Vonohet emërimi i ambasadorëve

  • 23 September 2018 - 21:14
Vonohet emërimi i ambasadorëve

Kosova ka mbetur pa ambasadorë në Britani të Madhe e Suedi përderisa ka nisur fazën finale të dialogut me Serbinë dhe është në prag të pritjes së vendimit të madh për heqjen e vizave me BE’në. Në MPJ thonë se kanë kryer punën si duhet, por jo gjithçka varet nga ta E sipas opozitës duke tentuar që në ambasadat e Kosovës të dërgojnë militantë partiakë kanë lënë disa përfaqësi diplomatike pa ambasadorë.

Ambasada  e Kosovës në Britani të Madhe ka disa muaj që ka mbetur pa ambasador.

Njësoj pas zotë shtëpie ka mbetur edhe ajo në Suedi, Maqedoni, Shqipëri e Emirate të Bashkuara Arabe, kur pak muaj na ndajnë nga vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për liberalizim të vizave Kosova nuk ka ambasadorë në disa qendra vendimmarrëse evropiane.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca thotë  se kjo është papërgjegjësi e Qeverisë dhe e presidentit Thaçi, pasi duke tentuar që në ambasadat e Kosovës të dërgojnë militantë partiakë kanë lënë disa përfaqësi diplomatike pa ambasadorë.

Vonesat e emërimit të ambasadorëve sipas Konjufcës po ndodhin për shkak që nuk janë pajtuar partnerët e koalicionit se kënd do ta emërojnë ambasador.

Ndërkaq në një përgjigje  të Ministrisë së Punëve të Jashtme  thuhet se kjo ministri e ka kryer punën e vetë si duhet, por jo gjithçka varet nga MPJ.

MPJ nëpërmjet e-mailit po ashtu e ka mohuar se është refuzuar ndonjëri nga personat që është propozuar për ambasador.

 Sipas disa burimeve ambasador të rijnë priten të jenë Avni Arifi, Gjergj Dedaj, Avni Kastrati, dhe Nait Hasani.

E përveç mungesës së ambasadorëve Kosova ka mbetur pa shef edhe në zyrën ndërlidhëse në Beograd, tani kur ka hyrë në fazën finale të dialogut me Serbinë.


 

(Kosova Sot)