Klanet mafio-oligarkike mbajnë NË "GRUSHT" DREJTËSINË

  • 24 September 2018 - 07:34
Klanet mafio-oligarkike mbajnë NË
Preteni: Hetuesia dhe gjykatat janë pjesë e krimit dhe jo pjesë e luftimit të krimit 

"Pa dyshim, me këta gjyqtarë dhe prokurorë, të shitur e të interferuar, nuk mund të vendoset ligji, të cilët para se të veprojnë ata u raportojnë partive e njerëzve të inkriminuar të mafio-oligarkisë. Ndaj, krimet e 19 vjetëve të pasluftës dhe 10 vjetëve pas pavarësisë, nga pushtetarët e fuqishëm dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale, ku bëhet fjalë për qindra miliona euro, përmes monopoleve, MVNO-s, 'Z-Mobile', e shumë krimeve të tjera ekonomike e politike, fare nuk ka shans të trajtohen e të hetohen nga kjo strukturë e prokurorisë dhe gjyqësorit, e lidhur me krimin e organizuar, pasi janë pikërisht nëntoka kriminale dhe mafiooligarkët e klanit 'Pronto', 'Coca Cola Zero' dhe të tjerëve", thotë për "Kosova Sot" analisti Bislim Aliu

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit nuk presin që në realitetin e tanishëm të funksionimit të drejtësisë kosovare të ketë drejtësi të pavarur dhe në funksion të lirive e të drejtëve të qytetarëve të garantuar me ligjet dhe Kushtetutën, pasi që ky sistem, sipas njohësve të kësaj fushë, po udhëhiqet nga gjyqtarë e prokurorë të shitur e të interferuar nga politika dhe krimi i organizuar, që para se të veprojnë u raportojnë partive e njerëzve të inkriminuar të mafio-oligarkisë. Prandaj, kjo është një nga arsyet kryesore, sipas ekspertëve të fushës, që tanimë krimet e 19 viteve të pasluftës dhe të mbi 10 viteve të pas pavarësisë, nga pushtetarët e fuqishëm dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale, ku bëhet fjalë për qindra miliona euro përmes monopoleve, MVNO-s 'Z-Mobile', e shumë krimeve të tjera ekonomike dhe politike, nuk ka shans që të trajtohen e as të hetohen nga kjo strukturë e prokurorisë dhe gjyqësorit e lidhur me krimin e organizuar, pasi që janë pikërisht nëntoka kriminale dhe mafio-oligarkët e klanit "Pronto", "Coca Cola Zero" dhe të tjerëve që e mbajnë në "grusht" tërë sistemin e degraduar e të stërkequr të (pa)drejtësisë kosovare. Derisa drejtësia nuk funksionon si duhet, ekspertët e kësaj fushe theksojnë se Kosova e ka humbur Kosova shansin për një shtet të së drejtës e ku do të sundonte ligji, derisa ka shkuar teposhtë, duke degraduar kështu keq e më keq në çdo sektor të drejtësisë dhe sot askush nuk i beson më sistemit të drejtësisë të kapur nga krimi i organizuar. 

PRETENI: PROBLEM I MADH ËSHTË PRISHJA E PROVAVE NGA POLICIA!
Eksperti i kësaj fushe, Hasan Preteni, theksoi për "Kosova Sot" se është një hipokrizi në çdo hap, sepse kur bisedon me gjyqtare të sinqertë ata tregojnë edhe hallet e tyre dhe reagimi është akoma më i sinqertë dhe shumë problematik që rrëfejnë ata."E mbaj familjen dhe duhet të punoj, nxjerri vendime edhe në bazë të provave të rrejshme të policisë", citon Hasan Preteni."Jam i sigurt se nuk janë të vërteta, por unë duhet të veproj në bazë të provave që sjell policia, ato janë false dhe të ndikuara. Përvojë tjetër, një gjyqtar, titullar i një niveli të lartë thotë: "Po na kritikon shumë, por nuk po e thua as një të dhjetën se si është situata në gjyqësor. Vonohen raste, por problemi më i madh është prishja e provave nga policia. Rastet nuk lajmërohen, nëse lajmërohen nuk trajtohen si duhet, provat shtrembërohen, aktakuzat nuk bazohen në fakte dhe aktgjykime jo reale. Kush janë hetuesit policore, sa janë të pasur ata, ku ju punojnë... bashkëshortet-bashkëshortit, si ju ruhen vendet e punës atyre, cila është lidhja e tyre me prokurorët, si janë të lidhur ata me politikën, kuja i shërbejnë ata? Nuk janë të pavarur, nuk janë të varfër, nuk kanë përgjegjësi, nuk kanë norme, nuk ka llogaridhënie!!! Tek hetuesi nuk ka punë serioze, ka krim dhe korrupsion. Si të pritet tek të tjerët se do punojnë drejtë. Hetuesia dhe gjykatat janë pjesë e krimit dhe jo pjesë e luftimit të krimit", theksoi analisti Preteni për "Kosova Sot".

