Dështimi skandaloz, importet MILIARDËSHE PUSHTUAN TREGUN KOSOVAR

  • 23 September 2018 - 07:54
Dështimi skandaloz, importet MILIARDËSHE PUSHTUAN TREGUN KOSOVAR

Prodhimi u la në hije, korrupsioni dominoi agjendat politike

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për tregtinë e jashtme, për muajin qershor flasin për një thellim të deficitit tregtar mbi 23 për qind. Ndërkohë që Serbia vazhdon të jetë partneri kryesor tregtar i Kosovës në rajon. Sipas ASK-së, eksporti i përgjithshëm i mallrave në muajin qershor 2018 kishte vlerën 37.1 milionë euro, ndërsa importi 305.7 milionë euro, që është një rënie prej 2.8 për qind për eksport dhe një rritje prej 19.6 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo i bie që deficiti tregtar i vendit është përkeqësuar krahasuar me vitet paraprake dhe në çdo 10 euro mallra të importuara, Kosova ia del të eksportojë vetëm 1 euro. Andaj, sipas njohësve të fushës së ekonomisë, kjo gjendje është e pashpresë, të cilën e kanë katandisur pushtetarët oligarkë dhe ndihmësit e tyre në bizneset mafio-oligarkike. Kjo, ngase me këto politika ekonomike po shpërblehet Serbia nga mafio-oligarkët kosovarë, bashkë me pushtetarët, duke blerë mallra serbe rreth 500 milionë euro në vit dhe kjo është për keqardhje. Bankieri Milazim Abazi, për gazetën "Kosova Sot", thotë se deficiti i lartë tregtar është një ndër problemet ekonomike që Kosova është përballur vazhdimisht që nga pas lufta. Sipas tij, mbulueshmëria e importit me eksport vazhdimisht është sjellë rreth 10 për qind. "Në muajin qershor 2018 kjo mbulueshmëri qenka pak më mirë, diçka mbi 12 për qind. Këtë problem të deficitit tregtar në njëfarë forme po e amortizon diaspora kosovare me remitencat e saj, përndryshe Kosova do të ballafaqohej me krizë të thellë në bilancin e pagesave", u shpreh ai.

Degradimi ekonomik

Ndërsa, analisti Mustafë Kadriaj, për gazetën"Kosova Sot", thotë se partitë politike dhe pushteti në Kosovë nuk kanë kapacitet intelektual që të ndryshojnë këtë gjendje dhe njëherësh nuk kanë disponim, sepse sistemi i instaluar në Kosovë, ndërrimi i qeverive, si edhe numri i madh i subjekteve politike në qeverisje nuk kanë interesim për politika dhe strategji afatgjate për ekonomi, sepse interesimi i tyre është që të shfrytëzojnë sa më shumë buxhetin. "Si rezultat, po e pëson ekonomia në vend, duke u thelluar edhe më shumë raporti import- eksport si rezultat i keqqeverisjes dhe korrupsionit të lartë. Edhe pse Kosova është anëtare e MSAsë, nuk po kemi reflektim pozitiv, sepse interesimi i partive politike që marrin përfaqësi të markave të ndryshme është i madh, me qëllim që t'i kthejnë më shpejt në mjetet financiare, andaj edhe si rezultat i këtyre politikave po dëmtohet çdo ditë prodhuesi vendor, duke u ngulfatur nga importi i madh që ka rezultuar me mbyllje të një numri të madh të bizneseve", vlerësoi Kadriaj. Ndërsa, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës Xhevdet Neziraj, për gazetën "Kosova Sot", thotë se deficiti tregtar në vend është shumë i lartë dhe ai po rritet vazhdimisht për shkak të rritjes se mëtutjeshme të importit. "Eksporti po shënon rritje të vogël dhe nuk ka shenja të rritjes në një të ardhme të afërt", u shpreh ai. "Struktura e importit, ndonëse ka filluar për t'u ndryshuar duke u rritur më shumë importi i makinerisë dhe faktorëve të prodhimit, por brengos fakti se ende importi është i lartë në produktet që me lehtësi dhe me pak investime munden lehtësisht të prodhoheshin në Republikën e Kosovës. Pa marrë parasysh se kush vjen në Qeveri, pa ndërrimin e strukturës së ekonomisë së vendit, vështirë se do të ketë ulje të deficitit tregtar", potencoi Neziraj.

