka të bëjë me një ratifikim të njëhershëm, të marrëveshjes ndërkombëtare, siç është vazhdimi i mandatit të EULEX-it, e që thjesht është marrëveshje njëherësh, ndaj është bërë vetëm përmes letërkëmbimit të presidentit të vendit dhe përfaqësues së lartë të Bashkimit Evropian", shpjegoi më tutje ai. "Pasi që si tërësi neni 18 i Kushtetutës së Kosovës nuk ka të bëjë vetëm me dispozitën mbi mandatin e EULEX-it, por edhe me çështjen e territorit, çështjet politike dhe ushtarake të vendit, lidhjen e paqes dhe aleancave me vendet e tjera, si dhe anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare etj., kuislingu Hashim Thaçi, me shpresën se përveç të drejtës për vazhdimin e mandatit të EULEX-it, nga Gjykata Kushtetuese, do ta marrë dritën e gjelbër edhe për shitjen e territoreve të vendit, kërkon nga Gjykata që dispozitën njëherësh kushtetuese të letërkëmbimit të vitit 2018 në mes të presidentit dhe Përfaqësues së lartë të Bashkimit Evropian mbi vazhdimin e mandatit të EULEX-it, përmes vetë Gjykatës Kushtetuese, ta shndërrojë në vendim për këmbimin e territoreve me Serbinë dhe atë vetëm me nënshkrimin e presidentit pa ratifikim nga Kuvendi i Republikës së Kosovës", tha analisti Gani Qarri për "Kosova Sot".

GURAZIU: HASHIM THAÇI PO MUNDOHET T'I HAPË RRUGË PROJEKTIT TË TIJ FAMËKEQ PËR NDARJEN E KOSOVËS, VETËM PËR T'I SHPËTUAR PËRFUNDIMISHT GJYKATËS SPECIALE
Edhe analisti Ragip Guraziu thotë se këtë projekt famëkeq për ndarjen e Kosovës Hashim Thaçi po e bën me vetëdije të plotë vetëm për një arsye - frikën nga Gjykata Speciale, të cilës nuk do t'i shpëtojë, por në këtë kauzë do të humbë ai vetë dhe nuk do t'ia dalë kurrë. "Ai, Hashim Thaçi, gjithnjë po insiston pa u ndal në qëndrimin e tij pa zgjedhur mjete dhe metoda veprimi kundërkushtetuese, dhe kjo po shihet edhe këto ditë se si ka filluar të kërcënojë dhe provokojë Gjykatën Kushtetuese dhe rendin kushtetues të vendit, vetëm e vetëm që gjithçka të jetë në favorin e idesë dhe projektit të tij të bashkëkoordinuar me homologun serb Vuçiq. Është tepër e turpshme se si Hashim Thaçi po mundohet t'i hapë në këtë mënyrë rrugë projektit të tij famëkeq për ndarjen e Kosovës, vetëm për t'i shpëtuar përfundimisht Gjykatës Speciale", vlerësoi ai."Unë mendoj se me këtë akt të fundit duhet të jetë mbushur kupa dhe nuk do të duhej ta bënin më gjumin e qetë asnjë nga subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend, as pozita dhe as opozita, por duhet të merren të gjitha masat për ta ruajtur sistemin demokratik të Republikës Parlamentare nga çdo formë e autoritarizmit e despotizmit të individit të papërgjegjshëm. Aq më tepër kur në këtë lojë po shihet ashiqare që është i përfshirë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e pranoi publikisht që ka punuar fshehtë me Vuçiqin për ndryshim kufijsh", tha Guraziu për "Kosova Sot".

PROTESTA MË 29 SHTATOR
"Ne po përgatitemi edhe për protestën e 29 shtatorit dhe besojmë që në këtë protestë qytetarët e Republikës së Kosovës do të përgjigjen pa dallim që të dalin dhe protestojnë dinjitetshëm, për të shprehur kundërshtimin dhe pakënaqësinë për këtë lloj procesi mjaft të dëmshëm, për të cilin akoma po insiston të veprojë dhe punojë Hashim Thaçi, e që ky është njëri nga projektet, të cilat nuk kanë legjitimitet dhe çojnë edhe në një reaksion tjetër juridik e kushtetues, në një situatë e cila është shumë e rëndë dhe e rrezikshme për të ndodhur, prandaj besoj që kjo nuk do të lejohet të ndodhë as nga qytetarët e Republikës së Kosovës", tha Ali Lajçi për "Kosova Sot".

