Banorëve të Tropojës u mbetet vetëm një zgjidhje...DHUNA!

  • 24 September 2018 - 17:48
Banorëve të Tropojës u mbetet vetëm një zgjidhje...DHUNA!

Gjykata e Apelit në Shkodër ka refuzuar të pranojë sot kërkesën për ndalimin e punimeve për ndërtimin e tre hidrocentraleve në lumin Valbona, me pretendimin se përmbaruesi Eduart Mrishaj ka sjellë me vonesë ankimimin.

Dhjetëra banorë dhe aktivistë nga Tropoja kishin ardhur sot në Shkodër për të protestuar, ndërsa pas vendimit të Apelit të këtij qyteti, përmbaruesit Mrishaj nuk i mbetet gjë tjetër veçse të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë.

Më herët Gjykata Administrative kishte vendosur ndaljen e punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve, por Gjykata e Shkallës së Parë në Tropojë, nëpërmjet një vendimi të çuditshëm, i hapi udhë vijimit të punimeve.

Vetë banorët konfirmuan qëndrimin e tyre për të mbrojtur deri në fund Valbonën nga ndërtimi i hidrocentraleve, ndërsa thanë se për të arritur qëllimin e tyre, janë gati të përdorin edhe dhunën.

Ata thanë se tërësia e vendimeve të gjykatave në Shqipëri, tregojnë qartë se kompania ndërtuese e hidrocentraleve ka blerë drejtësinë në vend, ndaj dhuna ka mbetur si zgjidhje për të ndalur ndërtimin e tyre. 

 

(Kosova Sot)