Fushatë për rritjen e vetëdijes qytetare rreth mbrojtjes së mjedisit

  • 24 September 2018 - 09:34
Fushatë për rritjen e vetëdijes qytetare rreth mbrojtjes së mjedisit

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë sot me fillim nga ora 10:00 do të bëjë lansimin e Fushatës për Mjedisin dhe Javës së Diplomaci për Klimë.

Fushata për Mjedisin do të fillojë sot dhe do të zgjasë deri në 14 dhjetor 2018.

Uji, Cilësia e ajrit, Menaxhimi i Mbeturinave dhe Efiçienca e Energjisë janë katër shtyllat kryesore të fushatës. Përmirësimi i mjedisit është një nga hapat kryesorë për Kosovën në procesin e integrimit evropian.

Fushata për Mjedisin synon rritjen e nivelit të ndërgjegjësimit në mesin e popullatës së Kosovës për mbrojtjen e mjedisit dhe për të sfiduar idenë se mbrojtja e mjedisit është vetëm në përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës.

Më konkretisht, fushata gjithashtu do të synojë edhe politikëbërësit, akademikët, krijuesit e opinionit, mediat dhe gjeneratat e reja që të angazhohen më aktivisht dhe të bëhen një zë për të ndryshuar situatën alarmante të mjedisit në Kosovë.

Fushata për Mjedisin zbatohet nga Qendra Informative Kulturore e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Java e Diplomacisë për Klimën është një zotim i BE-së në ndryshimet klimatike, të iniciuar nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS) dhe DG CLIMA. Si ngjarje vjetore zhvillohet në gjithë botën.

Programi i Javës së Diplomacisë për Klimën përqendrohet në ngritjen e vetëdijes për ndryshimet klimatike, zbutjen e trendeve negative të ndryshimeve klimatike edhe në Kosovë si pjesë e zone më të gjerë gjeografike.

Lansimi i dy fushatave, Fushata për Mjedisin dhe Java e Diplomacisë për Klimë, gjithashtu përfshinë edhe shpalljet zyrtare të:

• Konkursit të Filmit të Shkurtë të Gjelbër – Fushata për Mjedisin

• Pastrimit Global të Plazhit – Fushata për Mjedisin

• Aktivitetit i fotografisë në Instagram duke përdorur hashtagun #givegreenachance – Fushata për Mjedisin

• Konferencës “A është Kosova e gatshme për ndryshimet klimatike?” – Java e Diplomacisë për Klimë

• Paraqitja e Filmit dhe Projektet e Artit Mural – Java e Diplomacisë për Klimë.

(Kosova Sot)