PD akuza Arta Markut: Po prish dosjet e bashkëpunëtorëve të Ramës

  • 23 September 2018 - 15:02
PD akuza Arta Markut: Po prish dosjet e bashkëpunëtorëve të Ramës

Partia Demokratike akuzon Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, se po prish dosjet nën hetim të bashkëpunëtorëve të afërt të kryeministrit Edi Rama. 

Këshilltari ligjor në selinë blu, Gazment Bardhi, deklaroi se shpërbërja dhe ndëshkimi i grupit hetimor për ish-ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri, erdhi pas urdhërit për sekuestrimin e 31 pasurive të Habilajve.

“Transferimi i njërit prej prokurorëve dhe procedimi disiplinor i një prokurorit tjetër, të dosjes së Saimir Tahirit, vetëm pak orë pasi kishin urdhëruar sekuestrimin e plot 31 pasurive të grupit kriminal “Habilaj”,  është një mesazh i qartë për drejtësinë: Kush vepron ndaj bandave të lidhura me pushtetin, largohet nga detyra, ndëshkohet dhe sulmohet. Shpërbërja e grupit hetimor të dosjes së Saimir Tahirit, dhe pengimi i drejtësisë në këtë rast, janë veprime kriminale të Kryeprokurores Arta Marku dhe ajo duhet të përgjigjet përpara ligjit për këtë. Hetimi pa vonesë për padinë penale të opozitës dhe pezullimi i Arta Markut nga detyra është shërbimi më i madh që prokurorët e ndershëm mund t’i bëjnë drejtësisë, duke mos lejuar që një kryeprokurore e përkohshme, shërbëtore e krimit të organizuar, t’i bëjë Shqipërisë një dëm të përhershëm”, deklaroi Bardhi.

 

(Kosova Sot)