VETTING-u e dekriminalizon politikën

  • 25 September 2018 - 07:24
VETTING-u e dekriminalizon politikën
Kjo kastë liderësh duhen larguar "Vetting-u synon nxjerrjen e personave të korruptuar jashtë sistemit të drejtësisë dhe të politikës", thotë analisti Ali Hertica për gazetën "Kosova Sot"

Analistët politikë dhe qytetarët vlerësojnë se pikërisht janë këta politikanë, që janë në krye të Republikës dhe të komunave për dy dekada me radhë përgjegjës për degradimin e skajshëm që ka ndodhur që prej përfundimit të luftës e deri më sot. Sipas tyre, kjo kategori doemos se do të duhej t'i nënshtrohej një Vetting-u të mirëfilltë,pasi janë grupet mafioze ato që kanë arritur të marrin pushtetin, të shtrijnë ndikimin në vendimmarrjen politike dhe institucionale, duke i bërë të këqija të jashtëzakonshme perspektivës së vendit. Për shkak të kësaj situate të rëndë, shumica e të rinjve mezi presin që të emigrojnë sapo të ndodhë liberalizimi i vizave. Analisti Albinot Maloku, për gazetën " Kosova Sot", thotë se mendimi se e vetmja rrugëdalje nga mjegulla për të ardhmen, e shkaktuar nga kasta politike në vendin tonë, është tek ikja nga vendi që nuk është mirë. Sipas tij, shumica e të rinjve, padyshim se me të drejtë kërkojnë një shteg për të ardhmen e tyre, mirëpo ky shteg është vetëm tek largimi i kastës aktuale politike, e cila mbart mbi supe shkaktimin me apo pa dashje të kësaj mjegulle për të ardhmen. 

Pastrimi i drejtësisë
Analisti Maloku vlerëson se as qytetari e as shteti i Kosovës nuk e meritojnë gjendjen në të cilën duket si e pashpresë. "Mbyllja aktuale duhet të jetë e përkohshme dhe e tillë do të jetë. Katandisja që po e përjeton Kosova është e mirëmenduar nga ata që nuk i duan të mirën shtetit as qytetarit të Kosovës", u shpreh më tutje ai. Ndërsa, analisti Ali Hertica, për gazetën "Kosova Sot", thotë se Vetting-u është procesi që shërben për përjashtimin e zyrtarëve publikë me ndikimin në vendimmarrjen politike dhe institucionale, të cilët nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës dhe në këtë mënyrë, rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore. "Procesi i Vetting-ut, si rregull, kryhet duke kontrolluar figurën e dikujt përpara se t'i ofrohet një vend pune në Republikë dhe në komuna. Ndaj, e themi lirshëm se ata janë përgjegjës për degradimin e skajshëm që ka ndodhur gjatë dy dekadave që prej përfundimit të luftës. Së këndejmi, Kuvendi i Kosovës e ka këtë mandat që mund të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme në të cilën hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese të miratuara, për të miratuar 7 ligjet e rëndësishme", shprehet Hertica. "Vetting-u është çështja kryesore në vëmendjen e politikës vendase nga qytetarët dhe ndërkombëtarët. Rregullimi i projektligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është kërkesa më emergjente e zyrtarëve", vlerësoi ai. 

"Formulari i parë kërkon deklarimin e pasurisë të personit dhe familjarëve të tij
Të dhënat e rreme në këtë drejtim mund të çojnë në ndjekje penale. Në Kosovë , procesi i Vetting-ut është si thelbësor në zbatimin e reformës në drejtësi, për shkak se një sistem drejtësie, i pavarur dhe i paanshëm, që ndikon në vendosjen e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në vend,sepse sistemin kosovar e kanë katandisur oligarkët dhe klasa e despotizmit të inkriminuar që e po degradon shtetin dhe qytetarin", u shpreh Ali Hertica për "Kosova Sot". 

RRËNIMI I SHPRESËS "Në këtë katandisje dorën kryesore e ka kasta e deritanishme politike që ka zhvatur jo vetëm materialen, por tenton ta zhvatë edhe shpresën. Gati të gjithë sektorët shoqërorë kanë nevojë për një Vetting të thellë dhe padyshim ditaditës insistimi në Vetting po bëhet deri edhe jetësor", potencoi Albinot Maloku për "Kosova Sot".

Qytetarët kërkojnë reformë të thellë
Sipas qytetarëve, kjo kategori e korruptuar e politikanëve tanë doemos se do të duhej t'i nënshtrohej një Vetting-u të mirëfilltë,pasi grupet mafioze kanë arritur të marrin pushtetin. Qytetari nga Prishtina, Shefki Muqolli, për gazetën "Kosova Sot', thotë se Vetting-un e realizojnë njerëzit tanë dhe me këta pushtetarë edhe Vetting-u do të jetë i dështuar. "E keqja është se edhe tek ndërkombëtarët e kam humbur besimin, sepse fillimisht i patëm UNMIK-un e më pas edhe EULEX-in, por e keqja është se dështuan të dy palët. Dështuan, sepse edhe ndërkombëtarët bashkëpunuan me vendorët që e kanë krijuar këtë gjendje në vend, ndonëse dihet botërisht se pas luftës ndërkombëtarët kanë dhënë me miliarda euro donacione, një pjesë të të cilëve ata i kanë ndarë me pushtetarët tanë", potencoi ai. Ndërsa, qytetari tjetër, po ashtu nga Prishtina, Bajram Kastrati,për gazetën " Kosova Sot", tha se këta politikanët tanë që janë në krye të shtetit dhe komunave për dy dekada janë përgjegjësit për degradimin e skajshëm që ka ndodhur që prej përfundimit të luftës në Kosovë. "Prandaj, kjo kategori e politikanëve tanë doemos se do të duhej t'i nënshtrohej një Vetting-u të mirëfilltë,pasi grupet mafioze kanë arritur të marrin pushtetin", u shpreh ai. "Pushtetarët tanë brenda natës u bënë milionerë. Prandaj, kjo Kosovë duhet që të pastrohet nga këta keqpërdorues, ngase ky populli i mjerë duhet që ta gjejë rrugën e vet", vlerësoi Kastrati. Sipas tij, duhet ndihma e ndërkombëtarëve për një VETTING të suksesshëm.

(Kosova Sot)