Qeveria e mashtrimeve nuk e korrigjon kufirin me Malin e Zi

  • 24 September 2018 - 07:31
Qeveria e mashtrimeve nuk e korrigjon kufirin me Malin e Zi
Hertica: Nuk kthehet asgjë që është falur nga kjo kastë e mjerë politikanësh 

"Çështja e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi ka qenë një telenovelë e luajtur nga familja Haradinaj dhe i zoti i kësaj shtëpie, Ramush Haradinaj, për të kapur një copë pushteti, duke lëpirë ato që kishte pështyrë. Nuk do të ndodhë kurrë një korrigjim i tillë i kufirit dhe për këtë marrëveshje vetëm të marrët mund të mendojnë se diç e të tillë mund të korrigjohet jashtë ligjit", thotë për gazetën "Kosova Sot" eksperti i fushës së integrimeve evropiane, analisti Jeton Kelmendi 

Qeveria e Kosovës ende nuk është prononcuar se kur do të bëhet korrigjimi i kufirit me Malin e Zi, me të cilin arsyetim para 6 muajsh u votua Marrëveshja e Demarkacionit me shtetin malazez. Ndërkaq, në arsyetimin e kësaj qeverie është thënë se miratimi i kësaj marrëveshje ka pasuar gjoja pas nënshkrimit të një deklarate të përbashkët mes presidentëve të të dyja shteteve, e cila parasheh formimin e një grupi punues, i cili do t'i korrigjonte lëshimet që janë bërë. Mirëpo, mbetet një enigmë se çfarë është duke bërë Qeveria 'Haradinaj', përkatësisht se kur pritet që të bëhet korrigjimi i kufirit nga Komisioni Shtetëror për Mbikëqyrjen dhe Mirëmbajtjen e Kufirit. Së këndejmi nga analistët dhe qytetarët po vlerësohet se korrigjimi i demarkacionit, për të cilin u bën protesta të shumta dhe në Kuvendin e Kosovës u hodh gaz lotsjellës për tre vjet rresht, tashmë është harruar nga kjo qeveri. Ndërsa analistët dhe qytetarët vlerësojnë se e tëra kjo ishte vetëm një farsë për ta mbajtur klanin" Pronto" në pushtet, që të zhvatë edhe atë që ka mbetur pa e zhvatur deri më tash. 

Bulliqi: Ne si komision e kemi gatishmërinë që t'i kyçemi këtij aktiviteti
Lidhur me temën, kryetari i Komisionit Shtetëror për Mbikëqyrjen dhe Mirëmbajtjen e Kufirit me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi, për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se nuk është në dijeni se çfarë është duke bërë Qeveria për këtë çështje, por ka shtuar se si komision tashmë e kanë hartuar një raport që është pjesë e marrëveshjes integrale që është nënshkruar me Malin e Zi."Më duhet që të sqaroj se ne si komision e kemi gatishmërinë që t'i kyçemi këtij aktiviteti dhe ta dërgojmë procesin përpara në këtë drejtim. Mirëpo, bazuar në marrëveshjen, por edhe ato që janë nënshkruar më vonë, është paraparë që të krijohet një grup punues nga ana jonë, që do ta krijojë qeveria jonë", është shprehur ai. Sipas Bulliqit, në momentin të cilin Qeveria e sheh se është çasti më i përshtatshëm për ta bërë këtë me siguri se do të fillojë ky proces. Por, Qeveria nuk ka kthyer përgjigje në pyetjen e gazetarit lidhur me çështjen. Eksperti i fushës së integrimeve evropiane për drejtësinë, analisti Jeton Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot" thotë se çështja e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi ka qenë një telenovelë e luajtur nga familja Haradinaj dhe i zoti i kësaj shtëpie, Ramush Haradinaj, për të kapur një copë pushteti dhe për të lëpirë ato që kishte pështyrë. Kelmendi mendon se nuk do të ndodhë kurrë një korrigjim i tillë i kufirit dhe kësaj marrëveshje dhe vetëm të marrët mund të mendojnë se diç e të tillë mund të korrigjohet jashtë ligjit

