Drejtësia sundon qytetarët, MAFIO-OLIGARKËT MBI LIGJIN

  • 25 September 2018 - 07:27
Drejtësia sundon qytetarët, MAFIO-OLIGARKËT MBI LIGJIN
Preteni: Kujt t'i ankohemi, kur procesi zgjat deri në 8 vjet, kur çdo vendim të shkallës së parë Gjykata e Apelit e kthen në rigjykim, kur edhe pas vendimit përfundimtar nuk zbatohen vendimet?!...

"Asnjë prokuror nuk ka guxim të ngrejë aktakuzë ndaj tyre, madje edhe nëse ndonjëherë ngrihet, gjykatësit e shpallin të pafajshëm. Në këtë sistem te drejtësisë në Kosovë më shumë ka shanse të dënohet një qytetar i pafajshëm sesa një kriminel i krimit të organizuar", thotë ishdeputeti Adem Salihaj për "Kosova Sot"

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit nuk po shohin akoma asnjë përparim të dukshëm pozitiv në drejtësinë kosovare, përkundrazi, ata vlerësojnë se ky sistem po shkon dita-ditës thellë e më thellë në degradim, në atë mënyrë që njerëzit e krimit të organizuar, pushtetarë dhe zyrtarë të lartë të korruptuar të institucioneve të ndryshme politike, mafio-oligarkë të inkriminuar thellë në krimin e organizuar, të gjithë janë mbi ligjin dhe nuk kanë frikë se do të procedohen penalisht, pasi që sistemin e drejtësisë e kanë në duart e tyre.

PRETENI: FATKEQËSISHT, NE JEMI LARG SHTETIT TË SË DREJTËS FUNKSIONALE E TË PAVARUR
Një fakt të tillë e pohon edhe eksperti Hasan Preteni. "Nuk kanë frikë as nga Zoti e as nga shteti. Në shtetet normale, në shtetet me demokraci të konsoliduar, kërcënimi më serioz është kur dikujt i thuhet "ju dërgoj në gjyq", derisa tek ne vlen e kundërta, të dërgoj në gjyq, kjo është shakaja më e mirë që bëhet. Është pra hipokrizia më fuqishme e që e dëgjojmë për çdo ditë, kur disa nga politikanët tonë thonë "dërgoni rastet në gjykata nëse dini diçka"! E këtu tani shtrohet pyetja dhe pikëpyetja e madhe... Prandaj po i pyesim ata, po kujt t'i ankohemi kur zgjat procesi deri në 8 vjet, që çdo vendim të shkallës së parë Gjykata e Apelit e kthen në rigjykim, kur edhe pas vendimit përfundimtar nuk zbatohen vendimet", tha Preteni për "Kosova Sot". Sipas tij në këtë sistem ka errësirë të plotë dhe mungesë llogaridhënie për t'i mbuluar dështimet dhe abuzimet. "Efikasiteti, transparenca dhe llogaridhënia, do të ishin garanci e fuqishme e funksionalizimit të shtetit, kujdesi në shpenzimin e parasë publike, si dhe kujdesi në marrjen e vendimeve do të ishin në nivelin shumë më të lartë nëse "gjyqësori" do të ishte më efikas. Frika nga ndëshkimi nuk ekziston te ne dhe ky është i tërë problemi. Mungesa e transparencës, mungesa e llogaridhënies dhe mungesa e dënimit për veprimet joligjore shpien drejt anarkisë, prandaj fatkeqësisht jemi larg shtetit të së drejtës funksionale e të pavarur", tha Hasan Preteni për "Kosova Sot". 