BADALLAJ: THAÇI TANI ËSHTË NË SIKLET DHE NUK ZGJEDH MJETE DUKE E SULMUAR KËDO QË MBËRRIN! Analisti politik Reshat Badallaj tha për "Kosova Sot" se Thaçi tani është në siklet dhe nuk zgjedh mjete duke e sulmuar këdo që mbërrin, prandaj këtë e bën edhe me presione e shantazhe ndaj Gjykatës Kushtetuese. "Ky njeri, për t´ia arritur qëllimit të tij djallëzor, prej kuislingu, shihet se nuk njeh as ligje dhe as Kushtetutë. Mundohet edhe këtu të futë frikë dhe të dalë mbi Gjykatën dhe mbi Kuvendin. Tashmë çdokush e ka kuptuar se nxiton që ta realizojë projektin e tij në dëm të vendit që i ngjason projektit të shqiptarurrejtësit Vasa Çubriloviqit dhe sa i pashpirt që është, që hapur tregon dhe i vë interesat e tij personale mbi ato shtetërore dhe kombëtare, pra vetëm e vetëm që ta shpëtojë veten e tij nga Gjykata Speciale", u shpreh ai. "Këtë nxitim e përkrahu edhe Lavrov me qëndrim rus. Kuvendi rrugaçësh nuk po bën gjë, opozita e vdekur po ashtu bën sehir dhe çon selam vetëm nëpër konferenca për shtyp, tamam i ngjan si ato gratë e përdala, kurse Gjykata Kushtetuese hesht, sepse është nën sqetullën e këtij matrapazi dhe të klanit famëzi "PRONTO". Pra, e vetmja rrugë për të ndalur ndarjen e Kosovës nga ky Esat Pashë Toptan dhe Ahmet Zogoll, që po quhet Hashim Thaçi, duhet protesta të fuqishme gjithë popullore dhe përfundimisht duhet dhënë fund kësaj tradhtie të rrezikshme", tha Reshat Badallaj. Sipas Badallajt, tani po shihet ashiqare që Thaçi nuk është i vetëm në këtë projekt, prandaj duhet vepruar sa më shpejt për parandalimin e këtij plani."Tradhtinë e këtij grupi kuislingësh më në fund e nxori në sipërfaqe edhe Edvin Kristaq Rama, se prapa kurrizit të Kosovës është punuar për t´i ra thikë pas shpine, për ndryshimin e kufijve që do të çonte të gjitha të mirat vetëm kah Serbia fashiste dhe të dëmtonte dhe ta ndrydhte Kosovën. U pa publikisht po ashtu edhe se pa më të voglin dyshim se këta të dy dhe këlyshi i UDB-së serbe, pra Hashimi, Edvini dhe Baton Haxhiu janë argatë të Serbisë dhe të Moskës, sepse janë bërë edhe tellallë të tyre, duke i mbrojtur interesat e tyre më mirë se Beogradi e Moska", tha Reshat Badallaj për gazetën "Kosova Sot".

ZEQA: HASHIM THAÇI DREJT PËRFUNDIMIT TË KARRIERËS POLITIKE, DUKE I SHKAKTUAR EDHE HUMBJEN FATALE SHTETIT TË KOSOVËS
Sipas analistit Florim Zeqa, është bërë për keqardhje degradimi i institucionit të presidentit të shtetit."Duke e parë si të pamundur votimin në Kuvend të marrëveshjeve me Vuçiqin, Hashim Thaçi i është vërsulur Gjykatës Kushtetuese, duke e provokuar rendin kushtetues në vend me pyetje djallëzore, duke i kërkuar këtij institucioni që t`ia heqë qafe Kuvendin për marrëveshjet që ai do t'i bëjë me Brukselin dhe Serbinë. Po ashtu, është për keqardhje qasja e partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës, që nuk po i marrin të gjitha masat për ta ruajtur sistemin demokratik të Republikës Parlamentare nga çdo formë e autoritarizmit e despotizmit të individit të papërgjegjshëm, siç po manifestohet pandërprerë nga presidenti Thaçi", vlerësoi ai. Sipas Zeqës, nga aventurat e presidentit Thaçi dhe papërgjegjësia e skenës politike në përgjithësi Kosova po rrezikon të hyjë në një cikël të ri dhune e tensionesh, protestash e trazirash, vetëm e vetëm që Thaçi të shfaqet sërish si "shpëtimtari" i kombit, siç di ai të inskenojë dhe mashtrojë popullin, edhe pse është kalbur në miliarda e tash mendon si të dalë i palagur nga vorbulla e korrupsionit, pa u përballur me drejtësinë për krimet e veta sa ishte kryeministër e tani president i katapultuar nga një marrëveshje private."Megjithatë, kësaj radhe Hashim Thaçi do të tradhtohet keq në parashikimet e tij, për shkak se dita-ditës është duke mbetur më i vetmuar në skenën politike, duke rënë teposhtë në stilin e "rënies së lirë" drejt përfundimit të karrierës politike, duke i shkaktuar edhe humbjen fatale shtetit të Kosovës", tha Zeqa për "Kosova Sot".

