Krasniqi reagon për rastin e Artmotion, thotë se Devollët e kanë korruptuar edhe Kuvendin

  • 24 September 2018 - 20:40
Krasniqi reagon për rastin e Artmotion, thotë se Devollët e kanë korruptuar edhe Kuvendin

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka reaguar në mbrëmjen e së hënës për rastin e blerjes së kundërligjshme të të drejtave televizive nga kompania kabllore Artmotion, në pronësi të familjes Devolli.

Sot, deputetët të Kuvendit të Kosovës kanë thënë se nuk pajtohen me vendimin e Komisionit të Pavarur për Media ndaj Art Motion, të cilës i është ndaluar transmetimi i Ligës së Kampionëve.

Krasniqi, aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, nëpërmjet një shkrimi, ka thënë se Devollët e kanë korruptuar edhe Kuvendin e Kosovës.

"Nuk ka asnjë dyshim, në Kosovë Devollet kanë vendosur monopol në shumë fusha biznesore, për faktin se ata janë duke u mbështetur nga të gjitha partitë politike, në Kuvend dhe jashtë tij", është shprehur Krasniqi.

"Jo më kotë populli ynë ka thënë: “Paraja e çon ujin përpjetë”. Se gishtat nuk është ndonjë problem. Prandaj mbështetet edhe Art Motion. Pse jo, kur mbrapa nuk të qëndrojnë vetëm të fuqishmit e politikës, por edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës", ka thënë ai. 

Shkrimi i plotë i Krasniqit:

Nëse dikush në Kosovë duhet ta e mbroj Kushtetutën, sovranitetin e shtetit si dhe rendin ekonomik e shoqëror, interesin e publikut nga krijimi i monopoleve, ata duhet të jenë deputetët e Kuvendit të Kosovës, përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve të Kosovës. Krijimi i monopoleve në cilëndo fushë të jetës, në një vend të vogël siç është Kosova, do të thotë ta goditesh xhepin e varfër të qytetarit.

Nuk ka asnjë dyshim, në Kosovë Devollet kanë vendosur monopol në shumë fusha biznesore, për faktin se ata janë duke u mbështetur nga të gjitha partitë politike, në Kuvend dhe jashtë tij. Natyrisht që ketë mbështetje ata e arrijnë jo gjithherë me mbështetje të ligjeve në fuqi. Pasi kur krijon monopol në fusha ekonomike e biznesore, krijon edhe fuqi financiare për të korruptuar e fituar mbështetje të gjithanshme e në çdo institucion, deri edhe në Kuvendit të Kosovës.

Jo më kotë populli ynë ka thënë: “Paraja e çon ujin përpjetë”. Se gishtat nuk është ndonjë problem. Prandaj mbështetet edhe Art Motion. Pse jo, kur mbrapa nuk të qëndrojnë vetëm të fuqishmit e politikës, por edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Politikat e tilla, jo vetëm që nuk janë progresiste, por fare nuk janë politika social demokrate. Dhe të gjithë e dimë se nëse ka progres e zhvillim në Botën Demokratike, meritat i takojnë politikave socialdemokrate pa të cilat nuk ka as mund të ketë drejtësi sociale.

Kosova ka shumë nevojë për një Drejtësi sociale! Politikat monopolistike as kund në botë dhe as tek ne nuk ju shërbejnë politikave të drejtësisë sociale!

Kosova e dal nga një luftë e egër pas një robërie të gjatë dhe të jetuarit në një tranzicion të stërzgjatur, vajton për politika të drejtësisë sociale!

Kush duhet t’i mbështet politikat sociale nëse ketë nuk e bëjnë socialdemokratet në Kuvendin e Kosovës?

 

(Kosova Sot)