Mbi 600 prokurorë dhe 200 gjyqtarë kane qenë subjekt i hetimit

  • 24 September 2018 - 13:45
Mbi 600 prokurorë dhe 200 gjyqtarë kane qenë subjekt i hetimit

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka organizuar tryezën e diskutimit me temën  “Monitorimi i Planit Strategjik të KPK-së: Ku po qëndron sistemi prokurorial në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik?”.  Aty u tha se mbi 600 prokuror dhe 200 gjyqtar kane qenë subjekt i hetimit nga Zyra e Prokurorit Disiplinor për shkak të shkeljeve të rasteve dhe keqtrajtimit tyre.

Agim Maliqi, gjyqtar në Gjykatën Supreme të Kosovës tha se janë të mobilizuar të ndjekin dhe të punojnë në lëndët që kanë të bëjnë me korrupsion.

“Ne mirëpresim që të kemi një prokurori të organizuar më të konsoliduar që sjell akuza kualitative dhe këto akuza të përfundojnë më një vendim gjyqësor që nuk mund të predikojmë fundin e tij, mirëpo akuzat duhet të jenë të përgatitura mirë, që gjykata të gjejë të vërtetën. Prandaj këto janë aspekte që e lidhin prokurorin e shtetit dhe gjykatat. Ne në kuadër të kompetencave tona këshilli gjyqësor ka bërë një komision, është përgatitur një plan i veprimit për lëndët e korrupsionit dhe në këtë plan është paraparë që të ketë një komision i cili mbledh të dhëna nga gjykatat për lëndët e korrupsionit”, tha ai.

Ehat Miftaraj drejtor në Institutin Kosovar për Drejtësi tha se gjatë monitorimit  në gjykata është vërejtur mbyllja e rasteve në mënyrë të jashtëligjshme.

“Mbi 600 prokurorë dhe 200 gjyqtarë kane qenë subjekt i hetimit nga Zyra e Prokurorit Disiplinor për shkak të shkeljeve të rasteve dhe keqtrajtimit tyre. Ne në vazhdimësi kemi pas qasje në të gjitha rastet që kanë qenë të mbyllura. Në bazë të trajtimit të tyre ka dal se prokuroria nuk i ka zbatu afatet ligjore dhe janë mbyll rastet në mënyrë të kundërligjshme,” është shprehur Miftaraj.

Genc Nimani hulumtues në organizatën “Çohu” tha se statistikat tregojnë për zgjidhje më të shpejt të rasteve mirëpo sipas tij kualiteti i zgjidhjeve nuk është i mirë.

“Është shqetësuese defektet që vazhdojnë me u përsërit brenda sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor. Nëse i shikojmë statistikat nga viti 2015 deri tani, e shohim një trend  pozitiv të zgjidhjes së rasteve. Mirëpo nëse shikojmë se si janë zgjidhur këto raste atëherë kjo lë për të dëshiruar. Nëse shikojmë në fund të vitit 2015 sistemi prokurorial ka pas në punë gjithsej 538 raste të pazgjidhura,  nëse shikojmë në fund të vitit 2018 kjo ka rënë në 298 raste. Kurse në sistemin gjyqësor në gjykata kemi pas 671 raste ne 2015 ndërsa tani në vitin 2017 kemi mbi 500 raste. Këto janë statistika janë të mira mirëpo performanca kualitative është shqetësuese”,tha ai.

Gjatë diskutimit, një theks i veçantë ju dha implementimit të Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për ngritjen e efikasitet të sistemit prokurorial për luftimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik përfshirë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme nga ana e mekanizmave të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

 

(Kosova Sot)