Eksportet modeste

Lidhur me çështjen, analisti i ekonomisë Lulzim Beqiri, për "Kosova Sot", tha se që nga pas lufta e deri më sot, Kosova ka vazhduar që të jetë importuese e shumicës së produkteve që konsumon, dhe kjo është tepër shqetësuese. Ngase, sidomos Serbia po e dominon importin e Kosovës me nivelin prej 14.2 për qind të importit total nga vendet e CEFTA-së vjen nga Republika e Serbisë, më pas vjen Maqedonia me 5.5 për qind, Shqipëria radhitet e treta si partner importi me Kosovën me 5.3 për qind". Ai thotë se më 2017, këmbimi tregtar, Kosovë -Shqipëri arriti në masën 202 milionë euro, nga 149 milionë euro të realizuara në vitin 2016, pra një rritje me 33 për qind më shumë. "Në përqindje, eksportet e Kosovës në drejtim të Shqipërisë u rritën në masën 46.39 për qind, ndërsa ato të Shqipërisë në drejtim të Kosovës u rritën në masën 30.34 për qind. Në vlera monetare, gjatë vitit që lamë pas, Shqipëria eksportoi 176. 9 milionë euro, ndërsa Kosova 53. 9 milionë euro", u shpreh Beqiri. Sipas tij, Republika e Kosovës ka kapacitet të mjaftueshëm të prodhojë produkte që i nevojiten për konsum. Siç dihet, bizneset prodhuese e kanë rritur cilësinë dhe janë pajisur me teknologjinë e fundit çka edhe jep një lajm pozitiv se me gjithë problemet, Kosova ka filluar rrugëtimin e plotësimit të disa nevojave të cilat mund t'i prodhojë. Mund të përmendim prodhimin e miellit, ku Kosova i plotëson nevojat e veta me 85 për qind, pastaj qumështi, mishi, patatja, pijet etj", vlerësoi ai. 

PRODHIMI ZVOGËLON IMPORTIN

"Deficiti tregtar nuk mund të përmirësohet pa rritje të vazhdueshme të prodhimit vendor dhe pa eksport masiv të shërbimeve profesionale. Përmirësimi i prodhimit në 'Trepçë', në Feronikel dhe në prodhimin e energjisë, do të ndikonte menjëherë në përmirësimin e bilancit tregtar të Kosovës në favor të eksportit. Përkrahja edhe më e madhe e Qeverisë me fonde stimuluese po ashtu do të ndikojë në ngritjen e prodhimit vendor dhe në zvogëlimin e deficitit tregtar", tha Milazim Abazi për "Kosova Sot".

STRATEGJIA EMERGJENTE

"Është detyrë urgjente e të gjithë faktorëve në vendin tonë që të përpilohet një strategji e mirëfilltë ekonomike, e cila kishte për të ndryshuar rrënjësisht strukturën ekonomike të vendit. Ne vendin tonë duhet që të krijohen lehtësira në bizneset që favorizojnë fushën e prodhimit, e sidomos të atyre produkteve që vendi ynë ka potenciale edhe natyrore, por edhe njerëzore", tha Xhevdet Neziraj për "Kosova Sot".

Duhen masa të reja

Anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, për gazetën " Kosova Sot", tha " e kemi këtë gjendje që nga pas lufta dhe kjo po ndodh si pasojë e mungesës së një industrie të zhvilluar të prodhimtarisë dhe Kosova vazhdon të importojë gati të gjitha produktet, duke filluar nga ato të konsumit, deri te produktet strategjike. "Ne nuk do ta kishim këtë gjendje, sikur të kishim më shumë subvencione që po jepen për bujqësi, që në shumë raste nuk shkojnë tek bujqit, por ato subvencione po përfundojnë te mashtruesit, që janë të lidhur me partitë në pushtet", u shpreh ai. "Për të ndërruar gjendjen nevojitet urgjentisht që Qeveria e Kosovës të vazhdojë të ndërmarrë masa shtesë për përmirësimin e kushteve të prodhimit në Kosovë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të ndikohet të rritet prodhimi dhe do të përmirësohet cilësia në masë dhe nuk bëhemi të varur nga importet", potencoi Maloku. Analisti Dardan Grapci tha për gazetën "Kosova Sot" se "kjo gjendje është e pashpresë, të cilën e kanë katandisur pushtetarët oligarkë dhe ndihmësit e tyre në bizneset mafio-oligarkike. Kjo, ngase me këto politika ekonomike po shpërblehet Serbia nga mafio-oligarkët kosovarë, bashkë me pushtetarët, duke blerë mallra serbe rreth 500 milionë euro në vit dhe kjo është për keqardhje. "Nuk kam asnjë mëdyshje se fajtore për shkëmbimet negative tregtare janë politikat aktuale të të gjitha qeverive të pasluftës, por edhe të Qeverisë së tashme, që nuk janë fokusuar në prodhim, punësim dhe rritje të nivelit të eksportit. Ndërkaq, kjo gjendje ka ardhur në saje të politikave të gabuara fiskale të të gjitha qeverive që ishin sa për sy e faqe dhe kozmetike dhe në këtë mënyrë, Kosova edhe për një periudhë të gjatë do të mbetet e varur nga importi", vlerësoi ai. Sipas Grapcit, në rritjen e bilancit negativ të tregtisë me botën ka ndikuar për të keq edhe procesi i privatizimit që e shtriu përtokë ekonominë e brishtë të Kosovës, ku shumë gjigantë të saj pas privatizimit kanë falimentuar.

 

(Kosova Sot)