Degradimi i skajshëm i sistemit
Gjykim të ngjashëm jep edhe analisti politik Bislim Aliu, sipas të cilit sistemi i drejtësisë përherë u degradua dhe për këtë erdhi në atë mënyrë që njerëzit e krimit të organizuar, pushtetarë e zyrtarë të lartë, të korruptuar të institucioneve të ndryshme politike, mafio-oligarkike, të inkriminuar thellë në krimin e organizuar, ndaj të gjithë janë mbi ligjin dhe fare nuk kanë frikë se do të procedohen penalisht, pasi që sistemin e drejtësisë e kanë totalisht në duart e tyre. "Ndaj, për këtë edhe mund të pyetemi, a thua, si mund të ketë drejtësi në Kosovë pa pasur detyrim apo llogaridhënie dhe pa e luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe të gjitha dukuritë negative në shoqërinë tonë, fare të degraduar", potencoi ai. "Vazhdimisht dhe hapur po shkelen ligji e Kushtetuta e vendit. Dhe, për këtë, pa pasur asnjëherë frikë nga llogaridhënia për ato veprime të jashtëligjshme të bëra", tha Aliu për "Kosova Sot".

SALIHAJ: DREJTËSIA NË KOSOVË, E KAPUR NGA STRUKTURAT KRIMINALE MAFIOZE TË DISA PARTIVE POLITIKE
Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, tha për "Kosova Sot" se është e kotë të pritet drejtësi e pavarur dhe profesionale nga një sistem i cili është i kapur që nga zanafilla e ndërtimit."Drejtësia në Kosovë gjatë tërë periudhës së pasluftës ka qenë e kapur nga strukturat kriminale mafioze të disa partive politike. Asnjë prokuror apo gjykatës nuk ka mundur të emërohet pa miratimin e këtyre strukturave. Ato kanë kontrolluar çdo gjë në jetën shoqërore, duke futur njerëzit e tyre në çdo sferë të jetës", u shpreh ai."Krahas emërimit të njerëzve të tyre nëpër prokurori dhe gjykata, këto struktura mafioze kanë futur nën kontroll edhe policinë dhe shërbimin inteligjent, duke kapur plotësisht të gjitha strukturat që merren me informim, hetim, akuza dhe gjykim. Në këtë mënyrë ata janë bërë të paprekshëm, zhvillojnë pa asnjë pengesë veprimtarinë e tyre kriminale, duke zhvatur e duke keqpërdorur, jo vetëm buxhetin, por çdo segment të shtetit dhe shoqërisë sonë. Ata nuk dalin asnjëherë para gjykatave, pavarësisht se çfarë veprash kriminale bëjnë", vijoi më tej Salihaj. "Asnjë prokuror nuk ka guxim të ngrejë aktakuzë ndaj tyre, madje edhe nëse ndonjëherë ngrihet, gjykatësit e shpallin të pafajshëm. Në këtë sistem të drejtësisë në Kosovë më shumë ka shanse të dënohet një qytetar i pafajshëm sesa një kriminel i krimit të organizuar", tha Salihaj për "Kosova Sot".

Pasoja të rënda nga mossundimi i ligjit
Edhe sipas analistit dhe publicistit Naim Kelmendi, drejtësia kosovare vazhdon edhe më tutje të mbetet një nga hallkat më të dobëta institucionale, sepse të tillë e do politika e korruptuar dhe e inkriminuar thellë në abuzimet me ligjin e Kushtetutën me buxhetin dhe të mirat e tjera materiale e financiarë që i gllabëron për vetë dhe nuk lejon të shkojnë në funksion të zhvillimit të përgjithshëm, në funksion të zhvillimit të ekonomisë së lirë të tregut dhe eliminimin e monopoleve të oligarkëve të inkriminuar. "E them kështu sepse pikërisht me forcimin dhe fuqizimin e shtetit ligjor, drejtësia kosovare do të mund të ishte një promotor i nxitjes së zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik të shtetit", u shpreh ai. "Kjo fushë do të mundë ta avanconte shumë me një luftë më efikase në luftën e krimit të organizuar apo korrupsionit, sepse njëkohësisht do të kishim më shumë efikasitet në sundim të ligjit dhe të drejtësisë dhe po ashtu barazi në treg dhe joshje të investimeve të huaja që garantojnë zhvillim më të hovshëm dhe perspektivë për integrimin e ekonomisë vendore në tregun e gjerë ndërkombëtar e rajonal. Mirëpo, Kosova akoma mbetet larg asaj që dëshirohet dhe duhet të jetë", ka vlerësuar më tej Kelmendi. Sipas tij në Kosovë vazhdon edhe më tutje një gjendje tepër e brishtë në drejtësi.

(Kosova Sot)