Bekim Jashari viziton Ali Ahmetin u kërkon shqiptarëve të dalin në referendum

  • 24 September 2018 - 21:53
Bekim Jashari viziton Ali Ahmetin u kërkon shqiptarëve të dalin në referendum

Kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari u kë kërkuar shqiptarëve në Maqedoni që të dalin në referendum. Qytetarët e Maqedonisë më 30 shtator do të duhet të prononcohen për pyetjen: “Nëse jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”.

Jashari së bashku me kryetarin e komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcin,  kanë vizituar kryetarin e BDI’së Ali Ahmeti, thotë se duhet shikuar interesi i vendit dhe anëtarësimi në NATO dhe BE.

Shkrimi i plotë i Jasharit në Facebook:

Takimi me Aliun, çdo herë është për t’u mbajtur mend, së bashku me Ramizin dje e vizituam në shtëpinë e tij dhe bashkëbiseduam gjatë.

Sot, më shumë se kurrë, shqiptarët në Maqedoni por edhe gjithkund ku jetojnë, duhet të jenë të bashkuar, rreth ideve dhe interesave madhore për kombin.

Interes i tillë është anëtarësimi në NATO dhe anëtarësimi në BE i secilit shtet ku jetojnë shqiptarët, bashkim me vlerat dhe përkatësinë me botën demokratike perëndimore.

Shqiptarët duhet ta thonë qartë po në Referendumin e 30 shtatorit. Këtë duhet ta bëni ju për veten Tuaj, familjen dhe kombin.

Po NATO, po BE. Secila votë Juaja, ka vlerë, dilni votoni!

Nuk duhet humbur kohë, vonestarët i ndëshkon historia. Përkatësia jonë perëndimore është e vulosur nga mijëvjeçarët, e kemi thënë dje, e themi edhe sot, ne i takojmë me gjithçka Evropës dhe vlerave të saj.

Shqiptarë, qytetarë të Maqedonisë, dilni e votoni, zgjidhni rrugën e dritës, rrugën e përparimit, rrugën e shteteve që ruajnë dhe promovojnë vlerën e qytetarit pa dallim dhe të drejtat e tij, të vlerave të secilit komb, lirisë dhe historisë pa diskriminim.

Mos lejoni të kthehemi prapa, mos lejoni të bëhemi peng i mendësisë së huaj dhe kundër interesit tonë nacional.

Urojmë të keni sukses në Referendum, së bashku me të gjitha forcat përparimtare të Maqedonisë, fitojeni të sotmen dhe të ardhmen euro-atlantike!

Me nderime,

Bekim Jashari

Ramiz Lladrovci

 

 

(Kosova Sot)