ZEQA: THAÇI U KA DHËNË MILIONA EURO AGJENTËVE TË UBD-SË, TË CILËT KANË EDHE TELEVIZIONE NË KOSOVË

  • 24 September 2018 - 12:14
ZEQA: THAÇI U KA DHËNË MILIONA EURO AGJENTËVE TË UBD-SË, TË CILËT KANË EDHE TELEVIZIONE NË KOSOVË
 Analisti politik Florim Zeqa vlerëson se këto akuza publike që po i bëhen tani presidentit Thaçi, duke ngritur dyshime se ai është drejtpërdrejt i involvuar në vrasjet politike gjatë dhe pas luftës në Kosovë, në cilësinë e urdhërdhënësit, do ta zbehin akoma më shumë kredibilitetin e tij personal prej politikanit dhe liderit shtetëror, por gjithsesi kërkohet që ai vetë të deklarohet kurse drejtësia të mos hesht, por të merret seriozisht me këto të thëna publike - akuza. "Sigurisht se do ta rrënojnë akoma më shumë autoritetin dhe personalitetin e presidentit Hashim Thaçi akuzat publike të ditëve të fundit për vrasjet e pasluftës, siç ishte akuza e Gani Gecit për urdhrin e dhënies së vrasjeve të pasluftës dhe akuza e djalit të zyrtarit të vrarë të LDK-së, Shpëtim Hajdaraj, ndaj Hashim Thaçit. Sikurse njëri, Gani Geci, ashtu edhe tjetri, Shpëtim Hajdaraj, deklaruan publikisht se Thaçi ka dhënë urdhra për vrasjet e pasluftës dhe se me të do të takohen në Gjykatën Speciale. Nga pafuqia e përballjes ndaj akuzave të sipërpërmendura, Hashim Thaçi ka zgjedhur heshtjen si shpëtim, edhe pse Gani Geci po e akuzon Hashim Thaçin se është urdhërdhënës për vrasjen e ish-ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqit, gjatë luftës në Tiranë dhe se duke u munduar t'i ikë Gjykatës Speciale po mundohet kinse t'i nderojë heronjtë! Akuza tjetër publike vjen nga djali i Smajl Hajdarajt, Shpëtimi, i cili si të dyshuar kryesor për urdhër dhënien e vrasjes së babait të tij, ish-deputetit të LDK-së, Smajl Hajdaraj, i vrarë para hyrjes së banesës së tij në Pejë, në vitin 2002, e akuzon drejtpërdrejt Hashim Thaçin. Edhe po të mos ketë akuza të tjera ndaj Hashim Thaçit, këto do të jenë barrë e rëndë dhe sfida të papërballueshme të presidentit për t'u përballur në Gjykatën Speciale. Mbase këto dhe shumë raste të tjera si këto, që janë të deponuara në Gjykatën Speciale, janë arsyet që po e shtyjnë Thaçin me çdo kusht t`ia mundësojë Aleksandër Vuçiqit ndarjen e Kosovës, të cilën ai po e quan "shkëmbim të territoreve" dhe "korrigjim të kufijve. Për t'i ikur kësaj përballje, Hashim Thaçi ka dhënë miliona euro dhe do t'ua dhurojë edhe qindra miliona të tjerë agjentëve të UBD-së, të cilët kanë edhe televizione në Kosovë, e që po propagandojnë fuqishëm në kundërshtim me kushtetutën pro ndarjes së Kosovës, për ta shpëtuar Hashimin e tyre nga Specialja, por edhe duke mbushur kontot e tyre me miliona të buxhetit të shtetit. Në këtë rast, përgjegjësia bie dhe mbi Kuvendin, përkatësisht deputetët e kësaj legjislature, që nuk po kërkojnë llogari për dhjetëra miliona euro të popullit që Hashim Thaçi po i shpërndan tek kompanitë lobuese për të ndarë Kosovën në shkelje të Kushtetutës, e si kundërshpërblim të shpëtojë nga Gjykata Speciale", theksoi analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot".