Sigurimet, një oligopol kriminal nën HUNDËN E BQK-SË DHE AKK-së

  • 25 September 2018 - 07:30
Sigurimet, një oligopol kriminal nën HUNDËN E BQK-SË DHE AKK-së
Kadriaj: Pronarët e kompanive të sigurimeve janë drejtpërdrejt në politikë apo të afërt me politikën

"Këtu po shihet se ka monopol të pastër dhe heshtja e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, që po na tregon se bëhet me qëllim, ngase pronarë të këtyre kompanive janë disa nga pushtetarët tanë më të lartë që janë tash në Qeveri, dhe kjo të bën të dyshosh se kjo është arsyeja e vërtetë e heshtjes së Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, që nuk po e hulumton dhe nuk po e anulon qëllimisht një marrëveshje të tillë në mes të këtyre kompanive të sigurimeve, që pa asnjë dyshim se është një monopol i pastër", thotë deputeti Salih Salihu për "Kosova Sot" 

Vonesat e pagesave ndaj klientëve nga ana e kompanive të sigurimeve në Kosovën e pasluftës janë bërë gjithnjë e më shqetësuese, ndërsa ky treg shumëmilionësh është tërësisht në duart e mafio-oligarkëve, që kanë bërë edhe marrëveshje antiligjore e që cenojnë konkurrencën e ndershme. Gazeta ka informacione se më 11 dhjetor të vitit 2016, përfaqësuesit e kompanive të sigurimeve që afarojnë në Kosovë ishin mbledhur në Hotelin "Swiss Diamond", duke arritur një marrëveshje të fshehtë në këtë takim që t'i fiksojnë çmimet në tregun e sigurimeve. Sipas marrëveshjes me shkrim në mes të këtyre kompanive të sigurimeve, e cila përmban 7 pika dhe e njëjta është e nënshkruar nga Behgjet Pacolli, në emër të kompanisë "Siguria", Ekrem Lluka, në emër të "Dukagjinit", Bujar Musa, në emër të "Scardian", Hashim Deshishku, për "Sigkos", Avni Ponari në emër të "Sigal Uniqua", Kadri Morinaj, në emër të "Insig" e "Eurosig", Roland Kacani për "Sigma", Lulzim Tafa për "Prisig", Agim Elshani për "Elsig " dhe Serafetin Ismajl Kirpikli, në emër të "Kosovës së Re", të gjithë këta janë dakorduar se shitja e policave të sigurimit për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia do të jetë në bazë të çmimeve fikse dhe e njëjtë tek secila kompani. Analistët pyesin se përse autoritetet e shtetit, BQK-ja, përkatësisht Autoriteti Kosovar i Konkurrencës po lejojnë që kompanitë e oligarkëve ta prishin tregun e sigurimeve, me qëllim të monopolizimit dhe të përfitimit të kundërligjshëm

Autoritetet përgjegjëse dhe kompanitë heshtin
Me gjithë pyetjet e gazetarit dërguar në adresat elektronike të të gjitha këtyre kompanive te sigurimeve, gazeta nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ana e tyre. Po ashtu, me gjithë pyetjet e dërguara në adresën elektronike se çka thonë në BQK për 218 ankesat, që qytetarët kanë bërë në BQK vetëm për 6 muaj, zyrtarët e Zyrës për informim të BQK-së nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën. Zyrtarët e BQK-së nuk kanë dhënë përgjigje se përse ka shënuar rritje numri i ankesave ndaj kompanive të sigurimit, përkatësisht se përse ka kaq shumë vonesa në pagesën e dëmeve sikurse edhe atë se çfarë masash kanë marrë BQK-ja lidhur me marrëveshjen e fshehtë të Kompanive të Sigurimit që t'i fiksojnë çmimet në tregun e sigurimeve. Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, në një përgjigje të shkurtër me shkrim për gazetën " Kosova Sot", tha se nuk mund të përgjigjen brenda ditës. "Nesër në mëngjes konsultohem me përgjegjësit dhe do të kthejmë përgjigje për pyetjet që na takojnë neve për t'u përgjigjur", u shpreh ai. Ndërsa, në përgjigjen e zyrtarëve të Zyrës së për Informim të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, që e kanë dhënë për gazetën " Kosova Sot", thuhet se mënyra, forma, por edhe koha e kompensimit të dëmeve, pas ndodhjes së aksidenteve, janë të parapara me ligj, rregulloreve, apo edhe vendime te veçanta. " Referuar të dhënave zyrtare, por edhe nga ato që ne kemi nga kompanitë e sigurimeve, kompensimi dëmeve bëhet konform afatit të paraparë. Andaj, numri prej 218 ankesave të cilave u referoheni prej 619 mijë kontratave të lidhura mes kompanive të qytetareve është tregues i qartë se kompanitë e sigurimeve janë duke respektuar në këtë rast edhe rregulloret e rregullatorit, Bankës Qendrore të Kosovës. Falë përkushtimit të kompanive të sigurimeve, ky numër i ankesave është ulur në vazhdimësi nga viti në vit", thuhet më tutje në përgjigje. 

