Mot i ftohtë gjatë kësaj jave

  • 24 September 2018 - 09:01
Mot i ftohtë gjatë kësaj jave

Javë me mot të ftohtë por kryesisht të kthjellët, vende-vende edhe me ngrica, sipas matjeve të PrishtinaWeather.

Parashikimet e ditëve të fundit për mot të ftohtë gjatë javës së ardhshme, tashmë janë më të besueshme. Masa të ftohta ajrore nga Atlantiku verior, të paraprirë nga një front i ftohtë, do të depërtojnë shpejt edhe mbi rajonin tonë, ku gjatë ditës së nesërme do të sjellin vranësira, erëra me reshje të dobëta shiu, dhe rënie të theksuar të temperaturave nën vlera mesatare. Në vise malore mbi 1000m, në ato pjesë kur priten të reshura edhe gjatë natës, paraqiten mundësi që reshjet e shiut të shndërrohen në borë.

Më pas një anticiklon i fuqishëm nga Azoret, përgjatë Evropës perëndimore do të shtrihet edhe mbi rajon, që pritet të sjellë mot stabil dhe kryesisht të kthjellët, por masat e ftohta ajrore do të mbeten, që do të vazhdojnë t’i mbajnë temperaturat e ulëta, e në orët e mëngjesit vende-vende priten edhe ngrica.

24.09 – Paradite mot kryesisht me diell. Gjatë ditës me kalimin e frontit, vranësirat do të shtohen dhe do të fryjë erë e fuqishme verilindore. Vende-vende priten reshje të dobëta shiu. Në mbrëmje ftohtë.

25.09 – Mot i ftohtë, pjesërisht i vranët. Në mbrëmje edhe më ftohtë.

26.09-27.09 – Mot i ftohtë, kryesisht me diell. Në mëngjes vende-vende mundësi edhe për ngrica.Temperaturat e ajrit, do të pësojnë rënie të ndjeshme nën vlera mesatare. Minimalet do të zbresin nga 12C, të hënën, në 0C deri +1C nga mesi i javës, ndërsa maksimalet nga 25C deri në 15C.

Sipas Prishtina Weather, era do të fryjë mesatare dhe fuqishme nga verilindja 5-15m/s. Shtypja atmosferike do të rritet lart mbi vlera normale.

(Kosova Sot)