Investitorët e mëdhenj zgjedhin Ballkanin, por jo Shqipërinë

  • 24 September 2018 - 11:31
Investitorët e mëdhenj zgjedhin Ballkanin, por jo Shqipërinë

Raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare nënvizojnë për përmirësim të rritjes së ekonomisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Parashikimet duket se janë në këtë linjë edhe për vitet në vazhdim. Një ndër faktorët kryesorë të kësaj rritjeje janë sidomos Investimet e Huaja Direkte. Dhe “gara” e vendeve të rajonit në këtë drejtim është e ashpër. 

Së fundmi, mësohet se kompania e tretë më e madhe në botë për prodhimin e gomave të makinave ka vendosur të investojë në një qytet verior të Serbisë 994 milionë dollarë për ngritjen e një fabrike në një periudhë 6-vjeçare. Shitjet vjetore të kompanisë vlerësohet të arrijnë në mbi 2 miliardë dollarë. 

Pra, në Serbi vetëm një kontratë siguroi rreth 1 miliard dollarë investim të huaj direkt. E njëjta shifër u përmend me bujë edhe nga ministri ynë i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj pak kohë më parë. Por, me një ndryshim thelbësor. Më 18 qershor, duke folur në mbledhjen e Këshillit të Investimeve që zhvilloi, ministri deklaroi se investimet e huaja direkte po njohin rritje edhe këtë vit dhe pritet të arrijnë vlerën e rreth 1 miliard dollarëve!

Dy realitete të ndryshme

SHQIPËRIA

Është fakt që investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë pësuar rritje gjatë viteve të fundit. Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e parë të vitit investimet e huaja kishin vlerën e 291 milionë eurove. Kjo shifër është afro 47% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe ndjek ecurinë pozitive të vitit 2017, kur prekën vlerën e 970 milionë eurove. Por, cila është struktura e tyre? Investimet e huaja janë kryesisht të përqendruara në ndërtimin e veprave të rëndësishme energjetike, si gazjellësi TAP, hidrocentralet në kaskadën e Devollit, në sektorin e nxjerrjes së naftës, ndërkohë që edhe sektori financiar është një kontribues i rëndësishëm, falë injektimeve të kapitalit nga aksionerët e bankave të huaja. Më tej investimet shtrihen në sektorin e telekomunikacionit (call center), apo të fasonëve. Pra investime të vogla dhe të mesme me pak peshë në ekonomi.

SERBIA

Të dhënat zyrtare nga Serbia flasin për një vlerë të investimeve të huaja në 1,161 miliardë euro në fund të muajit të pestë të vitit, me një rritje në bazë vjetore prej 15,8%. Analistët theksojnë se ky pritet të jetë viti më i mirë në këtë drejtim, duke patur parasysh se 2017-a u mbyll me një shifër prej mbi 2,4 miliardë euro, ose 27% më shumë se viti 2016. 

Zonat e lira ekonomike

Në janar 2015, qeveria shqiptare miratoi shpalljen e zonës së Spitallës në Durrës me një sipërfaqe prej 500 hektarë, si “zonë të lirë ekonomike”. Por pas disa dështimesh në fund të muajit prill të vitit 2017 më në fund në tenderin për këtë qëllim u paraqitën dy oferta. Ndërsa pas shpalljes së fituesit nga ana e komisionit të vlerësimit të ofertave, çështja ka përfunduar në dyert e gjykatave për shkak të pretendimeve të kompanisë së renditur e dyta.

Një kalvar kaq i gjatë për hapjen e një zone të lirë ekonomike, kur p.sh. vendi fqinj Maqedonia ka funksionale 12 zona të tilla dhe ku investitorët potenciale po shtohen gjithnjë e më shumë dhe interes në rritje kanë shprehur edhe ata shqiptarë. Një studim i kryer në Serbi, suksesin e tërheqjes së investimeve në këtë vend ia atribuon edukimit primar dhe atij të lartë të fuqisë punëtore, infrastrukturës, teknologjisë, madhësisë së tregut dhe qasjes në tregjet e tjera jashtë vendit. 

Një tjetër faktor kyç i suksesit të investimeve në Serbi janë cilësuar edhe zonat e lira që janë krijuar në territore të ndryshme. Madje edhe “Financial Times“ i ka cilësuar dy zona të lira ekonomike në Serbi si dy ndër zonat më të mira në botë. Për të mos folur më tej për lehtësitë e shumta fiskale që ofrojnë këto vende për thithjen e Investimeve të Huaja Direkte.

Paralajmërimi i Bankës Botërore

Në muajin tetor 2017, Banka Botërore, në një projeksion të fundit për Shqipërisë, thekson se investimet e huaja direkte do të përfshihen në një trajektore rënëse që këtë vit dhe për të vijuar kështu të paktën deri në vitin 2019. Sipas Bankës, këto investime do të arrijnë në 8.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2017, nga 8.7 për qind që ishin në 2016-ën. 

Ndërsa, në vitin 2018 nuk pritet të jenë më shumë se 7 për qind e PBB dhe në 2019-ës do të jenë 5.6 për qind e PBB-së. Në vlerë absolute investimet e huaja pritet të bien me 22%. Në këto projeksione, Banka Botërore i vinte theksin me urgjencë reformave strukturore për të përforcuar ribalancimin e saponisur nga burimet e brendshme të rritjes ekonomike, në ato të jashtme me mbështetje më të madhe tek investimet.

 

(Kosova Sot)