KAPITI: DREJTËSIA NË KOSOVË SILLET SI AVOKATURË E POLITIKËS
Sipas njohësit të kësaj fushe, Skënder Kapiti, në Kosovë nuk ka sundim të ligjit dhe as funksionim të demokracisë, përderisa vepron juridikisht drejtësia, si një drejtësi e tejskajshme politike."Si një drejtësi e tillë, ajo ashtu sikurse edhe politika kosovare e ka sfiduar sferën e shërbimit juridik e publik të pavarur dhe të paanshëm, duke i shërbyer si politikës, ashtu edhe interesave të tyre personale edhe gjyqtarët e prokurorët e zgjedhur, të emëruar dhe të punësuar në drejtësi nga politika dhe për t'i shërbyer po politikës. Drejtësia në Kosovë është politike, sepse ajo sillet si avokaturë e politikës, duke mbrojtur krimin e korrupsionin politik së pari të oligarkisë politiko-pushtetare, përderisa deri më sot askush prej politikanëve dhe pushtetarëve nuk është vënë dhe as nuk është hetuar, pavarësisht se janë bërë mediatike dhe shumë e shumë kallëzime e denoncime publike për afera dhe zhytje në krim e korrupsion të shumë e shumë politikanë e pushtetarë, qeveritare, qendrore dhe të pushtetit lokal", theksoi analisti Skënder Kapiti për "Kosova Sot".

Aliu: Kosova e ka humbur shansin për një shtet të së drejtës
Ky sistem nuk mund të ofrojë drejtësi të vërtetë, të pandikuar, edhe sipas analistit Bislim Aliu. "Pa dyshim, me këta gjyqtarë e prokurorë, të shitur e të interferuar, nuk mund të vendoset ligji, të cilët para se të veprojnë ata u raportojnë partive e njerëzve të inkriminuar të mafio-oligarkisë. Ndaj, krimet e 19 vjetëve të pasluftës e 10 vjetëve pas pavarësisë nga pushtetarët e fuqishëm dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale, ku bëhet fjalë për qindra miliona euro, përmes monopoleve MVNO-s, 'Z-Mobile', e shumë krimeve të tjera ekonomike e politike, fare nuk ka shans të trajtohen e të hetohen nga kjo strukturë e prokurorisë dhe gjyqësorit, e lidhur me krimin e organizuar, pasi që janë pikërisht nëntoka kriminale dhe mafio-oligarkët e klanit 'Pronto', 'Coca Cola Zero' dhe të tjerëve, që vazhdimisht e mbajnë në "grusht" tërë sistemin e degraduar e të stërkequr të drejtësisë kosovare. Dhe, për këtë, Kosova e ka humbur shansin për një shtet të së drejtës, ku do të sundonte ligji dhe drejtësia dhe sot askush më nuk i beson sistemit të drejtësisë, të kapur gjithherë nga krimi i organizuar? Tani për këtë, edhe mund të pyetemi, a thua, si mund të kemi sundim të ligjit, në një vend kur politika dhe nëntoka kriminale, reduktojnë e bëjnë punësime në sistemin e drejtësisë, sepse po nuk pate lidhje me politikën dhe nuk u shërben atyre 100%, nuk mund të bëhesh as një punëtor i thjeshtë, e të mos flasim për prokurorë e gjyqtarë në "drejtësinë" kosovare", tha Aliu për "Kosova Sot".

MIFTARI: DREJTËSIA ËSHTË PRONË E DISA KLANEVE MAFIOZE, POLITIKE, QË E UDHËHEQIN KOSOVËN QË NGA PAS LUFTA
Sipas ekspertit të fushës së sigurisë, Naim Miftari, me këtë strukturë të tanishme në drejtësi vetëm ndonjë dënim mandator mund të jetë i suksesshëm të kryhet në mënyrë të pavarur, sepse për të tjerat as që mund të flitet për drejtësi reale, derisa nuk reformohet sistemi në tërësi, me një ndërhyrje të fuqishme ndërkombëtare- dora e fortë e ambasadorit të ri amerikan. "Me këta gjyqtarë, këtë polici e këta prokurorë, këta politikanë, që udhëheqin sot korrupsionin e klanit 'Pronto', në AKM, pastaj klani 'Coca Cola Zero", 'Devolli', PTK, 'Z-Mobile', KEK, 'Trepça', e mijëra afera tjera, nuk do të zgjidhen kurrë. Drejtësia është pronë e disa klaneve mafioze, politike, që e udhëheqin Kosovën që nga pas lufta. Personalisht kam shpresë se ambasadori i ri amerikan do t' i thotë STOP MAFISË politike dhe do të sjellë një VETING edhe më të fuqishëm në Kosovë sesa ai i Shqipërisë. Tash për tash kemi prokurorët, kryeprokurorët dhe ministrat që as çorapet me lara nuk guxojnë t'ia mbathin pa marrë leje nga shefat politikë që njëkohësisht janë shefa të mafisë në Kosovë. Mund të flitet se çfarë prokurorësh e kryeprokurorësh kemi që kur paraqitet ndonjë fakt për korrupsionin e nivelit të lartë, së pari i thirrin bosët e vet politikë dhe të mafisë duke i pyetur se a bën të ngrihet aktakuzë kundër "X" politikanit, pasi ka edhe argumente. Dhe shpresa e fundit është se ky popull i vuajtur, i përgjumur, do të zgjohet nga gjumi dhe nga të qenit i mashtruar e gënjyer, i vjedhur, i urryer dhe i varfër, dhe do t'i përmbysë këto PIRAMIDA, KLANE POLITIKE MAFIOZE. Shpresat janë te ambasadori i ri amerikan, që shpresoj se nuk do të jetë sikurse ambasadorët e fundit amerikanë, që ishin vetë ata që e reklamonin sundimin e ligjit, por i përkrahnin politikanët tanë të korruptuar e të zhytur deri në fyt në korrupsion dhe krim të organizuar", theksoi analisti Naim Miftari për gazetën "Kosova Sot"

(Kosova Sot)