Grapci: Fajtore për shkëmbimet negative tregtare janë politikat aktuale të të gjitha qeverive të pasluftës

  • 23 September 2018 - 17:08
Grapci:  Fajtore për shkëmbimet negative tregtare janë politikat aktuale të të gjitha qeverive të pasluftës

Analisti Dardan Grapci tha për gazetën "Kosova Sot" se "kjo gjendje është e pashpresë, të cilën e kanë katandisur pushtetarët oligarkë dhe ndihmësit e tyre në bizneset mafio-oligarkike. Kjo, ngase me këto politika ekonomike po shpërblehet Serbia nga mafio-oligarkët kosovarë, bashkë me pushtetarët, duke blerë mallra serbe rreth 500 milionë euro në vit dhe kjo është për keqardhje. "Nuk kam asnjë mëdyshje se fajtore për shkëmbimet negative tregtare janë politikat aktuale të të gjitha qeverive të pasluftës, por edhe të Qeverisë së tashme, që nuk janë fokusuar në prodhim, punësim dhe rritje të nivelit të eksportit. Ndërkaq, kjo gjendje ka ardhur në saje të politikave të gabuara fiskale të të gjitha qeverive që ishin sa për sy e faqe dhe kozmetike dhe në këtë mënyrë, Kosova edhe për një periudhë të gjatë do të mbetet e varur nga importi", vlerësoi ai. Sipas Grapcit, në rritjen e bilancit negativ të tregtisë me botën ka ndikuar për të keq edhe procesi i privatizimit që e shtriu përtokë ekonominë e brishtë të Kosovës, ku shumë gjigantë të saj pas privatizimit kanë falimentuar.

 

(Kosova Sot)