BISLIMI: IDEJA E THAÇIT PËR SHKËMBIM TERRITORESH ERDHI NGA PANIKU SE DO TË JETË I AKUZUAR NGA GJYKATA SPECIALE

  • 24 September 2018 - 18:15
BISLIMI: IDEJA E THAÇIT PËR SHKËMBIM TERRITORESH ERDHI NGA PANIKU SE DO TË JETË I AKUZUAR NGA GJYKATA SPECIALE

Sipas politologes Liridona Bislimi, presidenti duhet të flasë, të sqarohet, sepse me të vërtetë akuzat janë serioze, të cilat akoma më shumë po e ngjallin disponimin kundër tij tani, në prag të protestave që pritet të organizohen në fund të javës."Pjesëmarrja e Hashim Thaçit në ceremoninë e rivarrimit të kolonel Ahmet Krasniqit bëri që të drejtohen shumë akuza të rënda drejt tij. Madje, atij edhe iu ndërpre fjalimi nga njëri prej pjesëmarrësve, i cili e pyeti presidentin se kush ishte personi që vrau heroin Ahmet Krasniqi, e ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, ishte ai që kësaj pyetje zgjodhi t'i përgjigjej. Presidenti Thaçi ka marrë disa akuza publike shumë të rënda nga Gani Geci, i cili ka thënë se Hashim Thaçi është urdhërdhënës për vrasjen e Ahmet Krasniqit, duke u munduar t'i ikë Gjykatës Speciale po mundohet t'i nderojë heronjtë, e për këtë ish-deputeti ka thënë se do të takohet me Thaçin në Gjykatën Speciale. Akuzat drejtuar presidentit vazhduan jo vetëm nga Gani Geci. Djali i Smajl Hajdaraj, Shpëtim Hajdaraj, ka akuzuar të parin e vendit, Hashim Thaçin, për vrasjen e babait të tij dhe jo vetëm. Hajdaraj ka deklaruar se Thaçi është i dyshuari kryesor për vrasjen e shumë kundërshtarëve politikë, ku e ka përmendur edhe rastin e babait të tij. Përveç kësaj, Hajdaraj i ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në protestën e thirrur nga Lëvizja 'Vetëvendosje' kundër presidentit Thaçi. Pjesës së atyre që po e akuzojnë presidentin Thaçi si vrasës iu bashkua edhe Esat Geci, vëllai i Gani Gecit, i cili ka thënë se Hashim Thaçi është përgjegjës për të gjitha vrasjet politike që ndodhën pasluftës. Përkundër këtij fakti që presidenti është i rrethuar me akuza të shumta, ai ka zgjedhur heshtjen para përgjigjes për këto akuza. Ai po vazhdon që të lobojë për idenë e tij, që Presheva t'i bashkohet Kosovës, derisa për Gjykatën Speciale që nga iniciativa për shfuqizimin e saj nuk e ka thënë as edhe një fjalë. Ndërsa vetë ideja e Thaçit për shkëmbim territoresh erdhi pasi që Thaçin e ka kapur paniku se emri i tij mund të jetë në listën e të akuzuarve të Speciales, e me korrigjimin e kufijve po mundohet ta tërheqë vëmendjen nga to. Idenë e Thaçit për korrigjim kufijsh populli i Kosovës mund ta shikojë si episod të dytë të asaj që ndodhi në fund të vitit 2017 me tentimin për zhbërjen e Gjykatës Speciale dhe gjithë këtë presidenti Thaçi po e bën për shkak se ndihet i rrezikuar nga kjo gjykatë dhe kjo gjë e bën të qartë faktin se përse deri tani presidenti ka pritur 20 vjet që të nxisë çështjen e Luginës. Përfundimisht Republikës së Kosovës nuk i mjafton vetëm rezistenca parlamentare, por duhet edhe mobilizim popullor për të ndaluar presidentin që të negociojë kufijtë me Serbinë, si dhe të japin mesazhin që populli nuk pranon të negociohen territori dhe fati i mbarë kombit, e aq më shumë jo nga Thaçi", theksoi Liridonë Bislimi për "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)