Perandoria e bordellos që udhëhiqej nga ish-detektivi

  • 24 September 2018 - 18:11
Perandoria e bordellos që udhëhiqej nga ish-detektivi

Ankesat nga fqinjët rreth prostitucionit që lulëzonte prapa mureve të holla të një apartamenti në Bruklin, kishin me muaj që vinin në departamentin policor. Burrat, që vinin gjatë gjithë kohës, pyeteshin se çfarë nacionaliteti preferonin femrat: "Brazil? Peru?". Policët shkuan atje një ditë të shtatorit të vitit 2017, duke thyer derën, por mbetën duarthatë. Bordelloja midis rrugës "Gowanus" dhe "Park Slope" ishte mbyllur në heshtje para shkuarjes së policisë, sikur që kishte ndodhur me disa bordello të tjerë, të mbyllur pak para shkuarjes së policisë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Tre rreshterë, dy detektivë dhe dy oficerë u akuzuan

Perandoria e bordellove gjithmonë ishte një hap përpara ligjit. Javën e kaluar, prokurorët zbuluan pse: ata thonë se bordellot udhëhiqeshin nga një detektiv i pensionuar policor, i cili vazhdimisht merrte informata rreth bastisjeve të planifikuara policore, duke zbuluar kështu njërin nga skandalet më të këqija të korrupsionit që ka goditur Departamentin policor të Nju- Jorkut. Detektivi i pensionuar, Ludwig Paz, 51 vjeç, ishte arrestuar dhe akuzuar për udhëheqjen e një organizate të gjerë dhe komplekse mafioze të prostitucionit dhe kumarit, që përfshinte Bruklinin dhe Kuinsin dhe kishte fitime me miliona dollarë. Tre rreshterë, dy detektivë dhe dy oficerë u akuzuan. Dy oficerëve të tjerë iu morën armët dhe distinktivët dhe u vendosën në detyra administrative. U arrestuan me dhjetëra civilë, e shumë më shumë janë në kërkim. 

 

Policët punonin për dilerët e drogës

Korrupsioni policor në qytetin e NjuJorkut ka kohë që ka manifestuar karakterin e vet famëkeq - policët e rinj duke punuar për dilerët e drogës, hetuesit veteranë në xhepat e shefave të mafisë, favoret dhe goditjet. Por, Paz, sikur që përshkruhet nga prokurorët, paraqet një lloj të veçantë: një detektiv i prishur i cili ruajti 'fytyrën e pastër' derisa u pensionua, e i cili u bë lord i krimit vetëm më pas. Tani policia thotë se, derisa ky detektiv ishte në detyrë, merrej me një karrierë tjetër, të dytë, si furnizues i prostitucionit dhe mbrojtës i shefave të prostitucionit. "Për shkak të familjaritetit të tij me natyrën e prostitucionit, si dhe me metodat e hetimit policor të tij, ai u bë një ekspert i llojit të veçantë", thotë një zyrtar policor, i cili foli me kusht të anonimitetit, meqë nuk ishte i autorizuar për të folur në lidhje me këtë rast. Zyrtarët policorë të Nju- Jorkut u ngutën që të merrnin lëvdatat për thyerjen e këtij rrethi të prostitucionit dhe kumarit, duke thënë se arrestimet ofruan dëshmi se Departamenti i policisë është i aftë që ta kryejë detyrën e vet. Megjithatë, suksesi evident i Pazit për t'iu ikur kapjeve me vite të tëra, nënvizon fuqinë vazhduese të "murit të kaltër të heshtjes", derisa oficerët mbeten të heshtur rreth të bëmave të këqija të kolegëve të tyre. Ky rast po ashtu nxori në pah dyshime të reja rreth Zyrës së punëve të brendshme të departamentit, e cila në të kaluarën u ballafaqua me çështje rreth programeve të saj antikorrupcion dhe ka dosje të njollosur rreth mbulimit të keqbërësve të mëdhenj. Paz gjendet në burg dhe avokati i tij refuzoi që të intervistohej në lidhje me këtë artikull. Por, ngritja dhe rënia e tij janë analizuar dhe përpiluar nga reporterët e "New York Times" që bënë me dhjetëra intervista me personelin aktual dhe të dikurshëm të policisë, me anëtarët e familjes së detektivit Paz dhe të tjerët. 

 

Shefi dhe shtatë policët

Intervistat dhe të dhënat gjyqësore portretizojnë një shef të krimit, i cili mbështetej te shtatë policë të cilët i kishte takuar gjatë viteve të punës, e të cilët ishin ndihmës të tij. Për më tepër, Paz kishte njerëzit 'brenda' të cilët e informonin për bastisjet e planifikuara të policisë. Organizata e tij kriminale lulëzoi për shkak të armëve të saj sekrete - shtatë policëve - por, sikur që thamë, ndihma kryesore vinte nga brenda policisë. Por, përfundimisht, "muri i kaltër" u plasarit. Informatori ishte një ish polic, i cili telefonoi Zyrën e punëve të brendshme. Në fund të fundit, mafiozët ishin të zhurmshëm, duke reklamuar prostitutat e tyre në rrjete sociale dhe duke dhënë bile edhe adresa. 

 

(Kosova Sot)