Qytetarët të dërrmuar nga pushtetarët manipulues
Tanimë edhe qytetarët janë bërë tepër të lodhur me këto lojërat e presidentit Thaçi, prandaj, sipas tyre, nëse vërtet ndodh hapja e temës së kufijve në bisedimet me Serbinë, atëherë kjo temë duhet të mbyllet vetëm duke u finalizuar njëherë e përgjithmonë fati i trojeve shqiptare në Ballkan, bashkimin e shqiptarëve në një shtet të përbashkët. Bisedimet me Serbinë duhet të zhvillohen vetëm për tema të interesit reciprok të normalizimit të marrëdhënieve, për demaskim të kufijve sipas normave ndërkombëtare që është bërë edhe në mes ish-republikave të tjera të ishJugosllavisë së shpërbërë dhe në asnjë mënyrë në formë tjetër, që dëmton tërësinë territoriale të shtetit të Kosovës. Këtë e thotë qytetari Cen Pushkolli. "Unë mendoj që edhe rezolutat, të cilat i sjell OKB-ja, jo në të gjitha rastet janë obligative për shtetet në fjalë, mund t'i pranojnë e mund të mos i pranojnë dhe rrjedhimisht dihet që në politikë asnjëherë të gjitha gjërat nuk tregohen dhe nuk bëhen krejtësisht publike për opinion, që në fillimin e bisedimeve për ato çështje. Tani edhe kjo temë që është hapur konsideroj se në fund mund të jetë një rrugë që në fund duhet të na çojë deri te bashkimi kombëtar, prandaj në këtë relacion final askush askënd nuk duhet ta marrë të drejtën dhe ta quajë njërin apo tjetrin tradhtar apo diçka tjetër. Unë nuk mendoj që tani mund të gjendet diku një tradhtar kombëtar në mesin e shqiptarëve, të shqipfolësve, mund të ketë të atillë që u takojnë shërbimeve të ndryshme, të huaja sekrete, për ndonjë qëllim të caktuar. Por, papë mendoj që edhe kjo duhet të konvertohet vetëm për të mirën finale të çështjes kombëtare mendoj unë", u shpreh ai. "Dihet fare mirë që shtetet, të cilat na kanë njohur mbi këtë bazë të tanishme, e që janë rreth 116 shtete, ata duhet ta garantojnë këtë lloj marrëveshje, për të cilën unë mendoj që përtej kësaj synimet tona duhet të jenë vetëm tek bashkimi kombëtar", tha Cen Pushkolli për "Kosova Sot". Qytetari Ismail Hamiti tha për "Kosova Sot" se derisa Kosova është republikë parlamentare, presidenti duhet të mbajë ato kompetenca që ka dhe të mos bëjë asnjë provokim tjetër, tentativë të uzurpimit të kompetencave të Kuvendit, sepse kjo do ta çonte vendin në një anarki totale dhe në totalitarizma, shkelje të plotë të demokracisë përfaqësuese nga vota e popullit. "Kërkesa apo tentativa e kryetarit, presidentit Thaçi, që të përfitojë akoma më shumë kompetenca përmes interpretimit nga Gjykata Kushtetuese, mendoj që nuk është aspak serioze dhe nuk është me vend. Kur them kështu kam parasysh qëllimin e tij që dëshiron të ketë ingerenca më të mëdha në vendimmarrje, edhe duke anashkaluar Kuvendin e Kosovës dhe kjo nuk guxon të ndodhë në këtë moment kur Kosova është në momentet vendimtare të zhvillimit të saj. Ky do të ishte një lloj grushtet presidencial në institucionet tjera prandaj nuk i duhen dhe nuk duhet t'i lejohen ato. Çfarëdo që zhvillohet në procesin e bisedimeve, le të zhvillohet vetën në bashkëpunim dhe bashkë koordinim ndërpartiak e ndërinstitucional, në interes të shtetit, me të gjitha institucionet tjera", potencoi ai. Sipas Hamitit, Gjykata Kushtetuese kurrsesi nuk duhet të lejojë që të marrë presidenti kompetenca të tjera, sepse Kosova është Republikë parlamentare dhe fjala e fundit për të gjitha çështjet e interesit nacional thuhet dhe merret vendimi në Kuvend.

(Kosova Sot)