Padrejtësi ndaj qytetarëve
Ndërkaq, është për t'u habitur se si dy krerët e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës thonë se nuk janë në dijeni për një marrëveshje të tillë të fshehtë në mes të kompanive kosovare të sigurimeve, që i kanë fiksuar çmimet në tregun e sigurimeve. Kryetari i Bordit Valon Prestreshi, përmes celularit i ka thënë gazetës " Kosova Sot', se nuk është në dijeni për një marrëveshje të tillë dhe është arsyetuar se ndodhet në pushim. Edhe nënkryetari i Bordit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ahmet Krasniqi përmes celularit tha shkurtazi për " Kosova Sot", se Autoriteti i Konkurrencës, nuk është në dijeni se këto kompani sigurimesh kanë bërë një marrëveshje të tillë të fshehtë. Ndërsa, deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu, për gazetën "Kosova Sot ", thotë se problemin më të madh e paraqesin pagesat ndaj mërgimtarëve tanë që po detyrohen të paguajnë për Kartonin e Gjelbër, kur vijnë në Kosovë. "Vetëm gjatë një viti ata paguajnë prej 5-8 milionë euro për këto pagesa që vilen nga Kartoni i Gjelbër që i paguajnë mërgimtarët tanë dhe është një padrejtësi e madhe", u shpreh ai. "E keqe tjetër e punës së kompanive të sigurimeve është se edhe për qytetarët tanë që janë në Kosovë ka neglizhenca të pagesave të dëmeve nga ana e kompanive të sigurimeve, sepse ka shumë procedura, vlerësime, komisione, pastaj ka nënvlerësime dhe së këndejmi edhe pasojnë ankesat shtesë, ngase qytetarët tanë me të drejtë nuk heqin dorë nga kompensimi i dëmeve nga ana e kompanive. Prandaj, besoj se kompanitë e sigurimeve në mes vete kanë një fiksim të çmimit të qytetarëve që mos të paguajnë më shumë se njëra- tjetra", vlerësoi Salihu. Sipas tij, kjo marrëveshje në mes të kompanive të sigurimeve, përfshirë këtu së bashku edhe sistemin bankar në Kosovë janë një monopol i pastër, prandaj duhet që të reagojnë Autoriteti Kosovar i Konkurrencës .

AKK-JA S'DI GJË
"Unë nuk e kam një informatë se ka një marrëveshje të tillë të fshehtë në mes të kompanive të sigurimeve. Andaj, ju sugjeroj se më mirë për këtë çështje pyeteni kryetarin e Bordit", ka thënë nënkryetari i Bordit, Ahmet Krasniqi.

PRAKTIKA E ZHVATJES
"Vonesat në pagesën e kompensimeve të pronarëve është si rezultat i marrëveshjes në mes të kompanive si edhe fuqinë që e kanë në pushtet ato, sepse janë vetë pushteti, gjithnjë po flas me përjashtime, sepse ka edhe kompani të sigurimeve që janë serioze, por mund të jetë një, e dy nuk janë, kështu që e keqja e mund të mirën. Prandaj, kjo praktikë e zhvatjes së qytetarit nga kompanitë e sigurimeve nuk ka të ndalur, sepse janë vetë pushteti ku edhe nënshkruesi i parë i marrëveshjes 7 pikëshe është zëvendëskryeministri i parë i Kosovës", tha Mustafë Kadriaj për "Kosova Sot".

Të hetohen marrëveshjet e fshehta
Ndërsa anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, afaristi Ramadan Maloku, për gazetën "Kosova Sot', thotë se heshtja e drejtuesve të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës ndaj kompanive të sigurimeve që kanë arritur një marrëveshje të fshehtë dhe kundër tregut të lirë në këtë takim që t'i fiksojnë çmimet në tregun e sigurimeve dhe që është një monopol i patër është tregues i papërgjegjësisë së kësaj agjencie. "Autoriteti Kosovar i Konkurrencës duhet që të hetojnë urgjentisht një marrëveshje të tillë dhe të ndëshkojnë këto kompani. Ngase, kjo nuk është hera e parë që kompanitë e sigurimeve kanë bërë marrëveshje të tillë antiligjore dhe monopolistike, ndaj këto kompani duhet gjobitur me shuma të larta", theksoi ai. Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën " Kosova Sot", tha se pronarët e kompanive të sigurimeve janë drejtpërdrejt në politikë apo të afërt me politikën që nuk i ndal askush. "Marrëveshja prej shtatë pikave, duke i harmonizuar çmimet, është në kundërshtim me ekonominë e lirë të tregut, duke e forcuar tregun oligopol në shërbimet e sigurimit", vlerësoi ai. Ndërsa, analisti Dardan Grapci, për gazetën " Kosova Sot', thotë se BQK-ja duhet të ushtrojë kontroll ndaj tërë këtyre kompanive të sigurimit. "Edhe pse shumë kompani kanë emra kosovarë dhe ato me emra të huaj, duke ia filluar nga kompania 'Illyria' (ish -'Dukagjini') e deri te 'Kosova e Re' , të gjitha këto janë të dorës se dytë", u shpreh ai. Grapci u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes se ku dhe në cilën kompani po i sigurojnë veturat. 

(Kosova Sot)