Kërkohet pension i parakohshëm për qindra mësimdhënës me sëmundje të rënda

  • 23 September 2018 - 22:44
Kërkohet pension i parakohshëm për qindra mësimdhënës me sëmundje të rënda

120 mësimdhënës janë identifikuar me sëmundje të rënda në nivel vendi dhe një numër i madh i tyre ende janë në punë, me gjithë vështirësitë që i kanë.

Vetëm në komunën e Lipjanit, dhjetë mësimdhënës janë identifikuar me sëmundje malinje.

Drejtori i arsimit, Rasim Hasani, ka thënë se ua ka mundësuar pushimin siç u takon me ligj, por më shumë nuk ka pasur çfarë të bëjë.

Sipas tij, Ministria duhet të marrë masa për t'iu ndihmuar këtyre mësimdhënësve me ndonjë pension të parakohshëm, në mënyrë që t’ua sigurojë një pjesë të shpenzimeve për barna dhe trajtim mjekësor.

Aktualisht, mësimdhënësit detyrohen të japin mësim edhe gjatë periudhës derisa janë duke u trajtuar me kimioterapi.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka kërkuar nga drejtoritë e arsimit të komunave që ta deklarojnë saktë numrin e mësimdhënësve të sëmurë.

Pos shëndetit të vetë mësimdhënësve, të rrezikuar mbesin edhe nxënësit pasi që asnjë punëtor arsimi nuk detyrohet të dokumentojë gjendjen shëndetësore.


 

(Kosova Sot)