Kauzë politike për të marrë pushtetin
Analisti Ali Hertica për gazetën "Kosova Sot" thotë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se Ligji për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi është miratuar në pajtim me Kushtetutën e vendit."Demarkacioni Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, pasi që nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe kësisoj jashtë fushëveprimit të juridiksionit të Gjykatës Kosova, marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, në mënyrë që të mos u lihet hapësirë vendeve të BE-së që të dalin kundër vendimit". Hertica thotë se në draftdokumentin e Këshillit të Evropës, që tregon për konkluzionet në lidhje me Procesin e Zgjerimit dhe të Stabilizimit dhe Asociimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, në pjesën ku përmendet Kosova, thuhet se "Këshilli mirëpret ratifikimin nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe jo korrigjimin në vijim të marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi në mars të vitit 2018. Në këtë draftdokument, Këshilli i Evropës ka kritikuar edhe punën e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se Kuvendi duhet ta përmirësojë ndjeshëm performancën si forumi kryesor i punës legjislative", është shprehur analisti Ali Hertica për gazetën "Kosova Sot". Ai nuk beson se do të ketë hapa tutje rreth korrigjimit të kufirit me Malin e Zi. Analisti politik, Arsim Haziri, për gazetën "Kosova Sot" thotë se prononcimi i dikurshëm publik i dy presidentëve rreth ratifikimit të demarkacionit në Parlamentin e Kosovës, në një kohë të shkurtë do të përcillej me formimin e dy komisioneve për t'i shuar zërat kritikë që po i dominonin zhvillimet politike. "Ato më shumë kanë qenë sa për ta avancuar edhe më tej pozicionin e koalicionit në fuqi, prandaj edhe janë formuluar në atë formë e përmbajtje. Kufiri, përkatësisht shënimi i tij në mënyrë të rregullt, prej subjekteve politike më shumë ka qenë kauzë politike sesa obligim i rregullt kombëtar", është shprehur analisti Haziri për "Kosova Sot". Sipas Hazirit, Kosova prej disa subjekteve politike shihet si trup që duhet përvetësuar, sidomos resurset e saja, dhe nuk çajnë kokën për dëmet që ua shkaktojnë qytetarëve.

KELMENDI: TURPI I TURPEVE QUHET RAMUSH HARADINAJ
"
Nuk do të ketë korrigjim, sepse pushtetarët shpifin lloj-lloj problemesh, siç është çështja e listave të veteranëve të UÇK-së, të cilat shpifen nga eksponentë të klanit "Pronto", në bashkëpunim me klanin "Haradinaj". Një korrigjim i tillë i kufirit me Malin e Zi nuk do të ndodhë kurrë dhe turpi i turpeve quhet Ramush Haradinaj, që e tradhtoi këtë kauzë dhe natyrisht se e paturpshme nuk do të shpëtojë as LDK-ja, që është nënshkruese e kësaj marrëveshje për Kosovën. Prandaj, kjo tokë do të humbasë, sepse është e harruar, sepse kështu deshën ta harrojnë politikanët dhe një shpresë e madhe ishte Ramush Haradinaj, që u dorëzua për një fije pushtet dhe krejtësisht pa fije turpi e harroi kufirin me Malin e Zi", theksoi analisti Jeton Kelmendi për "Kosova Sot" 

Qytetarët, të zhgënjyer me harresën e Qeverisë për korrigjimin e kufirit me Malin e Zi Edhe qytetarët e anketuar janë tejet të zhgënjyer me qeverinë "Haradinaj". Ata thonë se korrigjimi i demarkacionit me Malin e Zi, për të cilin u bë protesta e gaz lotsjellës për tre vjet rresht, tashmë është harruar. Kësisoj, qytetari Idriz Temaj, nga Prishtina, për gazetën "Kosova Sot" thotë se nuk beson se do të ketë korrigjim të kufirit dhe ai do të mbetet ashtu si është nënshkruar marrëveshja. "Sepse korrigjimi i kufirit ishte vetëm një premtim i kotë i Qeverisë "Haradinaj" që të vijë në pushtet e të mbesë aty. Pra, ky ka qenë qëllimi i vetëm i z. Ramush Haradinaj, që bashkë me VV-në hodhën gaz lotsjellës në Kuvend, me qëllimin e vetëm që të vijë në pushtet. Haradinaj këtë e arriti. Ndërsa premtimet për korrigjim kufiri mbetën vetëm gënjeshtra e asgjë më tepër. Pra, e tëra kjo ka qenë një blof i tyre, që të vijnë në pushtet, kurse për popullin e territorin, 8 mijë hektarët e humbur, atyre as që po u intereson fare, prandaj edhe e kanë nënshkruar marrëveshjen me Malin e Zi dhe nuk do të ketë korrigjim kufiri", është shprehur ai. Ndërsa, qytetari tjetër, po ashtu nga Prishtina, Bejtë Murtezi, për gazetën "Kosova Sot" thotë se nuk beson se do të ketë korrigjim të kufirit me Malin e Zi, ngase Hashim Thaçi që kur është kryer lufta po bën çfarë po do me Kosovën. "Sepse pushtetarët tanë nuk e çajnë fare kokën për popullin dhe Kosovën, por në radhë të parë ata mendojnë vetëm për veten e tyre ndaj edhe gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës ishte vetëm një blof i tyre". Por, sipas qytetarit Murtezi, ata mendojnë vetëm për veten e tyre e më pas për shtetin, në vend se të jetë e kundërta, që të mendojnë njëherë për shtetin e më pas për veten e tyre. "Jam plak e nuk po kam nga t'ia mbaj, se nuk jetohet me 170 euro, edhe unë do të dilja përjashta se kjo nuk është jetë", është shprehur ai.

(Kosova Sot)